Albspirit

Media/News/Publishing

Rusi, rreth 133 000 banorë largohen nga Kursku

Përafërsisht 133 000 njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre deri më tani për shkak të ofensivës ukrainase në rajonin rus të Kursk, tha sot guvernatori në detyrë i rajonit, Alexei Smirnov, gjatë një videokonference me presidentin Vladimir Putin.

Gati 20 000 njerëz mbeten ende në tetë rrethet për të cilat ishte urdhëruar evakuimi, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS, duke cituar Smirnov.

Putin dhe qeveria ruse u përballën sot edhe një herë me pasojat e avancimit ukrainas, i cili filloi pak më shumë se dy javë më parë.

Për herë të parë në pothuajse dy vjet e gjysmë të luftës së gjerë ruse, Ukraina po zhvillon beteja tokësore në territorin e armikut dhe, sipas raportimeve të veta, kontrollon më shumë se 1000 kilometra katrorë tokë.

“Unë ju bëj thirrje t’i kushtoni vëmendje të veçantë përgatitjeve për vitin e ri shkollor”, tha Putin.

Ministri i Arsimit Sergei Kravtsov tha se nxënësit nga 114 shkolla në zonën kufitare duhet të mësohen në internet nga 2 shtatori. Të tjerët do të arsimohen në vendet e tyre të evakuimit ose në kampet e pushimeve të fëmijëve./atsh

Please follow and like us: