Mevlan Shanaj: “Të fshehta jashtë ekranit”
Detyra e aktorit është krijimi sa më dinjitoz i karakterit.
Aktori edukohet, mësohet, stërvitet, ushtrohet, drejtohet, kontrollohet, tjetërsohet. Detyra bazë e aktorit është tjetërsimi! Çdo gjë arrihet me punë krijuese analitike ballafaquese dhe përherë kërkuese. Nuk ka aktor të mirë, që të shtiret. Aktori i mirë përcjell besueshmërinë e shndërrimit të tij, duke dhënë mishërimin e asaj që ju e besoni më së shumti. Ju më shumë besoni dikë që është i ndershëm me ju, sesa një gënjeshtar. Mashtrimi në art është shumë i sofistikuar, sa njerëzit në përgjithësi nuk arrijnë ta kapin. Krijimi dhe “mashtrimi artistik” vijnë në nivele perfeksioni dhe publiku në sallë sugjestionohet nga magjia e shndërrimit, kur ajo është bërë mjeshtërisht.
Nuk ka pajisje të veçanta për suksesin e një karakteri. Ka mjeshtëri krijimi dhe punë të lidhur me aftësinë shprehëse, që quhet ndryshe edhe talent. Nuk ka ndonjë rast në art që mund të bëhet pa pasur në themel talentin dhe, më tej, punën e vazhdueshme. Arti i artistit është arti i të ushtruarit dhe të shndërruarit, duke vetëndier dhe duke ditur të përzgjedhësh, të krijosh karakterin dhe të ruash masën. Talenti fillon dhe mbaron me aftësinë e befasisë dhe të përzgjedhjes. Humbe befasitë, humbe artin!
Aktori interpreton, krijon dhe vepron, kështu që pamja e jashtme, shprehia apo mimika, siç quhet në popull, nuk janë qëllim më vete. Ato vijnë nga ndjesitë dhe krijimi i karakterit sipas rrethanave. Është një shembull në ekran, që i përket Charlie Chaplin. Ai krijonte gjestin dhe mimikën në kohën e kinemasë pa zë. Ndërsa çdo aktor tjetër krijon karakterin dhe nuk krijon mimikën. Karakteri i arritur komunikon me publikun si një transfuzion që rifreskon gjakun.
Nuk besoj se janë të këshillueshme imitimet, jo ato si profil argëtues, por frymëzimet patjetër, për karaktere origjinale jetë gjatë.
Në art, imitimi është jetëshkurtër. Çdo aktor kërkon të jetë vetvetja. Sidomos në sistemin që kaluam, nuk kishte mundësi të zgjidhte rolin dhe përgjithësisht atë ia jepnin regjisorët. Aktorit i mbetej detyrat të interpretonte. Përgjegjësia ideologjike artistike në ndërtimin e dramaturgjisë ishte detyrë e skenaristit dhe e regjisorit. Asnjë aktor nuk ka asnjë përgjegjësi në qëndrimet politike të veprës. Aktorit mund t’i ngarkohen karaktere me biografi të errët karakteriale. Detyra e aktorit është krijimi sa më dinjitoz i karakterit. Nuk ka lidhje aktori me bëmat e diktatorëve apo kriminelëve, ato janë përgjegjësi të krijuesve të veprës dhe jo të interpretimit.
Janë disa aktorët që adhuroja, por këto preferenca kanë ndryshuar me kalimin e viteve. I pandryshuar mbetet mendimi për madhështorin Marlon Brandon. Modelet vijnë herët te njeriu. Ditëlindja e Marlon Brandos, këtë fillim prilli, më ktheu pas në moshën time të hershme. Në moshën e hershme ishin disa aktorë që adhuroja, por këto preferenca kanë ndryshuar me kalimin e viteve. I pandryshuar mbetet mendimi për madhështorin Marlon Brando. Modelet vijnë herët te njeriu. Ditëlindja e Marlon Brandos, në këtë fillim prilli, më ktheu pas në moshën time të hershme. Brando erdhi si një model jo vetëm admirimi, por edhe imitimi për të gjithë brezin tim. Përqendrimi dhe karakteri psikologjik i interpretimit të tij të bënin të heshtur, reflektues. Më herët te ne, për kushtet specifike, kishte ardhur Gerard Philipe, me lojën realiste dhe argëtuese. Ishin vitet kur kinemaja franceze dhe italiane kishin lejeqarkullimi në vendin tonë (me përzgjedhje). Alain Delon u bë për shumë vite si një yll, që të ndillte me shkëlqimin e tij të karaktereve në vitet ‘60, që mosha ime e kishte të lehtë përzgjedhjen. Së bashku me Jean Gabin në kohën tonë studentore ata të dy ishin një dyshe, që na ishte bërë si një ushqim shpirtëror.
Njeriu nuk u shmanget dot adhurimeve. Shumë herë ndodh që ndonjë figurë artistike të mbetet si pikë nxitëse. Kështu më erdhi për disa vite Jean-Louis Trintignant dhe ende Marcello Mastroianni (sipas meje më i madhi i Europës). Dhe më tej, për shumë vite më mbeti dhe, ndoshta është diku në thellësitë e subkoshiencës, regjisori Ingmar Bergman. Brenda meje brenda gjithmonë edhe Federico Fellini, Michelangelo Antonioni, Theo Angelopoulos, Lars Von Trier.
Arrijmë në një moshë krijuese, që modelet na kthejnë pas, duke na lëshuar së brendshmi një buzëqeshje. Marlon Brando nëpërmjet ekranit, po shënonte edhe hyrjen e brezit tim në modernitet. Ndaj vështirë të harrohet pjesa e vetes!