In memoriam Musine Kokalari!
Një ditë gushti si sot do te shuhej ne regëtimat e fundit trupi i ligur i të madhes Musine. Me gjithë vuajtjet që pësoi në jetë, po largohej e qetë për në qiell. Pak ditë para se të mbyllte sytë përjetësisht u kishte dorëzuar të afërmve të saj Platon e Bibika dorëshkrimet, librat e bibliotekës, sende personale, ato pak gjëra që i konsideronte të vlefshme për të mos u varrosur bashkë me të.
Në vetëdijen e saj pranonte rrugën që i kishte caktuar fati, prandaj këmbëngulte letër pas letre që të afermit të shkonin të merrnin dorëshkrimet.
Bibika tregon se Musinea kishte paketuar gjithçka në mënyrë përsosur. Pasi ua dorëzoi nxorri një psherëtime lehtësimi dhe u ul duke thënë: “Tani jam e qetë. Mund të shkoni”.
Ndoshta ajo e dinte para të tjerëve që do të vinte një ditë ndryshe.
Shteti komunist u përpoq sa mundi ta varroste në harresë, por ajo dritëron gjithmonë e më shumë.
E mira, e drituara, e mençura, e pagjunjëzuara, e parakohshmja, e paharruara Musine./muzeu Kokalari