Albspirit

Media/News/Publishing

Suljotët shqiptarë në Greqi: Mes kujtesës dhe harresës historike!

Enver Hoxhaj

Kur viziton Sulin, që shtrihet në male të larta e të izoluara në lindje të Pargës në Greqi, në një ditë korriku të 2024, udhëton prapa në kohë, shkon aty ku historikisht jetuan suljotët, një komunitet autonom shqiptar. Ishin të njohur për luftërat e tyre kundër osmanëve për të mbrojtur lirinë dhe autonominë e tyre, për më shumë se 300 vite.

Gjatë vizitës në këtë zonë krijova një ide rreth habitatit të tyre, që formësoi karakterin e tyre, ku ata kanë lindur, krijuan familje, mbrojtën identitetin e tyre dhe përcaktuan me vetëbesim të ardhmen e tyre!

Tani, në Sul mund të shihej një pjesë e kësaj të kaluare të lavdishme. E dikur nga ta varej e ardhmja e shqiptarëve të jugut, por edhe e ardhmja e grekëve të sotëm! Suljotët u bënë të njohur edhe për luftërat e tyre për rreth 15 vite kundër Ali Pashës. Por, edhe mbështetjen që i dhanë atij, kur ai ishte i vendosur për të krijuar një pashallak të pavarur shqiptar.

Para se gjithash, ata morën peshë të madhe politike për shkak të rolit në luftën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë. U bënë vendimtarë për kauzën greke, për një të pavarur, ku emrat e prijësve suljotë dhe heroizmi i luftëtarëve të tyre sot është thellë në themelet e këtij vendi.

Sot, krahina e Sulit është njësi administrative, një komunë veriperëndimore në Greqi, me qendrën e saj në qytetin Paramythia, pjesë e Bashkimit Evropian.

Dikur, fati i suljotëve varej shumë nga Evropa! Ata hynë befas në historinë evropiane, si një faktor i vogël por i rëndësishëm, duke mbajtur marrëdhënie me fuqitë e mëdha evropiane të kohës! Ata gëzuan mbështetjen e tyre në lojën gjeopolitike të Evropës për t’i dobësuar osmanët për aq kohë sa patën interesa francezët dhe britanikët për suljotët! Jo vetëm për ta, por edhe për Rusinë, ata ishin një instrument për të dobësuar osmanët.

Por, edhe kjo ishte edhe në interes të vetë suljotëve sepse nga evropianët ata merrnin mbështetje politike, financiare dhe logjistike. Të gjitha këto të domosdoshme për luftë dhe për një komunitet luftërash!

Duke u bërë pjesë e gjeopolitikës evropiane të kohës, për të dominuar mesdheun, suljotët i merrnin të gjitha furnizimet nga bregdeti, por edhe direkt nga Evropa! Franca dërgonte armë dhe municion, por ata e panë vetë se sa e pamëshirshme mund të jetë gjeopolitika e cila mund të ndryshojë si moti në malet e Sulit! Kur politika britanike u kthye në favor të osmanëve për të mobilizuar të gjitha forcat kundër francezëve, furnizimet u ndërprenë.

E kur sot vizitova krahinën e Sulit, që mban emrin e tyre dhe që shtrihet në male shumë të larta të izoluara në mes të Janinës dhe të Pargës, moti ishte i mirë dhe shumë vapë!

Për aq sa kam lexuar literaturë perëndimore për suljotët dhe kur shihet topografia historike në terren, natyrshëm shtrohet pyetja: Çka e përcakton një komunitet apo popull në kohë dhe hapësirë? A është historia, gjeografia, identiteti, religjioni, apo mënyra e jetesës!? Identiteti, vullneti dhe mënyra e jetës luftarake ka përcaktuar vendin dhe rolin e tyre për shekuj me radhë. Apo të gjithë këta faktorë determinues ishin vendimtarë, duke bërë që suljotët t’i japin kuptim kohës dhe hapësirës me mbijetesën e tyre.

Cila ishte forca lëvizëse e fuqizimit të tyre? Ku është fshehtësia e atij lloj pushteti dhe autoriteti që ushtronin ata? Suljotët u dalluan për një organizim të veçantë politik dhe shoqëror. E themeluan një lloj konfederate autonome, duke udhëhequr dhe dominuar në një numër të madh fshatrash fqinje në zonat e thella malore, diku rreth 60 fshatra! Duke mos iu nënshtruar dhe sfiduar vazhdimisht sundimit osman, në kulmin e fuqisë politike dhe shoqërore, në shekullin XVIII, Suli vlerësohet të kishte një madhësi demografike deri 12,000 banorë. Një ushtri rreth 2,000 ushtarësh që mbrojtën mevetësinë e krahinës malore!

Ata merreshin me blegtori, por mbi të gjithash, ishin luftëtarë si mënyrë jetese! Pjesa më e madhe e jetës dhe punës së tyre që nga fëmijëria ishin blegtoria dhe armët, por natyrisht kanë ushtruar edhe zanat tjetër.

Gjeografia e territorit të tyre është një terren i vështirë! Si e pashë sot, gjatë vizitës time në këtë zonë, ajo ka përcaktuar edhe karakterin e jetës dhe të luftës së tyre për të qenë të lirë! Por, kishte edhe një arsye tjetër. Ka të bëjë me kujtesën historike e cila shpesh është një faktor përcaktues, duke krijuar brenda një komunitet etnik si një ide se kush janë, nga vijnë dhe ku shkojnë në të ardhmën imagjinare. Kjo do të thotë se ka të bëjë me identitetin, i cili shkon thellë në histori.

Ka mendime që ata kanë qenë luftëtarë të dikurshëm të Skënderbeut, të cilët luftën e kanë parë si motiv për mbijetesë, e që e kanë bartur si frymëzim i dikurshëm kundër sundimit osman. Teoria më e afërt, sipas burimeve historike, është se në mes të shekujve XV dhe XVI, shqiptarët e krishterë që nuk mund të toleronin sundimin osman dhe që ishin të përndjekur, u vendosën në malet e Sulit, duke mbetur me armë në dorë për lirinë e tyre. Ata u mbrojtën gjatë nga përndjekja, por me një kosto shumë të lartë!

Në një kafeteri të fshatit historik të Sulit, ishin të varura disa fotografi që tregonin dramën e lirisë! Gratë suljote, për të shmangur robërinë, kishin krijuar të ashtuquajturën Vallja e Zallongut, ku bashkë me fëmijët e tyre, ngjiteshin mbi një shkëmb dhe kërcenin valle rrumbullake e këndonin dhe kështu hidheshin njëra pas tjetrës nga shkëmbi!

Kjo histori e tyre rrëqethëse, kishte ende monumentet e saj të lavdishme kudo në këtë krahinë të thellë dhe të izoluar malore. Kështjella e fortesa, kulla e shtëpi të vjetra, sheshe ku mblidheshin burrat, Kisha e mullinj, bunarët për ujë të pijshëm që mbusheshin nga reshjet e shiut, stalla për blegtori, kope delesh e deri te kopshtet në oborret e tyre!

Jetesa në thellësi malore e suljotëve, në histori dëshmohet nga madhësia e lartësia e drujnëve të gjatë të rrapit të vjetër disa shekullor. Ata shfaqen në grafikat e udhëtarëve evropianë në shekullin XIX! Ato, i pashl sot, duke vizituar një pjesë të territorit historik të suljotëve. Veçanërisht, kur vizitova qendrat më historike të tyre; fshatrat Suli dhe Samoniva, dhe kështjellat Kiafia, Kunghi dhe Avarikos! Në gjuhën angleze e pyetëm një banor se ku është Kiafia, ai na e tha shqip “Kështjella e Qafës”!

U ndalëm për kafe në ato pak taverna të tyre dhe pamë që në muret e tyre kishte fotografi të pikturave të ngjarjeve më simbolike, të luftëtarëve me pushkët e gjata, duke u nisur në betejë. Trimëria si vyrtyt i dikurshëm sot i jep kuptim një taverne të vogël me një fotografi të thjeshtë. Kudo që jemi ndalur, shihej e shpërfaqej krenaria suljote.

Kur u shfaqën vyrtytet e trimërisë, guximit dhe të lavdisë tek suljotët? Kur filluan ata të zënë vendin e tyre të veçantë në histori? Rreth viteve 1500-1600, suljotët shfaqen si komunitet luftëtarësh, por nga 1600 filloi konflikti mes tyre dhe osmanëve! Osmanët, fillimisht e pranuan autonominë e konfederatës së fiseve të tyre, por pastaj, vendosën t’i nënshtrojnë. Këtu filloi konflikti shekullor!

Kështu, lufta e parë e shënuar në burime historike në mes tyre dhe osmanëve është në vitin 1635! Rëndësia e saj është se nga ajo kohë osmanët ndërmorën disa ekspedita ushtarake, duke u përpjekur disa herë t’i pushtojnë territoret e konfederatës suljote, nga fillimi i shekullit XVI e deri në luftrat ballkanike, kur ndodhi largimi i dhunshëm i osmanëve nga Ballkani 1912-13!

Osmanët për një kohë të gjatë u përpoqën t’i vinin ata nën sundim, sepse nga perspektiva e tyre perandorake, Suli ishte një krahinë kryengritësish, që nuk i dorëzohej asnjë autoriteti! Mirëpo, ata dështuan disa herë për ta gjunjëzuar rajonin e panënshtruar! Ja një listë e shkurtë e dështimeve të tyre. Dështuan në vitin 1731, në vitin 1754, në vitin 1759, në vitin 1762, në vitin 1772 dhe një ekspeditë e Kurt Pashës dështoi në vitin 1775!

Suljotët arritën me sukses të mbijetonin nga luftërat me osmanët dhe nga ballafaqimi gjeopolitik në detin Jon në mes të evropianëve. Mirëpo, fati i tyre u përcaktua nga lindja e një politike të re rajonale që përmbysi baraspeshat: Shfaqja e Ali Pashës dhe e Pashallakut të Janinës.

Kur Ali Pasha u bë Pasha i Janinës në vitin 1788, ai mori vendim për t’i nënshtruar suljotët! Për Aliun, ata sfidonin autoritetin e tij, duke u bërë një pengesë serioze për të krijuar një shtet të centralizuar. Aliu u përpoq për 15 vjet të nënshtronte suljotët dhe për një kohë pa kurrfarë suksesi. Janë tri fushata të Ali Pashës kundër Sulit; e para në vitin 1789, e dyta në vitin 1792, dhe e treta në vitin 1803, e cila, gjithashtu, u përmbyll me kapitullimin e Sulit!

Gjatë fushatës së fundit suljotët u tërhoqën në kështjellat e Kiafës dhe Kunghit, nga ku luftuan betejën e fundit më 7 dhjetor 1803.

Kur isha brenda mureve dhe gërmadhave të kështjellave, mendoja se çka ndjenë ata që qëndruan pa ushqim dhe municione deri në fund, në mbrojtje të Sulit. Çfarë ndjenin ata suljotë që u mblodhën sëbashku dhe vendosën të fitonin ose të vdisnin në këto kështjella, para 221 vitesh! As burimet historike dhe as historianët modernë nuk çajnë kokën për emocionet njerëzore, edhe kur shkruajnë për dramat njerëzore! Ndoshta, edhe kështu duhet të jetë, nga ftohtësia e analizës.

Suli kapitulloi dhe Aliu u premtoi se do t’i linte të shkonin të lirë me gjithë pasurinë e tyre dhe madje edhe me armët, dhe pjesa më e madhe e tyre u nisën drejt bregdetit. A u vendosën shumica në Pargë, që ishte port britanik ose u nisën për në ishujt e Jonit, është vështirë të dihet. Rënia e Sulit ishte një dramë, nuk kishte kohë të mjaftueshme që sëbashku me familjet të braktiseshin sa më shpejt tokat e tyre stërgjyshore. Suljotët që me shekuj i mbijetuan pushtimin osman, më 16 dhjetor 1803, të ndarë në tri kolona, nën udhëheqjen e prijësve të tyre u nisën për në bregdet dhe drejt ishujve të Jonit.

Kapitullimi i Sulit më 12 dhjetor 1803 ishte rezultat i fuqizimit të Pashallakut të Janinës, e suljotët ishin viktimë gjeopolitike. Kur më së shumti kishin nevojë, ata nuk mundën më të merreshin me furnizimet nga bregdeti dhe Evropa. Evropianët më nuk i shihnin ata si një instrument gjeopolitik, sepse tani ishte Ali Pasha mekanizëm i ri gjeopolitik goditës kundër osmanëve.

Duke mbetur pa mbështetje politike nga jashtë dhe të lodhur nga vitet e gjata të luftës dhe rrethimit, uniteti i brendshëm i suljotëve u nda. Të përçarë nga brenda, disa familje më të mëdha dhe prijës më në zë në mesin e tyre, braktisën Sulin.

Çdoherë armiq të një shteti të centralizuar dhe duke sfiduar çdo autoritet osman me shekuj dhe me armë në dorë, në vitin 1820, suljotët u shfaqën duke bashkuar armët në mbështetje të Pashallakut të Janinës. Ishte kjo kohë kur kishin filluar lëvizjet për krijimin e shteteve të para kombëtare në Ballkan.

Ali Pasha pa mundësinë e tij për ta bërë një shtet të pavarur me qendër Janinën! Kur ai thirri suljotët për mbështetje, ata vendosën ta mbështesin armikun e tyre të mëparshëm. Planet e Aliut dështuan sepse osmanët pushtuan Janinën dhe ai u vra, koka e tij u dërgua në Stamboll, duke e varrosur edhe projektin e tij!

Për suljotët u paraqit një kauzë e re! Kur lufta greke për pavarësi mori mbështetjen më të madhe gjithë-evropiane, suljotët u bënë një forcë fort e rëndësishme për krijimin e shtetit grek! Që nga fillimi i luftës më 1821 deri në fund të saj, ata jo vetëm që mbështetën, por luftuan me heroizëm të veçantë! Familjet më të mëdha të Sulit dhe prijësitë suljotë më të famshëm si Marko Boçari dhe Kiço Xhavella, u bënë gjeneralë të shquar të Luftës së Pavarësisë! Ata u afruan, jo vetëm me udhëheqësit grekë të kësaj lufte, por bashkëpunuan ngushtë me vetë Lordin Bajron dhe me vullnetarë të tjerë evropianë.

Marko Boçari luajti një rol kyç në vitet 1822-1823, iu dha titulli Gjeneral i Greqisë Perëndimore nga qeveria revolucionare greke, por u vra më 1823 dhe u varros në Missolonghi me nderime të plota. Vdekja e tij ishte një motiv popullor në opinionin publik evropian për mbështetjen e grekëve për pavarësi.

Sot, ai është ndër heronjtë kombëtarë më të nderuar në Greqi. Gjatë vizitës pashë se në qendër të fshatit historik të Sulit, ishte përjetësuar në bronz Marko Boçari, së bashku me Foto Xhavellën dhe Murgun Samuel, bashkëluftëtarët e tij, personalitete të fuqishme suljote!

Mirëpo, Markoja shquhej nga çdo suljot para dhe pas tij, dhe nga bashkohanikët e tij! Ai shquhej për trimërinë, udhëheqjen strategjike dhe përkushtimin ndaj kauzave në të cilat besonte, duke u admiruar nga të gjithë për aftësitë e tij luftarake dhe përkushtimin për të luftuar për liri.

Intelektualisht ishte një profil i kohës së vet, në mesin e suljotëve. Në një moshë të re, kur familja e tij kishte braktisur Sulin dhe ai jetonte në Korfuz, shkroi një fjalor për të kuptuar dhe komunikuar në greqisht. Fjalori përfshinte 1701 fjalë greqisht dhe përkthimet e tyre përkatëse në shqip dhe sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Paris.

Në krahinën e Sulit, që mban ende emrin e tyre, mund t’i shihja ende gjurmët nga jeta dhe luftërat e tyre, sukseset, por edhe dështimet e tyre. M’u kujtua që gjatë studimeve në Vjenë kisha lexuar një studim për suljotët, ku përmendej dorëshkrimi i fjalorit të Mark Boçarit. Në fakt është fragment, një kontribut i vogël për gjuhën shqipe që është folur dhe ende flitet në Greqi!

Në Sul vetevetiu del një përfundim: historia nuk është çdoherë një progres linear, por janë disa ngjarje dhe fragmente jete që përcaktojnë ngritjen dhe rënien. Që luftërat bëjnë dhe ribëjnë popujt, ku veçanërisht edhe komunitet me shpirt luftarak dhe ku lufta është profesion, e paguajnë pikërisht me ekzistencën e tyre.

Kur je në këto male të larta, e ndjen në ajër lavdinë e dramën suljote dhe e prekë atë duke prekur kështjellat, kullat dhe lisat e mëdhenj e të vetmuar, më 2024 e ndjen edhe krenarinë e dikurshme të tyre!

—————

Autori është ish-ministër i Punëve e Jashtme dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Sot është Professor i Asocuar në Departmentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës

Please follow and like us: