Ndue Ukaj: Altari i dashurisë
Po erret dhe terri si ushtri e tmerrshme pushton çdo gjë.
E shikoj botën e kërrusur,
që lëviz si një plak i drobitur dhe flet për kohë të tretura.
Rrugët janë zbrazëti,
një qetësi ulëritëse ka mbështjellë tokën.
Viruset përshkojnë qiellin si korba,
shpërfillin ligje shtetërore dhe forcat e serta ushtarake.
Kjo kurrsesi s’mund të jetë errësira e tunelit të Sabatos,
as kujë burrash.
Është një koll i tmerrshëm
që ka mbushë çdo skutë me pikëllim.
Po erret. Zbrazëtia e universit është futë në zemrën time.
Por unë s’do të ndalem.
Më duhet të mbërrij tek altari hirplotë,
të ndez një qiri të vogël, një qiri i vogël e mund terrin e madh,
në emër të dashurisë që duhet të shumëzohet,
si buka dhe peshqit në rrëfimet biblike.
Retë e zhurmshme përshkojnë qiellin
dhe flasin për stinën e mërzitshme.
Ti e ndrojtur matanë hijes shikon lajmet dhe thua: bota po armatoset.
Unë shikoj sytë e tu, të tregoj se jam çarmatosë
dhe shëtis me retë e mia në universin e gjuhës.
Aty ku vjel fjalë, si vreshtari hardhinë.
Shtrydh rrush për verën time, që do ta pi stinëve,
kur të shkruaj poema ose të lexoj kronika të marra politike.
Kur shkrova librin “Gjithmonë diçka mungon”
vërtet besoja se gjithmonë diçka mungon:
muzeu i dashurisë dhe i vuajtjeve, por i turpit është gjithkund,
edhe atëherë kur je pranë detit e duket se qielli është hapë vetëm për ty.
Ti je e vetëdijshme se gjërat ndryshojnë.
Bie shi dhe aroma e mykut prish harmoninë e gjërave.
Në bibliotekën tënde ka libra pafund,
kronika të vjetra për fate njerëzore.
Të dremitur pimë kafe
dhe kundrojmë retë që përshkojnë qiellin tash miliona vjet.
Retë e bardha humbasin në thellësinë e qiellit,
në atë pikë ku molekulat e shpirtit janë më shumë se krejt universi.
Në atë pikë jam çarmatos.
Shikoj përtej murit të fillimit, te koha zero e jetës në tokë
dhe pyes: kush qe i pari që braktisi altarin e dashurisë?
Përgjigje s’gjej.
Bota kokëforte tund kryet dhe thotë se përgjigje s’ka.
Në vend të tyre ka bredhje mes dilemash pafund.
Unë vazhdoj t’i shkruaj poemat e shpirtit për nostalgjinë,
atë dhimbjen që të shpon si shigjetë zjarri,
atë dhimbje që të shpon përditë,
në mëngjes kur dielli të përqafon,
në mbrëmje kur terri të pushton.
Atë dhimbjen që bie në altarin tënd,
si buqeta me lule nga duart e nuses pas kurorëzimit në kishë.
Unë kam nis një rrugëtim të ri poetik
dhe s’lutem në të premten e madhe,
pres kambanat e së dieles, të këndoj “Haleluja”.
Në fund të këtij udhëtimi të dremitur
dua t’i ngij mushkëritë me ajër të pastër.
Përse ka diçka në vend të hiçit?
Marramendje filozofike.
Marramendje poetike.
Marramendje politike.
Përpara meje hapen hartat e një atlasi që e tundin duart e frikshme.
Bota ka nevojë për një psalm të ri që shpërndan dashuri.