Albspirit

Media/News/Publishing

Ukraina: Kemi pushtuar 1 mijë km katror të territorit rus

Komandanti i lartë i Ukrainës, Oleksandr Syrskyi deklaroi se forcat e Kievit kontrollojnë tashme 1000 kilometra katrorë të territorit rus ku po kryejnë inkursionin e tyre më të madh ndërkufitar në dy vjet e gjysmë luftë. Syrskyi tha se Ukraina ka vazhduar “të kryejë një operacion sulmues në rajonin e Kurskut” edhe 7 ditë pas fillimit të tij.

Vetë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u shpreh se Rusia u kishte sjellë luftën të tjerëve dhe tani ajo po i kthehet në shtëpinë e saj. Por udhëheqësi rus Vladimir Putin e përshkroi ofensivën si një “provokim të madh” dhe urdhëroi forcat ruse “të dëbojnë armikun nga territori”. Një numër në rritje njerëzish janë evakuuar nga rajoni perëndimor i Rusisë për sigurinë e tyre. 59 mijë personave të tjerë u është thënë të largohen këtë të hënë. Guvernatori lokal rus tha se rreth 28 fshatra në zonë kishin rënë në duart e forcave ukrainase dhe se 12 civilë ishin vrarë dhe se “situata mbetet e vështirë”.

Trupat ukrainase filluan sulmin e tyre të befasishëm të martën e kaluar, duke përparuar deri në 30 km brenda kufirit në Rusi. Ofensiva thuhet se ka rritur moralin në palën ukrainase, por analistët thonë se kjo strategji do të sjellë rreziqe të reja për Ukrainën.

Një burim i lartë ushtarak britanik, i cili kërkoi të mos përmendet emri, i tha BBC-së se ekzistonte rreziku që Moska të zemërohej aq shumë nga ky inkursion sa mund të dyfishojë sulmet e saj ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës së Ukrainës. Në komentet e transmetuara në televizionin shtetëror, presidenti Putin tha të hënën: “Një nga qëllimet e dukshme të armikut është të mbjellë mosmarrëveshje, grindje, të frikësojë njerëzit, të shkatërrojë unitetin dhe kohezionin e shoqërisë ruse. Detyra kryesore është, sigurisht, që ministria e mbrojtjes të largojë armikun nga territoret tona” – tha ai në një takim zyrtarësh.

Guvernatori rus i rajonit tha se 121 mijë njerëz ishin evakuuar nga shtëpitë e tyre. Ai i tha zotit Putin se rreth 2 mijë qytetarë rusë mbetën në zonat e pushtuara nga forcat ukrainase në zonë dhe se nuk dihet “asgjë për fatin e tyre”. Ai paralajmëroi njerëzit që të strehohen nga raketat në dhoma pa dritare dhe me mure të forta.

Në Belgorod, rajoni ngjitur me Kursk-un, rreth 11 mijë njerëz u kërkuan gjithashtu të largoheshin, pasi guvernatori Vyacheslav Gladkov u tha njerëzve nga distrikti Krasnaya Yaruga se ata po zhvendoseshin për shkak të “aktivitetit të armikut në kufi”. Ai lëshoi një paralajmërim të ngjashëm me raketa dhe u tha njerëzve të strehoheshin në bodrumet e tyre.

Në fjalimin e tij të natës, presidenti i Ukrainës e pranoi ofensivën, duke thënë: “Rusia duhet të detyrohet të bëjë paqe nëse Putini dëshiron të luftojë kaq keq. Rusia u solli luftë të tjerëve, tani lufta po i kthehet në shtëpi. Ukraina gjithmonë ka dashur vetëm paqe dhe ne sigurisht që do të sigurojmë paqen”.

Zyrtarët ukrainas thanë se mijëra trupa janë të angazhuar në operacion, shumë më tepër se inkursioni i vogël i raportuar fillimisht nga rojet kufitare ruse. Një zyrtar i tha agjencisë së lajmeve AFP se qëllimi i tyre ishte “të shkaktonin humbje maksimale dhe të destabilizonin situatën në Rusi”. Disa në Rusi kanë vënë në pikëpyetje se si Ukraina ishte në gjendje të hynte në rajonin e Kurskut. Një bloger pro-rus i luftës, Yuri Podolyaka e quajti situatën “alarmante”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova tha se një përgjigje e ashpër nga forcat e armatosura ruse “nuk do të zgjasë shumë”. Ndërkohë, aleati rus Bjellorusia tha se po forconte numrin e trupave të veta në kufirin e saj pasi pretendoi se Ukraina kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore me dronë. ©BBC, LAPSI.al

Please follow and like us: