Albspirit

Media/News/Publishing

Viron KONA: LARTËSIMI I BUKURISË SHPIRTËRORE

 

Mbi librin me tregime “Pranverë brenda vjeshtës” të Harallamb Fandit

 

Sapo e merr në duar këtë libër, në qendër të ballinës syri të bie mbi një vajze tërheqëse me bukuri të magjishme, e cila po vendos me duar një lule në flokët e saj të kafejtë, teksa ndodhet e zhytur mes gjelbërimit të lule oleandrove. Është një pikturë plot dritë dhe aromë deti, si ai i Vlorës, vepër e piktorit rus Juri Krotov, e zgjedhur nga autori i librit të  faqosur mjaft bukur, ku shquhet titulli  ”Pranverë brenda vjeshtës “. Libri është botuar nga SH.B.”JOZEF” dhe ka redaktor Ilirian Zhupën, ndërsa recensuesa V. Konën, T. Fllokone B. Kozelin. Kam rreth dy vjet që e mbaj këtë libër në tavolinën e punës, e lexoj herë pas here, i kthehem dhe i rikthehem dhe gjithnjë ndiej po atë fuqi tërheqëse, thuajse magnetike prej tij. Gjatë leximit më rrëmben bukuria e fjalës dhe e shprehjes si dhe sinqeriteti i ndjenjave, larmia  e subjekteve, figuracioni i pasur, muzikaliteti poetik, stili lakonik dhe ngjyrimet emocionale.

 Uvertura

“Për herë të parë e gjeta shtegun ku ëndërroja të krijoja, kur në rininë time u njoha me poetin Hiqmet Meçaj te “studioja papafingo, faustiane” e Aleksandër Babes. Poeti më lexoi poezinë e tij për agaven, e vetmja bimë shumëvjeçare që tërhiqte vështrimet tona në bregun e detit…”. Dhe në vazhdim të kësaj, Harallamb Fandi, që të afërmit dhe të njohurit e shumtë janë mësuar  ta quajnë shkurt Lame Fandi, shprehet krenar për shoqërinë me poetin e shquar vlonjat, Hiqmet Meçaj dhe mirënjohës për ndikimin që pati prej poezisë së tij “Agavja”, për mos-shkëputjen nga krijimtaria e vet letrare e artistike, krahas veprimtarisë farmaceutike. Unë po sjell këtu vetëm  disa nga vargjet e mrekullueshme të poezisë . Janë fjalët e fundit, që përmendin vdekjen, sepse Agavja që çel vetëm një lule, po të madhe e mahnitëse përpara largimit nga kjo botë, lë pas vetes një himn  lartësues  për flijimin në emër të jetës.

”Ç ‘vdekje  e bukur/të vdesësh si ti,/me frutat nga dielli,/nga njerëzit dhe deti,/Agavi! /Agavi”!

Një uverturë në hyrje të librit  “Pranverë brenda vjeshtës” kjo,  që nis me prozën poetike “Deti” dhe vijon me tregimet: “Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat”, ”Adresa – triptik me tregime ngjarjesh paralele”, “Djaloshi i piramidave”, “Lojë e çakërdisur”, ”Do të doja të lija një kujtim të bukur, Gjergj”, “Ky është një tregim i vogël”, ”Biçikleta”, ”Suita e një udhëtimi të largët”, ”Ishim të rinj”, ”Humoresque”, “Pranverë brenda vjeshtës”, “Akuareli, kënga e lejlekut dhe…”, gjithashtu dhe  përkthimin me titull ”I vogli tashmë i rritur tregon”. Teksa jam duke shkruar, nuk më ndahet nga mendja vlerësimi që poeti i mirënjohur Ilirian Zhupa, që anash ballinës ka shkruar: “Nga mahnitja prej ‘Deti’t e deri te rrëfimi i fundit i ‘djalit të tramvajit’, në udhëtimin letrar te ky libër, gjendesh mes një ajri lehtësues dhe një fisnikërie çehoviane…”.

Deti

Lexoj prozën poetike “Deti”, botimi i parë  i Lame Fandit në Almanakun Letrar” të shkrimtarëve të Vlorës, në kohën kur ai ishte ende nxënës në gjimnaz. E kundroj detin si përpara një akuareli, madje si vlonjat i lindur dhe i rritur buzë detie përfytyroj veten zhytur brenda kaltërsisë së tij, teksa ndiej lëvizjet e  krahëve, këmbëve dhe tërë trupit duke çarë dallgët dhe duke ia ndjerë freskinë dhe shkumën e bardhë. Ndërkaq, proza poetike  e Lame Fandit vijon me ritmin e saj kumbues: “I kaltër, i qartë e i shkëlqyer, bojë plumbi, i turbullt e plot shkumë, i qetë e i furishëm, si vet jeta është deti…”.

Si vet jeta, po, i tillë është vërtet deti! S’ka bregdetas që nuk ka shkruar apo rrëfyer diçka për detin, madje s’kaqytetar bote,që nuk merr frymë më thellë kur sheh detin, jo vetëm se ai përbën mbi 71 për qind të rruzullit tokësor, por sepse është pjesë e pandashme e “shtëpisë sonë të njerëzimit”. Ata që e kanë parë tokën nga hapësira, e kanë quajtur “planeti i kaltër” dhe, këtë kaltërsi ia jep në radhë të parë deti, deti i bukurive pa mbarim, deti i dashurisë e i qetësisë shpirtërore, po dhe i tallazeve, stuhive, dallgëve, dramave e tragjedive, deti i jetës, ashtu siç është në kompleksitetin e saj që nga krijimi i botës. Duket qartë që në fjalët e para të kësaj proze poetike që Lame Fandi e di më së miri se çdo të thotë det, di dhe t’i thuri himne e  ta përshkruajë atë me fjalë të mençura, por di edhe ta ledhatojë me ndjenjat e zemrës  dhe të shpirtit të tij të bukur… Ne vlonjatët mburremi shpesh me Vlorën, edhe sepse ajo laget nga dy dete, Adriatiku dhe Joni, të dy me legjenda të lashta sa vet jeta mbi tokë. Me krijimtarinë e tij, Lame Fandi bën të na lindin ëndrra dhe përfytyrime hapësirash pa mbarim, në të cilat ndihemi më të freskët e më të fuqishëm.G jithçkaje që kap në përfytyrimedhe e përpunon me imagjinatë Lame Fandi i merr vlerë, bukuri dhe kuptim të thellë, duke përcjellë tek ne mesazhe të vyera…

Mozaik ngjyrash, llojshmëri temash, tipa dhe karaktere

Tregimet e Lame Fandit na vënë në mendime, gjithnjë lehtësuese për shpirtin. Përpos vlerave dhe mesazheve ato shpesh na kujtojnë edhe ne, si lexues, episode dhe ngjarje që na kanë ndodhur, duke na nxitur fantazinë e, si pa kuptuar qëllon të marrim lapsin  e të nisim të shkruajmë për gjithçka qëna ka bërë apo na bën përshtypje të thellë. Në vëllimin me tregime që kemi në duar, lexuesi do të njihet me një mozaik figurash e ngjyrash, me llojshmëri temash, kujtimesh, mbresash, emocionesh, me tipa dhe karaktere njerëzish të thjeshtë, të fushës së mjekësisë, me emra mësuesish të nderuar dhe të respektuar, me emra krijuesish, që Lame Fandi di t’i portretizojë artistikisht me ngjyra të ndezura dhe origjinale, teksa dialogët dhe episodet, që i shoqërojnë janë plotësisht të besueshëm. Në çdo rast, si në formë dhe në përmbajtje ato karakterizohen nga sinqeriteti dhe origjinaliteti. Gjithçka e shkruar nga Lame Fandi mbart e përcjell tipare  të shpirtit dhe të karakterit të tij si pjesë të pandashme të vet jetës, që ai, me frymëzim e ndjeshmëri të rrallë, me humanizëm dhe me kulturë të pashoqe, na i ofron thjesht e pa bujë.

Kujdesi për recetat, kujdesi për jetën!

Tregimi “Adresa – triptik me tregime ngjarjesh paralele” na krijon së pari një vizion të gjerë dhe të plotë të rëndësisë së profesionit të farmacistit, i cili në detyrë duhet të jetë mëse i vëmendshëm, por veçanërisht kompetent, i përgatitur profesionalisht deri në detaje, sepse një gabim i tij  qoftë dhe fare i vogël, ndonjëherë  merr jetë njeriu. Episodet apo subjektet e këtij triptiku na e mundësojnë plotësisht këtë njohje rreziqesh, po dhe na vënë në mendime që të mos ngutemi, të thellohemi dhe të jemi me këmbë në tokë sa herë që ndihet nevoja jonë për medikamente. Ato i jep mjeku duke i shkruar në  recetë, farmacisti, pasi sigurohet për saktësinë e shkruarjes, i përgatit me kujdesin  e duhur profesional. Lame Fandi, pikërisht për njohuritë dhe përvojën e pasur të tij në farmacitë e qytetit të Vlorës dhe sidomos në Shkollën e Mesme Mjekësore, u zgjodh drejtues i farmacisë së spitalit. Ngjarjet dhe të papriturat që pasqyron në tregimet e tij nga puna shumëvjeçare në dobi të shëndetit të njeriut, janë jo vetëm tërheqëse dhe emocionuese. Ato u shërbejnë gjithë lexuesve për rritjen e vëmendjes në përdorimin e barnave. Shumë nxënës  të tij edhe pse kanë kaluar disa dekada, i kujtojnë me hollësi detajet e tregimeve me të cilat ai e lidhte farmakologjinë me artin e letërsinë, gjë që i bënte jo vetëm të aftë, por dhe të ndjeshëm e humanë.

Befasi dhe emocione, që të kujtojnë mjeshtrit e mëdhenj të tregimit

Kur je duke lexuar librin e Lames duket sikur ai na  merr për dore dhe na tregon bukuritë e kopshteve letrare të mendjeve më të ndritura të prozës së shkurtër, për të na zhytur në jetën e njerëzve, jetën plot situata të llojllojshme, me ndjenja delikate dhe befasi të këndshme, që kanë shpesh përfundime surprizuese dhe na emocionojnë thellë, si tek O` Henri dhe Çehovi. Ja një fragment nga tregimi “Triptik:

“…ai e hapi derën me duart që i dridheshin dhe e para që i zuri syri ishte fytyra e vrarë, krejt e përlotur e djalit. “Nga nxitimi, duke vrapuar, unë u rrëzova dhe shishja… mu thye, – i tha ai”. (Farmacistit që i kishte dhënë  shishen me barin e gabuar).

Qëlloi që, kur ra zilja e shkollës, unë mbarova së treguari, po nxënësit nuk po lëviznin nga bangat për t`u ngritur. Mjaft prej tyre kishin huazuar prej djalit të tregimit disa pika lotësh, që u ndrinin në sy. Ja, këtë bëri letërsia. Kurse mua në një çast të tillë, s’më mbetej të thoja gjë tjetër, veç fjalëve: “Për gabimet në receta do të flasim përsëri. Tani dilni se po ju pret deti”!

Bukuri e thjeshtësi

Tregimet e Lame Fandit janë të shkruara në mënyrë lakonike, të shprehura me pak fjalë dhe saktë, me një gjuhë të thjeshtë dhe të shkathët, me ndjenjë, emocion dhe me figuracion tërheqës, ndërsa për mesazhet mund të them se janë mësimdhënëse, sidomos për lexuesin e vëmendshëm. Mjeshtëria si tregimtar te Lame Fandi shfaqet mrekullisht edhe te ”Ky është një tregim i vogël”, të cilin lexuesi mund ta ketë njohur dhe nga botimi tij në faqen e parë të gazetës “Telegraf”, të datës 09. 08. 2024. Mbaj mend që e urova Lamen nëpërmjet një mesazhi sapo e dëgjova lajmin e botimit të atij tregimi, i cili për mua ishte i njohur që në dorëshkrim. Sigurisht që Lamja u gëzua shumë, gëzim të cilin e shprehu me fjalë falënderuese. Kur je larg, në emigrim, botimet në mediat e atdheut krijojnë ndjenja dhe emocione  të veçanta. Tregimi ka motiv e mendime thellësisht pro perëndimore, të cilat Lamja i ka pasur gjithmonë e shfaqur me kujdes mes shokëve edhe në kohët e sistemit të kaluar. Madje ai i shprehte ato herë-herë ose në dramat e tij apo në tregimet e shkruara me “gjuhën” e Ezopit. Kurse te ky tregim. duket se ai ia kalon edhe vetvetes, si me përmbajtjen e subjektit ashtu dhe me mesazhin e fuqishëm, por dhe me stilin e rrëfimit, ku befasia e ngjarjes të shkakton një tronditje deri nëdrithërimë: “U përqafuam me lot në sy dhe u duk se lotët s`po na linin të flisnim… Pas kësaj italiani u nis. Bëri vetëm dy-tre hapa drejt anijes, pastaj ndaloi, u kthye, mori frymë dhe me buzët gjithë dhimbje, si të ishte gati të nxirrte psherëtimën për shprehjen e tij të zakonshme, tha: “Prima: poverinoi! Adesso – poverivoi”! (Më parë: Të shkretët ne! Tani:  të shkretët ju”!).

Me pak fjalë, autori sjell shumë mesazhe, që i përcjell nëpërmjet mendimeve dhe dialogëve plot jetë të tregimit si dhe, kur duhet, me bukurinë tronditëse të heshtjes, që Lame Fandi e nderon në mënyrë të thellë, veçanërisht tek tregimi më shumë se poetik ”Djaloshi i piramidave”, i cili për mendimin tim, përbën një risi në gjininë e tregimit.

Një mësues ndihet i shpërblyer kur nxënësi i tij del me sukses në jetë

Tregimin ”Humoresque”, që ka një të vërtetë jetësore nga jeta e violonçelistit  më të famshëm të shekullit XX, M. Rostropoviç, Lame Fandi ua kushton mësuesve të tij të letërsisë K. Suli, M. Shuka, M. Duni e P. Xhiku. Në hyrje, tregimi shfaq një tufë fëmijësh adoleshentë, nxënës shkollash që dëshirojnë t’i bëjnë një dhuratë mësuesit të tyre me rastin e ditëlindjes. Në vazhdim situata ndryshon kur njëri prej tyre, heroi i tregimit, mendon t’i kushtojë mësuesit një krijim befasues muzikor në violonçel, për t’i bërë dhuratën më të bukur që një mësues pret prej nxënësit të tij. Kjo dhuratë e papritur, me vështirësi teknike, që e bënin të pabesueshëm suksesin e interpretimit nga një nxënës ende i padiplomuar, është sa e vërtetë, aq dhe e jashtëzakonshme. Ajo mund të shihet e të dëgjohet nga cilido edhe në “Youtube”, ku ish nxënësi i kthyer në profesor të vjetër, luan me shpejtësi të pabesueshme, si djalë i ri. Nuk duhen dhe nuk thuhen shumë  fjalë për të treguar që dhurata ishte shpërblimi më i mirë i një nxënësi për mundin e  profesorit për aftësimin dhe përgatitjen e tij.

“Profesori dukej se nuk e kishte të lehtë të fliste. Vetëm pasi fshiu me shami sytë e lagur nga lotët, tha: Ja, kjo ishte”!

Asnjë nga ne s’kishte nevojë për shpjegim. Të gjithë e dinim se çdo të thoshte profesori me ato fjalë dhe, si në një orkestër, shokët ngritën njëherësh krahët me harqet e violonçelave në duar duke bërtitur nga gëzimi si kurrë ndonjëherë…”.

Te tregimi “Lojë e çakërdisur” autori na sjell në përfytyrim lojërat që fëmijët bëjnë pareshtur gjithë qejf e fantazi në fushat e improvizuara të lagjeve, të shkollave e kudo ku u jepet rasti. Tregimi, për të cilin gazeta “Drita “ e  nderoi Lame Fandin me Çmim Vjetor, autori e ktheu edhe në dramë, e cila u vu me sukses në skenën e Teatrit “Petro Marko”, është i një natyre thellësisht psikologjike. Loja e pamenduar, po e pa tëkeq e fëmijëve, krijoi një atmosferë të rëndë në shkollë, në lagje dhe në familjet e fëmijëve – personazhe të tregimit, por veçanërisht ajo preku shumë në shpirt e në zemër nënë Uraninë, të cilës nazistët i kishin vrarë djalin gjatë Luftës. Kur e kuptuan efektin negativ të saj, ata qortuan ashpër veten për imazhin e rëndë që krijuan në dëm të asaj nëne të mirë dhe humane, e cila, në kohë paqeje konsideronte luftë punën dhe kujdesin për të mbrojtur jetën nga sëmundjet, duke i nxitur fëmijët drejt veprimeve të mira e të vlefshme… Në këtë rrëfim, Lame Fandi tundohet edhe nga profesioni i tij i farmacistit, sidomos kur përmend fjalët e Uranisë, e cila u thotë të vegjëlve: “Eukaliptet po mbillen gjithandej, se ka vite që qyteti ynë është zaptuar nga malaria. Përhapëset e saj, mushkonjat, gjejnë  ngordhjen në gjethet e tyre”.

Nuk mund të vonoj për të thënë që te ky libër Lame Fandi i ka kushtuar një tregimemocionues Astrit Xhaferrit, shokut të tij, lulishtarit-shkrimtar me talent të rrallë. Jeta e Astritit është shumë më tepër se kaq. Drama e kaluar prej tij burgjeve të diktaturës për ”agjitacion e propagandë”, të gjithëve që e dëgjojnë, shqiptarë dhe të huaj, u duket e jashtëzakonshme. Kush do ta besonte se Astrit Xhaferi do ta pësonte  ngaqë ishte shprehur pa të keq se “trëndafilat holandezë janë më të bukur nga këta tanët”? Tetë vjet burg për lulet, që ai i donte si rrallëkush, i spiunuar dhe i akuzuar nga ata që punonin me të dhe për absurditete të kota… për trëndafila.

Falë Lame Fandit, sot unë kam të hapur mbi tavolinë tregimin-trëndafil “Biçikleta”, që është si “qershia mbi tortë” e librit. Autori e mësoi ngjarjen e vërtetë jo nga Astriti, i cili është mishërim modestie të rrallë i njeriut me botë të madhe, tregimet e të cilit unë i lexoj dhe i rilexoj me qejf të madh. I vëmendshmi Lame, siç ka shpirtin e tij, përzgjodhi nga bisedat dhe rrëfimet e shokëve për njëri-tjetrin, ato që zbulojnë shpirtin e të mrekullueshmit Astrit Xhaferri. Dhe, ashtu si do të përzgjidhte dikush tjetër lulet më të bukura të një kopshti për t’i bërë tufë që  t’ia dhuronte heroit, Lamja si shkrimtar nuk mund të mos i kushtonte tregimin më mbresëlënës të librit. E sjell gjithnjë në përfytyrim Astritin, të cilin herë–herë edhe e takoj te shtëpia botuese “Emal”, ku ne botojmë të dy. Para disa ditësh ai më mori në telefon si shumë herë të tjera.

– Si je, – më tha, – kujtova se kisha humbur numrin e celularit tënd dhe do të shkoja me vrap në Skelë tek yt vëlla që ta merrja…

– E kam numrin, me emër dhe mbiemër, madje pas mbiemrit kam shënuar “nga Vlora”, – i thashë me të qeshur. – E si të të harroj unë ty! Jo vetëm se Lame Fandi ka shkruar me aq shumë dashuri për sakrificën tënde sublime për lulet, por edhe se unë besoj që po të jetoje në kohën e botanistit të madh botëror, suedezit Karl Linneu, ai do të thërriste te kopshti i tij botanik në Universitetin e Upsalës  dhe s’do të të lëshonte kurrë! “Miq për kokë”, do të ishit sepse edhe ti Astrit i do bimët dhe lulet me gjithë fuqinë e zemrës dhe të shpirtit, ashtu siç i donte dikur Linneu i madh. Te zemra dhe te shpirti yt, gjithkush gjen vetëm dashuri dhe lule…

Shërues të trupit dhe të shpirtit njerëzor

Janë të shumtë shkrimtarët që profesion të parë kanë pasur mjekësinë. Profesioni i tyre nuk i ka penguar ata që të shkruajnë letërsi të shkëlqyer, siç është rasti i Anton Çehovit, dramaturgut dhe tregimtarit të madh rus, i cili duke qenë me profesion mjek, shprehej se “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, kurse “Letërsia është e dashura ime”. Lexuesve besoj se u kanë dhënë mësime të çmuara për jetën, edhe leximi i librit të Hugo Glaser “Vetëmohim në mjekësi”, ku tregohet për shumë mjekë heronj, që kryenin deri dhe eksperimente mbi trupat e tyre për të zbuluar mjekimet kundër sëmundjeve, dikur të pashërueshme dhe që bënin kërdinë. Mësime të vyera ka marrë gjithkush që ka lexuar librin e Ted Allan-it, “Mjeku i tre kontinenteve”, romanin “Çitadela” të shkrimtarit anglez Arçibald Kronin, romanin ”Etër dhe bij” të Ivan Turgenievit, etj. Mjek i shquar ka qenë edhe Avicena (Ibn Sina), i cili konsiderohet “babai i mjekësisë moderne”, por që mbetet një emër i madhërishëm me proverbat  dhe thëniet e tij filozofike. Ai thoshte: ”Një mjek injorant, është ndihmës i vdekjes”! Mjek ka qenë edhe Zhul Verni, romancieri fantastik më i shquar i të gjitha kohërave. Madje, edhe O.Henri, i cili ka shkruar rreth 1400 tregime të shkurtra, që të befasojnë me fundin e papritur, ka punuar disa kohë si farmacist. Në krijimtarinë e tij, ka plot tregime me tema nga mjekësia, që të mbeten në mendje dhe të japin mësime të vyera për jetën. Por, jo pak kemi mësuar edhe nga shkrimtarë shqiptarë, si Dhimitër Xhuvani (i cili kishte mbaruar edhe shkollë mjekësore) apo  nga mjekët shkrimtarë dhe gazetarë Flamur Topi, Zisa Cikuli e të tjerë, që kanë shkruar vepra me vlera, sa letrare, aq dhe kulturore dhe edukative. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për farmacistin e mikun e qindra njerëzve Lame Fandi. Në vazhdim të kësaj ideje, si për të treguar ndjeshmërinë dhe dashurinë për librat si dhe vlerësimin që i bënte pasurisë së tyre të çmuar, ai ka shkruar tregimin e magjishëm “Do të doja të lija një kujtim të bukur, Gjergj…”, ku personazhi kryesor i tregimit ‘gjykon’ ashpër veten për një premtim të pambajtur dhe që ka të bëjë  me… librat…

Si u bëra mik me Lame Fandin?

S’jam shumë i sigurt që kjo pjesë do t’i vlejë lexuesit, por desha që ta përcjell “pa humbje” sinqeritetin, mirësinë dhe dashurinë e përftuar nga ky libër. Si shumë lexues, kam pasur dhe unë  fatin t’i njoh nga afër disa nga emrat e mësuesve, që Lamja i përmend apo u kushton tregime të veçanta në këtë vëllim, si: H. Meçaj, A. Babe, M. Shuka, K. Suli, M. Duni, P. Xhiku, A. Meçaj (mësuesi im kujdestar në klasën e parë të gjimnazit), po dhe tregimtarin brilant të luleve A. Xhaferri që, ashtu si A. Meçajn nuk e lanë të ushtrojnë profesionin e tyre fisnik të mësuesit… Disa nga më të vjetrit  i kam njohur dhe vet, po më shumë për ta më kanë folur me admirim vëllezërit e mi më të mëdhenj: Arqilea, që ishte përgjegjës në rrobaqepësinë e Vlorës, ku punonte Kristaq Suli kur e hoqën padrejtësisht nga arsimi, teksa e gjithë Vlora thoshte për të se “është shumë i ditur, ka kulturë enciklopedike, njeh disa gjuhë të huaja, është përkthyes e autor tekstesh mësimore etj.”, kurse për Milto Shukën më fliste vëllai tjetër, Llambi, inxhinier mekanik i njohur aso kohe nga thuajse të gjithë montatorët e Republikës, pasi ai kishte punuar në montimin e të gjitha veprave më të mëdha industriale. Ai thoshte: “Milto Shuka është nga njerëzit me shumë kulturë në Vlorë, madje me kulturë të gjithanshme, jo vetëm për letërsinë dhe librat, por edhe për muzikën operistike, shkencën, teatrin, pikturën…”. Opinionin e tim vëllai, Llambit, unë e vlerësoja shumë sepse ai, krahas pasionit për inxhinierinë, që e kishte profesion, kishte dhe pasione të veçanta për muzikën klasike operistike. Ai këndonte pjesë të zgjedhura nga thuajse të gjitha operat e Verdit, Belinit, Puçinit, Rosinit, Donicetit, por dhe pjesë nga Bethoveni dhe Moxarti. Kudo ku shkonte me shërbim, sapo merrte dhomën në hotel ai do të vendoste mbi kokën e krevatit një fotografi të Bethovenit, ndërsa, kur ishte në Tiranë,mbante përherë me vete programin e shfaqjeve  të operave… Ëndrrae tij ishte të shkonte qoftë edhe një herë të vetme në Milano te “La Skala” atje  ku Xhuzepe Verdi kishte vënë në skenë shumicën e operave të tij… Por im vëlla kishte edhe shumë humor, ai e kishte lexuar Shvejkun me dhjetëra herë dhe mbante mend deri në detaje dialogët e atij personazhi botëror. Si rrjedhojë, ëndrra e tij ishte që të shkonte në Çeki, të bënte një vizitë dhe të pinte një birrë te pijetorja “Te Gota”, atje ku pinte birrë dhe Shvejku. Dhe, siç thotë fjala e popullit “Kush kërkon gjen”. Dhe lexuesi i pasionuar, Llambi Kona ia arriti të shkonte edhe në “La Skala” të Milanos, edhe te pijetorja “Te Gota” në Çeki…

Përpos këtyre, që të dy vëllezërit e mi, kur përmendnin emrin e Lame Fandit, flisnin për të me aq shumë pasion, saqë më befasonin. Ata më thoshin se Lamja, jo vetëm që është farmacist i zoti dhe i dashur nga gjithë vlonjatët, po dhe idhull i nxënësve të “mjekësores”, të ardhur nga gjithë Shqipëria. Ai ka  gjithashtu “Mirënjohjen për themelimin dhe konsolidimin e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë”, ka shkruar dhe botuar librin: “Si të përdoren barnat në shtëpi”, i pari i këtij lloji në vendin tonë, si dhe ka qenë kryeredaktor i revistës “Farmacisti”, por ai që në moshë të re është shquar ka shkruar tregime dhe drama të vëna me sukses në teatrot më të mira të vendit, teksa artikujt e tij në gazetën “Drita” dhe  revistën “Nëntori” kanë qenë tepër të vlerësuara.

Shkurt, më thoshin vëllezërit e mi të mirë, Lame Fandi është nga njerëzit më të kulturuar të Vlorës, njeri i edukuar, modest dhe me botë të madhe humane. Të dy ata  dukeshin si të ishin në garë se kush të fliste sa më mirë për Lame Fandin. I nisur dhe nga rekomandimi i vëllezërve të mi, e ftova vite më parë Lamen për një kafe tek “Turizmi” i Skelës dhe aq u desh. Njohja na shndërroi shpejt në miq, ku momentet më të bukura mes nesh ishin diskutimet për letërsinë dhe artin, të cilat vazhdojnë edhe sot e, sigurisht, do të vazhdojnë në këtë miqësi të përhershme…

Disa vlerësime të tjera për tregimet e Lame Fandit

Në ballinë të librit, dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli, i referohet shkrimtarit tjetër vlonjat F. M., i cili, pasi ka lexuar tregimin “Akuareli…” e ka shprehur bukur kënaqësinëpër një nga tregimet me të veçanta të tij, thjesht e vetëm me një fjalë: ”Akuarel”. – Unë, – vijon Kozeli,- po shtoj se jo vetëm një tregim, por i gjithë libri, me kthjelltësinë dhe brishtësinë e tij është i tëri i akuareltë”. Saktë dhe pastër, apo jo! Vërtet, Lame Fandi di ta shprehë me një vizion origjinal stilin dhe bukurinë e rrëfimeve të tij. Në ballinë të librit, edhe unë kam një shënim që, teksa e lexoj dhe e rilexoj si ta përpij vëllimin, shoh me kënaqësi shënimin që kam shprehur sapo kam lexuar librin për herë të parë: ”Të gjithë ne, që e lexuam për recensim këtë libër, ishim pothuaj të të njëjtit mendim: libri mbart me pastërti e dashuri përvojën e çmuar të mjeshtërve të mëdhenj të tregimit, sidomos të Çehovit e O`Henrit”. Madje do të shtoja edhe se Lame Fandi ka një origjinalitet tepër të veçantë, që “vulos” stilin dhe mjeshtërinë e tij të rrëfimit: në çdo faqe të këtij libri, lexuesi përjeton kënaqësisht freskinë, ritmin, ngjyrimet, fuqinë përshkruese dhe befasinë, që mbajnë emrin e Lame Fandit. Kjo ka rëndësi të veçantë tek një tregimtar, sepse lexuesi ka nevojë gjithnjë për zëra ndryshe, zëra befasues, zëra origjinalë… Nisur dhe nga këto vlerësime, dëshiroj të përforcoj edhe një herë mendimin që shfaq për këtë libër artisti i skenës dhe i teatrit shqiptar, poeti Timo Flloko, kur shkruan: “Ky libër do të jetë padyshim një sukses, madje do të krijojë befasi te lexuesit”.

E në vazhdim të konsideratave, prof. Mina Naqo, shkruan për “Akuarelin”: ”Lexojeni këtë mrekulli me lejlekët. Jam përlotur kur u gjenda mes saj, po shpejt u ndjeva i zhytur në një dritë lehtësuese e optimizmi të paprovuar”. Prof. Vasillaq Kedhi, gjithashtu shkruan: ”Pena e Lame Fandit të sjell me elegancë te mendimi se bukuria dhe fisnikëria njerëzore lind, rritet dhe shfaqet atje ku ndërgjegjja ndërvepron  me dëlirësinë e njeriut”. I urti dhe i kulturuari Shpëtim Mezini shkruan: ”Krijimet e Lame Fandit janë modele të shijes së hollë dhe përkujdesjes për të mirën që mban brenda saj bukurinë dhe mençurinë”. Kurse artisti i fotografisë Vasil Qesari, ka sjellë si ngulitje në letrën fotografike këtë portretizim të rrallë: ”Elegant në shkrim, simfonik në ndjenja, artist në këndvështrim,  plot bukuri në shprehje e i thellë në mendime. Ky është Lame Fandi në tregimet e  tij”.

 

 

Please follow and like us: