Patriarku Kirill: Vdekja në Ukrainë “ju pastron nga mëkatet”
Udhëheqësi i Kishës Ortodokse në Rusi, Patriarku Kirill, u ka thënë ndjekësve të tij se “sakrifica e kryerjes së detyrave ushtarake i pastron nga të gjitha mëkatet”.
Ai i ka bërë këto komente pas rritjes së kritikave ndaj vendimeve të Kremlinit për mobilizim të pjesshëm të forcave ruse për luftën në Ukrainë.
Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se Rusia është përballur me 70.000-80.000 viktima prej nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Zyrtarët rusë kanë thënë se do të angazhojnë 300.000 rezervistë në luftë.
Megjithatë, mediat ruse kanë thënë se shënjestra reale janë 1 milion trupa, prandaj raportimet se edhe burrat e rinj pa eksperiencë ushtarake do të mund të angazhohen, ka nxitur kritika edhe nga zërat pro-Kremlinit.
Kirill, mbështetës i njohur i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë në të kaluarën se rusët janë duke bërë “vepër historike” duke vrarë ukrainasit, edhe pse ka bërë thirrje që të mos i shohin ukrainasit si armiq.
“Ne e dimë se shumë njerëz janë duke vdekur në fushëbetejë”, ka thënë Kirill në një kishë afër Moskës.
“Kisha është duke u lutur që kjo betejë të përfundojë sa më shpejt që është e mundur dhe që sa më pak vëllezër të vrasin njëri-tjetrin”.
Megjithatë, ka shtuar se “Kisha e pranon që nëse dikush, i shtyrë nga ndjenja e detyrës dhe nevoja për të mbajtur betimin, rri besnik ndaj detyrave ushtarake, atëherë ai, pa asnjë dyshim, është duke kryer detyrat që janë të barabarta me sakrificë”.
Kirill e konsideron luftën e Rusisë ndaj Ukrainës si mburojë ndaj Perëndimit dhe ka insistuar se “Rusia nuk e ka sulmuar kurrë askënd”.
Rreth 34 për qind e besimtarëve ortodoks në Ukrainë identifikohen sipas Kishës Ortodokse të Ukrainës, e cila më 2019 është ndarë nga kisha në Moskë.
Sipas një studimi të kryer më 2020, rreth 14 për qind e komunitetit ortodoks të Ukrainës, e konsiderojnë veten të lidhur sipas Kishës në Moskë.
Britania e Madhe e ka sanksionuar Patriarkun Kirill në muajin qershor, në kuadër të masave për të ndëshkuar Moskën për shkak të luftës në Ukrainë.
Ish-zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kur është pyetur për mundësinë që Shtetet e Bashkuara të veprojnë njëjtë, pati thënë se“askush nuk është i sigurt ndaj sanksioneve tona”.