Cikël poetik nga Avdush Canaj
FAJET LËRMI MUA
Në klasë një zambak
në faqe më puthi pak.
Në faqen si të pjeshkës
me zefir prej bjeshkës.
Mësuesja fustanqershi
na qortoi me sy.
Unë zogëz në mal
si t`i them: Më fal?
Zemra u lumturua:
Fajet lërmi mua!
MALLI
Mes librash në vitrinë
dëgjohet një mandolinë.
Ç`perlë melodie!
Malli yt i bie!
Ai mall te pragu
në lotin e një vargu.
Pyet një valëz deti:
Kush tha se vdiq Poeti?
S`gënjejnë as harabelat,
mandolinës sate
heshtja ia zgjoi telat!
A PUTHËN VALËT
– A puthën valët?
– E dinë, gjysh, koralet.
– E peshqit e thellësive?
– Pyeti faqet e simpative.
– Po pulëbardhat mbi det?
– Të tregojnë ato vet`.
– Dielli a puthet
me lulëkuqet në arë?
– Puthet, puthet,
flutura e ka parë,
edhe harabeli
kur vjollcën përkëdheli,
i pëshpëriti n`vesh ngadalë:
Ti je vjershë me petale,
unë gjeneral!
– E, si po e di, bombon?!
– Aiii, gjysh, shumë po kërkon!
T’i puth pakëz sytë!
Zogu i fantazisë më çuçurit!