Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Plaku me thinja…

Sapo kalova rrugicën e ngushtë të lagjes ku banoja. Tek një stol ngjitur me një pemë të lartë, vura re një burrë plak të thinjur, me duar të rreshkura, por me buzëqeshje drite. E përshëndeta, edhe ai më përshëndeti dhe më ftoi të ulesha pak çaste pranë tij. Shpirtin e kisha të trazuar, por ftesa e plakut të thinjur më grishi. U afrova dhe iu ula pranë. Më vështronte me vëmendje, por brenda atij shikimi ndjeja paqe, ndjeja qetësi, atë që më kishte humbur. Foli lehtë, me zë të mëndafshtë.

– Dukesh e lodhur bijë.

– Vërtet, jam pak.

– Që ta kesh të lehtë të buzëqeshësh, largo gjithçka që të lodh. Punon shumë dhe mendon shumë!

– E di!

– Puna ka hakun e vet moj bijë, por mendimet nuk janë si puna!

E vështrova me vëmendje. Ku donte të dilte me ato fjalë? Por heshta, e lashë të vazhdonte. Më pëlqente ta dëgjoja, më pëlqente timbrika e zërit të tij, lehtësia me të cilën depërtonte brenda shpirtit.

– Mendimet të shpien larg, – vazhdoi ai, – e nuk ta tregojnë udhën, ta fshehin, e ti nuk e di se si  gjendesh brenda labirinthit ku duan të dëfrejnë ato me ty. Ndaj ndalu për një çast të kuptosh dëshirën e tyre, qëllimin e tyre, se mendimet janë si fluturat, shkojnë ngjarje më ngjarje, ndodhi pas ndodhie dhe vjelin jo pjalmin, por edhe gënjeshtrën edhe të vërtetën, e rruga ngatërrohet. E vërteta dhe gënjeshtra nuk janë binjake moj bijë e nuk rriten bashkë, por mendimet duan t’i ngatërrojnë kur nuk i kontrollon, kur lëshohesh në duart e tyre dhe i le të të tërheqin andej nga duan ato. Ndaj ma dëgjo fjalën moj bijë. Forca e mendimit nuk është më e madhe se forca e vullnetit që të mbron në zgjedhje. Vullneti është si shpata që qëllon për të ndarë. Vullneti  të bëhet shok besnik në udhën e gjatë të jetës. Është ai që të ndihmon edhe në çastet më të vështira, por edhe në çastet më të bukura. Me vullnet dhe dëshirë arrihet gjithçka që tani të duket e pamundur. Por vullnetin stërvite mirë brenda shpirtit e mos e lerë të flerë, se përtacia nuk të ndihmon, por bën që t’i humbësh shanset që të vijnë qoftë edhe vetëm një herë në jetë! Kështu bijë, je e zgjuar por edhe e brishtë, por edhe brishtësia ka bukurinë e vet!

Pulita sytë. Po përjetoja një skenë ku isha vetëm unë dhe plaku me thinja. Vështrova përreth, por ai nuk ishte aty… Ndjeja vetëm aromë trëndafilash, lules të cilën nuk e ndaja kurrë nga vetja. Aroma e tyre më ftonte të bëja bashkë me to edhe atë copë rrugë që më kishte mbetur…

Gusht 2024.

Please follow and like us: