Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: KTHIM

Pas kaq vitesh, dhe një herë

Kam dëshirë, dëshirë të vjetër

T’i kthej pas vitet e mia,

Mallit, shkruar në një letër…

…..

Këmbëzbathur shuruvinës

Poshtë përroit me rrapishte,

Të çaj shtegun mes dëllinjës

T’i shoh prapë ato shelgjishte.

 

Të vrapoj pikut të vapës

Të fus kokën te burimi,

Të më zgjojë krismë e sëpatës

Lart mbi bugjër, ndaj agimi.

 

Me një frymë bregut t’i ngjitem

Ku leh Murrua leshator,

Afër shtrungës të avitem

Të më trembë dashi milor.

 

Anës ledhit në një brinjë

Do t’a shkund qershinë belice

Do e gdhend dhe emrin tim

Te një trung i një gorrice.

 

Do zbres shpatit nën një hije

Si një gur me rrokullima,

Do mbledh shkarpa në korije

Të ndez zjarr me flakërima.

 

E dua prapë fëmijërinë,

T’a kthej pas, udhëve të plorit.

Si një foshnje që do gjinë,

Të më rrisë er’ e lakrorit.

 

Si diell ikur perëndim,

T’a kthej pas aq shumë e dua

Është stoli që shpirtin ndrin

Si varg vallëzash mollë e ftua.

 

Si varg misrash përmbi trarë

Ky thesar i jetës sime,

Aty fle të fundit varr

Përjetë mbetur në kujtime.

Please follow and like us: