ATJE KU FLET HISTORIA, RRETHUAR ME LEGJENDA HERONJSH QË I MBIJETUN KOHËS
Kozeta Zavalani
Nuk do të doja ta mbaja vetëm për vete këtë udhëtim fantastik, nëse nuk do ta sillja mes jush në mënyrën më të thjeshtë për të ndjerë nga afër atë ndjesi aq shpirterore që na përshkoi të gjithëve si grup. Atje në veri të Shqipërisë ku natyra e mrekullueshme alpine të rrëmben me magjinë e saj spektakolare natyrore, rrethuar me legjenda heronjesh dhe deri në Kosoven tonë martire mbështjellë me flamurin e Lirisë së saj dhe të ngritur mbi piedestale dhimbjesh, brumosur me emra heronjsh që do të mbahen mend gjatë në kujtesën tonë.
Idea për të bërë këtë udhëtim, sa impresionues aq edhe mistik ishte e dy miqve tanë të mrekullueshëm të ardhur nga Amerika e largët, 2 vatranët e vjetër të Federatës Pan Shqiptare Vatra prej më shumë se 25 vjetësh: poetja dhe shkrimtarja e librave për fëmije dhe humanistja znj. Monda Hamitaj (Musabelliu) dhe juristi z. Bashkim Musabelliu .
Shpejt e shpejt u formua grupi i miqve që do të merrnin pjesë në këtë udhëtim: Monda Hamitaj (poete), Bashkim Musabelliu (jurist), Kozeta Zavalani (gazetare e poete), Mikel Zavalani (inxhinier), Pjeter Tosku ( bizesmen), Adelina Reçi Perleka (artizane), Zamira Korance (gazetare dhe presidente e Shoqatës Jehona Shqiptare), Age Ndoi ( kengetare) dhe Rajmonda Maleçka (poete).
Udhëtimi drejt veriut të Shqipërisë ishte impresionues për të gjithë. Ecja në grup me makina private e bënte me interesant udhëtimin, pasi kështu krijohej mundësia për ndalesa gjatë rrugës, sipas dëshirave të miqve tanë. Dhe ja, pas një pushimi të shkurtër në qytetin historik të Lezhës, nisja drejt Tropojës, ku bëmë ndalesën tjetër, një set fotografik mes miqve e lezetoi atë moment mjaft të bukur. Dreka na gjeti pranë liqenit të Komanit për të vazhduar drejt Valbonës, destinacionit tonë të shumëpritur. Pasi u akomoduam të gjithë në tragetin Alpin, që hapi para nesh portën e Alpeve të Shqipërisë, duke shijuar ujrat e kristaltë, ajrin e fresket dhe cicerimat e zogjve, në lumin e Valbonës që buron nga Alpet, duke admiruar natyrën e bukur të maleve.
Pasi shijuam një udhëtim të bukur me pamje spektakolare prej gati 2 oresh në Liqenin e Fierzës, ndaluam dhe vazhduam udhëtimin tonë drejt Bujanit, bregut të Valbonës, që ishte vendi i parë ku u ndalëm, i pasur me bukuri natyrore dhe trashëgimi kulturore; vendi i kullave historike, i këngëve kreshnike, i masivit të gështenjave, i pyjeve e livadheve të buta, i bletarisë e blegtorisë, i turizmit malor, vend i punës e i pushkës, i arsimit dhe i kulturës, ku gjejmë historinë tonë, të shkuarën por edhe të tashmen, gjejmë banorët e traditës sonë kombëtare, kurdoherë mikpritës e bujarë si miku yne nga Juniku, komandant Zenel Krasniqi, i dënuar me 20 vite burg nga serbët, me të cilin jam njohur në veprimtaritë e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, që na shoqëroi kudo.
Në Bujanin e Kullave
Të shkosh në Malësinë e Tropojës dhe të mos ndalesh në Bujan, është e pamundur. Pas rreth 5 km larg Bajram Currit, shtrihet Bujani në anën e majtë të lumit Valbona, nën hijen e malit të lartë të Hekurave (2561 m.) Shoqëruar nga vëllezërit Agim e Shkëlzen Mulosmani, ku vizitën e kullave historike të Bujanit e filluam nga ajo e Binak Alisë, që nga vitet 1805 – 1895 ka qenë prijës i krahinës, luftëtar dhe pleqnar i njohur i kohës. Kjo kullë u ka qëndruar shekujve, duke qenë e djegur dhe e shkatërruar disa herë nga pushtuesit e ndryshëm. Sot kulla dhe oda e saj janë në gjendje të mirë, duke qenë dëshmitare të shumë ngjarjeve dhe personaliteteve historike, të cilat i mësojmë në librin “Binak Alia dhe breza pas tij” shkruar nga Muhamet Mjeku, që na dhuruan duke dalë nga kulla. Pastaj u ndalëm në kullën trekatëshe të Sali Manit, e vjetër mbi 200-vjeçare, kullë – muze dhe monument kulture, që ka vlera arkitektonike e historike. Këtu nga 31 dhjetori 1943 deri më 2 janar 1944 është mbajtur Konferenca historike e Bujanit, e cila nxori dokumentin e rëndësishëm historik, Rezolutën e Konferencës.
U ndalem gjatë, derisa filloi të errësohej në kullën trekatëshe prej guri të Heroit të Popullit Mic Sokoli, një shtëpi tradicionale shqiptare e tipit të ngujimit dhe luftimit. Kjo kullë, me vlera të rëndësishme historike e etnografike, është ndërtuar në shek. XVIII. Në të ka lindur Mic Sokoli (1839 – 1881), njëri ndër udhëheqësit e luftës gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i rënë në fshatin Slivovë, afër Ferizajt, më 22 prill 1881, në mbrojtje të Atdheut dhe në përballje me forcat turke.
Mesnata na gjeti në Hotel Margjeka, Valbonë e pas mëngjezit, shijuam bukurine e luginës së Valbonës, e cila me frymëzoi për këtë poezi…
Po pushoj sytë në horizont, shikimi gjithmonë përpara.
Pranë meje rrjedh ujë mali i pastër dhe i qetë
që shpërndahet si në transparencë të përsosur,
ndërsa gdhend shtigje të reja nëpër peizazhe të thyera,
duke i dhënë formë tokës
me rrjedhën e vazhdueshme në përvojën njerëzore.
Ku shoh pasqyrimin e malit në blunë e ujit
Qe më bën të ndihem e qetë dhe e gatshme
të përballoj sfidat që më paraqet jeta…
Jam aty ku malet prekin qiellin,
ku era më çon në parajsë,
ku qetësia zbulon fjalët
që kam humbur,
ku ngrihem e lartësohem mbi të gjithë
Si një zog në fluturim
Aty ku hëna ndriçon Valbonën,
ku bëj paqe me shtigjet e errëta që kam kaluar.
Ku mësoj si mundet një zog të vazhdojë të ëndërrojë
kur nuk mund të fluturojë…
Falenderoj nga zemra miken shpirtbukur Monda Hamitaj e bashkëshortin Bashkim Musabelli, për këtë udhëtim të paharruar në Valbonë, zemra mistike e legjendës dhe e poezisë, një luginë e gjatë me lumin, që gjarpëron në male të thepisura që dalin përreth, duke përfshirë më të lartën në të gjithë Alpet Dinarike, majen e Jezercës 2694 m. Në veri, Bjeshkët e Nemuna që shënojnë kufirin me Malin e Zi dhe në perëndim, kalimi i famshëm e mahnitës i ecjes nga Valbona në kalimin kufitar të Morinës në Kosovë. Monda Hamitaj ishte shumë e emocionuar, pasi për herën e parë shkelte tokën e Kosovës.
Fillimisht vizituam kullën e Jah Imerit në Junik, që është futur nën mbrojtje të përhershme që nga viti 2011. Ciceroni na shpiegon se kjo kullë ka tri kate:
-Katin e parë apo ahurin,
-Katin e dytë i cili ka tri dhoma, një dhomë të zjarrit e dy për fjetje, divanhanen dhe shkallët për në katin e tretë.
-Katin e tretë si dhomë e burrave (odë), ku ndodhen divanhanja, dyshekllëku dhe një dhomë fjetjeje.
Tashmë në këtë kullë është Biblioteka “Din Mehmeti” pajisur me libra artistikë e shkencorë, dhuruar nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës. Shkrimtarja Monda Hamitaj pyeti për librat për fëmijë dhe u ndjemë në faj, që nuk kishim sjellë asnjë nga librat tanë…
Kohën e kishim të kufizuar nďaj shoqëruesi ynë Zenel Krasniqi, na mundësoi pritjen në Kullën e Jasharajve në Prekazin legjendar të Adem Jasharit, ku na priti baca Rifat Jashari, vëllai i heroit Adem Jashari.
Pasi uruam për lindjen e nipit nga e mbjetuara Besarta Jashari, që në atë masakër ishte strukur nën sofrën ku nëna e saj gatuante bukë, mbuluar nga tavani e muret e rrënuara, vizituam Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ku përveç shtëpive të shndërruara në muze, gjenden edhe të gjitha varret e të rënëve në luftë – masakrën ndaj familjes Jashari. Besarta Jashari mban mend se kur u ndërpre bombardimi i shtëpisë, e ngulfatur nga tymi dhe pluhuri, ajo thërriste nënën.
Besarta nuk harron si nëpër gërmadha, duke qarë, i gjeti motrat e saj, Ninën 10 vjeçe, Fatimen 8 vjeçe dhe Blerinën 7 vjeçe. U mundua t’i zgjonte, derisa kuptoj se ishin të vdekuara.
Pastaj gjeti vëllezërit e saj, Selvetin 20 vjeçar, Safetin 17 vjeç, Besimin 14 vjeç dhe Blerimin 12 vjeç. Më në fund, ajo e pa nënën, Feriden, flokët e zeza të ndritshme, dhe zërin e ëmbël të së cilës, Besarta e mbante në zemër – të shtrirë, me gjymtyrë të shpërndara në skaje të ndryshme. Besarta do të kalonte natën dhe ditën tjetër, e vetmuar me familjen e saj të vdekur përreth saj, përderisa bombat e serbëve po hidheshin sërish, duke goditur ndërtesën e bardhë, me kulm të kuq, që dikur kishte qenë shtëpia e saj.
Besarta është e vetmja që i ka mbijetuar sulmit, i cili tani nuk mund të quhet asgjë tjetër, pos masakër e paramenduar dhe e kryer me gjakftohtësi.
Shtëpia në Prekaz, ka strehuar 22 anëtarë të familjeve të të dy vëllezërve, Hamzë Jashari, babai i Besartës dhe Adem Jashari, xhaxhai i saj, që u shndërrua në fortesë ndaj sulmit ushtarak pa paralajmërim mbi shtëpitë e tri familjeve; mbi burra, gra dhe fëmijë që po flinin në shtretërit e tyre në Prekazin e Drenicës, heroike e me të zëshme në historinë e re të Kosovës. Historia që pas 5 marsit të vitit l998, gjithandej ku frymojnë shqiptarët dhe kudo në botë, e njeh familjen Jasharaj që me vetësakrificën më sublime, i hapi rrugën lirisë së Kosovës.
Koha e kthimit drejt Shqipërisë po afronte dhe ne duhet të nxitonin të ktheheshim, por në afërsi të Klinës, Kosovë qëndruam për t’u shlodhur dhe ku miku dhe vëllai ynë z. Zenel Krasniqi na dhuroi secilit nga një varëse floriri me emblemën e shqiponjës Dardane dhe na shtroi një darkë të shijshme, ku dhe bisedat tona mes miqsh të mirë vazhduan gjatë.
Pas asaj darke tepër miqësore u nisëm drejt kufirit, ë ndan dy shtetet, mes Kosovës dhe Shqipërisë ku sërisht miku ynë fisnik na shoqëroi, derisa kaluam Qafë-Morinën. Më tej kënga dhe humori na shoqëroi për gjithë natën deri në të gdhirë.
Kjo ishte një nga udhëtimet tona më të bukura e miqësore mes miqve bujarë dhe me zemër të madhe, me shpresë se do takohemi sērish, në takime të tjera plot supriza edhe më të bukura.