“Kompleksi i Edipit” si një interpretim i novelës sё Stefan Zweig – “E fshehta përvëluese”!
Dr. Iris Halili
Nё historinё e letërsisë botërore ka vepra, vlera letrare e tё cilave ka qenë po aq e çmuar, sa edhe elementet e fshehta frojdiste qё mund tё gjenden në to. Tё tilla janё veprat e Stefan Zweig-ut, njё mik i ngushtë i Freud-in. Nëse do të na duhej t’u bënim një pёrcaktim novelave të tij, aq tё njohura edhe pёr lexuesin shqiptar, ndoshta, do të na vinte më për mbarë, që studimin ta titullonim: “Një novelë, një teori”. Kjo pёr tё thёnё se sa fuqishёm depërtojnё teoritё psikanalitike në novelat e Zweig.
“E fshehta përvëluese” është një ndër novelat e Zweig -ut ku pothuaj çdo frazё mund ta interpretosh nga kёndvёshtrimi psikanalitik, ku çdo titull apo nënkapitull është një simbol-arketip dhe ku e gjithë ngjarja ndërtohet mbi personazhe qё shfaqin hapur forma tё incestit, nën dritёn e kompleksit të Edipit. Freud e mbështeti teorinë e tij të Edipit tek miti grek. Sipas mitit grek, Edipi ishte i vetmi qё gjeti gjёegjёzёn me tё cilёn pёrbindshi Sfinks tmerroi Tebёn. Si shpёrblim, martohet me Jokastёn pa e ditur se ishte e ёma dhe më pas merr fronin e mbretit Lai, vrarё nga dora e tij, pa e ditur se ishte i ati. Sipas Freud-it kompleksi i Edipit është i pashmagshëm: “Nëse je një njeri , atëhere ti je një Edip”. Ky kompleks është një arketip që mban brënda nesh të pandërgjegjshmen kolektive, i tillë ka qënë brenda paraardhësve tanё e do mbijetojё edhe tek pasardhёsit tanë. Djali kerkon “te arrije të ëmën duke përjashtuar të atin, ndërsa vajza të arrijë të atin duke përjshtuar të ëmën”. Në mitin grek, Edipi e vrau të atin (ndonëse miti e justifikon se ai nuk dinte se kë po vriste ). Sipas Freud-it djali burrërohet dhe vajza maturohet vetëm nëse arrijnë të shmangin këtë akt!!
Tani le te sjellim nё kujtesё subjektin e novelës. Një djalë, Edgari shkon me pushime me të ëmën. Nё dukje s’ndodh asgjё: vendi ёshtё i qetë, njerёzit tё largёt e nuk pёrcjellin gjёsend, situata mёse monotone. Ndodh njё ditё, qё ngjarjet ngatёrrohen dhe nё skenё hyn njё baron me sjellje galante, që bie në dashuri me nënën e Edgarit. Djali bёhet xheloz, reagon, bёn tё pamundurёn pёr tё penguar kёtё lidhje. Ai e do tё ёmёn dhe kёtё ndjenjë e shpreh nё formё xhelozie. Dhe kjo e bёn njё fёmijё tё vogёl. Ai e adhuron fillimisht baronin derisa pak nga pak ndjenjën e adhurimit e zё njё urrejtje qё rritet shkallë-shkallë. Dhe kjo e bёn njё burrё tё madh. Çuditёrisht, Edgari, po zëvendëson tё atin. Djali reagon ashpër dhe këtë (sipas teorisë psikanalitike) nuk e bën se do babanë, as sepse urren baronin, por sepse do të ëmën marrёzisht dhe nё mёnyrё instiktive. Freud-i, kёtё instikt e quan “vija e brishtësisë së nënës”, domethёnё, sipas tij, fëmija zgjedh njёrin prej prindёrve si objekt dëshirash ku djali dëshiron t’i zёrë vendin babait, ndёrsa vajza nënës. Fillimisht, Edgarit i pëlqen baroni, por kurba e inatit të tij shkon në përpjestim të drejtë me dashurinë qё ka ky i fundit për tё ёmёn, Margarita. Kur djali kupton se baroni po tenton t’i zëvendësojё të atin, atëherë, fillon ta urrejë dhe synon nё mёnyrё tё pavetёdijshme t’ë mos ja lejojë këtë vend . Novela ka një pikë kulminante që vjen me titullin “e fshehta përvëluese”. Zbërthimi i këtij simboli, sipas analizave që metodika psikanalitike do i bënte retorikës në vepër, do të thotë në fakt zbërthimi i të gjithë skemës frojdiste të novelës. Ç’është kjo e fshehtë për Edgarin? Dhe ajo që na intereson mё shumё, ç’është kjo e fshehtë sipas deshifrimit që i bëjmë ne? Psikanaliza na thotë se kurrë nuk mund të mbetemi peng vetёm i një teze, sado e fuqishme të jetë ajo. Kështu zbërthimi i simbolit-emër i perveçëm por edhe titull në të njëjtën kohë “e fshehta përvëluese”, ka një peshë universale që e krijon vetë arketipi i këtij simboli. Duket fillmisht sikur ky simbol shënon erotikën e marrëdhënies së tё ëmës me baronin, apo çfarë fshihet pas kësaj erotike apo dashurie të fshehur. Ky do të ishte interpretimi i parë dhe i shpejtë që do t’i bënim simbolit me anё tё psikanalizës. Në fakt e fshehta, si arketip, është më tepërt se kaq, dhe ka të bëjë më shumë me Edgarin sesa me të ëmën, pasi kjo e “fshehtë” është ajo ndjenjё që mbajmë brenda vetes, por që shpesh nuk dimë as ta kuptojmë e as ta nënshtrojmë e quhet “vija e nënës”, apo “vija e babait”. Ёshtё e fshehtë e thellё, edhe pse e hasim në reagimet tona apo të atyre qe kemi përreth; ështё përvëluese, sepse kur e kuptojmë, skuqemi prej saj.
Pas gjithë këtyre analizave, a mund të jetë Edgari një Edip i vërtetë? Në fakt, me Edgarin, nuk realizohet kompleksi i Edipit. Ai zgjedh tё mos i tregojë të atit për atë ç’ka parë dhe shpёton pёrfundimisht nga kompleksi i përjashtimit të të atit. Vetëm, në qoftë se Edgari do të rrëfente historinë e dashurisë së mamasë për baronin që u kthye edhe në histori të dhembjeve të tij, mund të flisnim për një Edip , pasi Edgari do të kishtë “eliminuar babanё”. Përjashtimi i Baronit nga jeta e nënës ishte edhe siguria që i ati do vazhdonte të rrinte me të ëmën , dhe në këtë formë Edgari e shmangu rrezikun e eliminimit të babait dhe në këtë mënyrë sikur na thotë teoria e Freud-it Edgari u “burrërrua.” Pra, Edgari është një Edip i paplotë, siç pothuajse jemi të gjithë ne, siç janё shumë personazhe nga letërsia botërore, tek tё cilat ky kompleks ёshtё shumë i fshehur dhe rrallëherё jepet i drejtpërdrejtё. Edgari nga ana e tij, e vuajti kompleksin e Edipit, por arriti ta shmangё atë, gjë që duket në çastet e fundit të novelës, ku autori krijon një situatë të ndjerë mes Edgarit dhe të ëmës. Pakti ishte kryer. Shija e fitores që Edgari provon në fund, na bind për postulatin frojdist, se udhёtimi si rritje, apo si pjekje intelektuale që bën Edipi pёr tё mundur Sfinksin, është i pashmangshёm dhe i domosdoshёm. Të gjitha këto analiza që bëmë, me lehtёsi na sollën nga novelat e Zweig-ut tek psikanaliza e Freud-it. Shkuam me lehtёsi tё madhe, nga njёri te tjetri e kjo tregon se edhe këtë herë, sesi letërsia na çoi tek psikanaliza.
Le të ndalemi pak edhe tek emrat e personazheve në novelë: djali, quhet Edgar, nëna Margarita dhe personi që flirton me nënën është baroni, ose të paktën me këtë emër e njeh Edgari. Kur vё nё punё metodёn psikanalitike, edhe zgjedhja e emrave tё personazheve nuk të duket mё rastësi. Ata marrin ngjyresa tё pavetёdijes qё ndёrthuren e nxjerrin krye nё rrethana tё caktuara. Jo rastёsisht ndërlidhet, pёr shembull, emri i Edgarit qё është pranë atij të Edipit, pasi i lidh ajo “ed”.
Një pasazh tjetër i novelёs është kur Edgari pasi e ka ndjekur nënën me baronin, trembet kur i shikon aq pranë fizikisht pasi kujton se baroni po vё dorё mbi nënën. Pikërisht tek kjo dhunë imagjinare, mund të gjejmë një tjetër teori të Freudit. Zweig-u, në fakt, sqaron se Edgarit i duket sikur mbi nënën po ushtrohet dhunë. Psikanaliza e Freudit do e shpjegonte këtë episod me faktin se fëmija kur bëhet rastësisht dëshmitar i aktit seksual tek tё rriturit , e pёrjeton këtë akt si përpjekje për dhunim, apo si luftë, duke e interpretuar vetë aktin në mënyrë sadiste.
Përfundimisht, duhet të shtojmë se psikanaliza na jep fushё tё lirё tё kuptojmё se çdo interpetim ështё vetëm një propozim e në rastin mё tё mirё, mund tё bёhet realisht një hipotezë interpretimi. Suksesin e kësaj metode, e tregojnë sot ato studime që përpiqen të interpretojnë letërsinё, duke shfrytëzuar psikanalizën. E tregojnë vizionet e reja që ka fituar letërsia falë kёsaj disipline. E tregon mbi të gjitha tradita qё ka krijuar raporti i marrёdhёnies sё tyre, që në vite, më shumë thellohet se sa zbehet, më shumë pёrtёrihet se sa vjetërohet, zhvillohet e nuk mohohet, mё shumё kujtohet se sa harrohet.
Ky fragment ёshtё shkёputur nga libri i fundit i autores: “Letёrsia nё psikanalizёn e Freud -it dhe dilemat eksistenciale”, prezantuar nё Panairin e Librit Tirana 2022.
Please follow and like us: