Gusht 1984/Në 40-vjetorin e vizitës së Strauss, në Shqipërinë stalinisto-komuniste
Frank Shkreli
Një rast i humbur, një dështim trashanik historik përmasash kombëtare
Por, cilat do qofshin qenë synimet e vizitës së Jozef Straussit në Shqipërinë komuniste gushtin e vitit 1984, një vizitë që thuhej në atë kohë, se ishte bërë në konsultime edhe me Washingtonin zyrtar, ajo dështoi keqas, për fatin e shëmtuar të Shqipërisë, sidomos duke marrë parasysh, përfitimet ekonomike dhe politike prej saj. Duke refuzuar të nënshkruante një traktat paqeje midis dy vendeve, për t’i dhënë fund Luftës së II Botërore, regjimi komunist i Shqipërisë ishte më i interesuar që të siguronte “reparime lufte” nga Gjermania dhe jo në marrëdhënie afatgjata.
Ishte kulmi i luftës së ftohtë. Themelimi i lëvizjes së puntorëve polakë, Solidarnoshq, shërbeu si një shembull për përhapjen e ideve anti-komuniste, për t’u ndjekur anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore, duke dobësuar kështu, seriozisht, regjimet komuniste, gjë që më në fund çoi në revolucionet e vitit 1989 dhe në shembjen e Murit të Berlinit.
Ishte në këtë periudhë dhe në këtë atmosferë tensionesh politike ndërkombëtare pikërisht në Gusht, të vitit 1984 kur diktatori stalinist i Shqipërisë, Enver Hoxha ishte ende i gjallë – ndërkohë që politikani gjermano-perëndimor, Jozef Strauss, kishte vendosur të vizitonte Shqipërinë – duke u bërë kështu i pari udhëheqës i lartë politik perëndimor, që vizitonte Shqipërinë e vet-izoluar, të mbyllur nga bota, sidomos, nga ajo perëndimore.
Më kujtohet, në atë kohë, se gazetat më të njohura amerikane, si Nju Jork Tajms, Christian Science Monitor, Washington Post, ndër të tjera, hamendësonin se Jozef Straussi po vizitonte Shqipërinë komuniste me qëllim për të përgatitur rrugën për vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Gjermanisë Perëndimore. Kjo, sepse, Jozef Straussi, para se të vizitonte Shqipërinë në gusht të vitit 1984, kishte bërë disa vizita, si përfaqësues i qeverisë së Bonit, në Gjermaninë lindore komuniste, në Çekosllovaki, në Poloni dhe në Rumani, si pjesë e ost-politikës gjermane.
Por qeveria e Bonit në atë kohë i pat hedhur poshtë ato spekullime në media duke shkruar se Straussi gjëndej në Shqipëri si vizitor privat dhe se nuk përfaqësonte, zyrtarisht, qeverinë dhe shtetin gjermano-perëndimor në atë vizitë, në Shqipëri. Por nga ana tjetër, gazetat e asaj kohe njoftonin se gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jozef Straussi ishte takuar me Zëvendës-Kryeministrin e Shqipërisë dhe anëtarin e Byrosë Politike, Manush Myftiun, duke shtuar kështu shpresat e analistëve se vizita e zyrtarit të lartë politik i krahut të djathtë gjerman në bastionin stalinist në Evropë ishte diçka më tepër se një vizitë e rëndomtë prej turisti. Ata e interpretonin atë vizitë si ndoshta shënja e parë e fillimit të një ndryshimi të politikës së jashtme izolacioniste të regjimit komunist të Tiranës.
Por, cilat do qofshin qenë synimet e vizitës së Jozef Straussit në Shqipërinë komuniste gushtin e vitit 1984 – një vizitë që thuhej në atë kohë, se ishte bërë në konsultime edhe me Washingtonin zyrtar – ajo dështoi keqas, për fatin e shëmtuar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sidomos duke marrë parasysh, përfitimet ekonomike dhe politike që mund të rezultonin prej saj.
Duke refuzuar të nënshkruante një traktat paqeje midis dy vendeve, për t’i dhënë fund Luftës së II Botërore, regjimi komunist i Shqipërisë ishte më i interesuar që të siguronte “reparime lufte” nga Gjermania dhe jo në marrëdhënie afatgjata, para se të lidhte marrëdhënie diplomatike me Bonin, megjithëse ato u rivendosën në vitin 1987. U humb rasti! Ishte tepër vonë për regjimin e vetmuar stalinist të botës komuniste, të përfitonte nga vizita duke humbur kështu çdo mundësi për të influencuar, në mënyrë pozitive, zhvillimin e ngjarjeve në favor të interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Regjimi diktatorial komunist shqiptar ishte më i interesuar të ruante në vazhdimësi “pastërtinë” e ideologjisë staliniste, anti-perëndimore dhe sidomos frymën anti-amerikane.
Vizita e Straussit ishte një katastrofë. A u kujtohet kur regjimi komunist shqiptar Jozef Straussin e çoi në kalanë e Gjirokastrës për t’i treguar Z. Strauss “arritjen e madhe heroike ushtarake” të forcave komuniste të kapjes së një aeroplani amerikan që thuhej se kishte shkelur hapësirën ajrore të Shqipërisë? Ndërsa në agjendën e vizitës së Straussit kishin futur edhe një ndalesë të tij në shtëpinë e lindjes së “udhëheqësit të lavdishëm”, anti-perendimor, Enver Hoxhës. Merreni me mend!
Në këtë 40-vjetor të vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri, vazhdoj të jem i mendimit se vizita e Jozef Straussit atje, nga pikëpamja gjermane, ishte pjesë e të ashtuquajturës”ost-politikë”, hapje drejt lindjes, nga ana e Gjermanisë Perëndimore dhe në konsultim me aleatët. Ishte një përpjekje për të parë nëse pashallarët e kuq të Tiranës ishin gati të kthenin sytë nga Perëndimi demokratik. Por, Shqipëria staliniste në atë kohë, nuk kishte marrëdhënie të mira as me vendet komuniste të kohës, lere më me vendet kapitaliste perëndimore, kështuqë vizita e Jozef Straussit në Shqipëri në gusht të vitit 1984 ishte destinuar të dështone, qellimisht me synim e vullnet të mbrapshtë të regjimit diktatorial komunist të Tiranës zyrtare të atyre viteve. A thua nuk e dinin zyrtarët komunistë shqiptarë se kush ishte Jozef Straussi njeriu i cili shëndrroi Bavarinë nga një shtet agrar në njërin prej qendrave më të mëdha industriale dhe në një prej krahinave më të pasura në Gjermani dhe ndoshta në botë?! Natyrisht e dinin, por nuk dëshironin të përfitonin, sepse me një hapje të vërtetë ndaj Perëndimit, ata do humbisnin shumë.
Prandaj, qëllimi i Tiranës zyrtare komuniste, që lejoi vizitën e Straussit në atë kohë, nuk ishte asgjë tjetër dhe nuk kishte asnjë qëllim vullnet mirë nga regjimi komunist i Shqipërisë, veçse ta përdorte atë vizitë si një mënyrë për të mjelur taksapaguesit gjermanë, duke kërkuar shuma absurde riparimesh të luftës. Straussi dhe gjermanët e kuptuan mirë këtë dhe vizita e tij dështoi, vetëm e vetëm, sepse regjimi komunist në Shqipëri nuk deshi që ajo vizitë të çonte përpara lidhjet midis dy vendeve, as drejtë hapjes ndaj Perëndimit.
Si rrjedhim, duhet të konstatojmë se, atëherë dhe sot, ajo vizitë nuk mund të konsiderohet si asgjë tjetër, veçse një rast i humbur, si shumë të tjera para tij, dhe një gabim trashanik historik përmasash kombëtare, që nuk mund t’i falet regjimit komunist të Shqipërisë së atëhershme, as apologjetëve të sotëm të atij regjimi, disa prej të cilëve ende mund të gjejnë arsye të justifikojnë trajtimin absurd komunist të vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri në vitin 1984. Jozef Straussi erdhi e pa Shqipërinë komuniste, në përpjekje për ta ndihmuar të hapej drejt Perëndimit, por Shqipëria, humbi shumë dhe nuk përfitoi asgjë nga ajo vizitë. Ky nuk ishte faji i Straussit, por i pashallarëve të kuq të Tiranës, të cilët donin që me paratë e taksapaguesve gjermanë, të përpiqeshin të shpëtonin ekonominë e shkatërruar të vendit dhe të ruanin sistemin e tyre kriminal komunist; të bindur “në forcat e veta” dhe në “rrugën revolucionare” të Enver Hoxhës në mbrojtje të socializmit dhe të idealeve komuniste. Nuk ka se si të ishte ndryshe përfundimi i vizitës së Jozef Straussit në Shqipëri 40-vjet më parë, një zyrtari të lartë gjerman, të cilin Enver Hoxha e kishte cilësuar si “përkrahësin më të vendosur të nazizmit hitlerian e një nga militaristët më të egër gjermanë”.
Për hir të marrdhënieve aktuale, por edhe marrdhënieve në të ardhmen, midis Kombit shqiptar dhe atij gjerman, kjo vizitë e 40-vjetve më parë e Jozef Straussit duhet të kujtohet sot për meritat historike që ka dhe për ato që mund të ishin. Për përpjekjet e tij personale, vullnet mira dhe dëshirës së vendit të tij – Gjermanisë – që të ndihmonin Shqipërinë dhe Kombin shqiptar në njërën prej periudhave më të vështira të saj politike dhe ekonomike me synimin që të dilte nga vet-izolimi, të fillonte hapjen drejt Perëndimit dhe distancimit të Kombit shqiptar nga ideologjia diktatoriale shtypëse sllavo-aziatike, gjysëm shekullore.