Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Alush Canaj

 

ËNDRRA NË KRAHËT E ERËS

Fusha mbylli sytë

edhe qielli

me këngë t’kaltra.

Vrik erdhi gjumi

më çoi te lumi

era në breg

më mori mbi flatra.

 

Fluturoja fushës,

fluturoja malit

sikur me raketë!

Pyllit me lulëkuqe

vizatova një mollëkuqe

n’pallat të zambakut

në katin e tretë.

 

Peshqit në det

më mësuan not

te i Dashurisë Kep.

As vetë nuk e di

si rashë në thellësi.

Ku më puthi nëna,

unë sa një plep!

(1969).

 

DIMËN

Dimën. Jashtë resh borë,

pranë votrës gjysh Dili.

Lisi ku thuri çerdhen bibili

ngadalë bëhet me kurorë.

 

Dimën. Jashtë fëmij’t gëzojnë,

gazi i tyre si zogu mbi re,

ti pse rri n’dritare e s’shkon atje?

Ah, çizmet, gjysh, ujin më lëshojnë.

 

Bora s’di të ndalet, s’ndalet as loja!

Një fëmijë vrapon nëpër erë,

shokun e vet e thërret tek ajo derë,

n’dorë ka një palë k’pucë me toja.

(1968).

 

KALI I VIZATUAR

E vizatova kalin

me jelën e gjatë,

dhe e lashë në tavolinë.

 

Kur dola t’i ujis lulet

kali ia kishte dhënë vrapit

dëgjova një hingëllimë.

 

Motra më tha:

Vrapoi pas ëndrrave tona,

do të na i sjellë në gjumë.

 

Atë natë unë e motra

si fluturat ëndërruam shumë.

( 1970).

 

ÇKA I DUHET LULES

Lules i duhet uji,

pa ujë s’mund të rritet.

I duhet dhe dielli

n’luhare të kolovitet.

 

Ndonjë flutur e kopshtit

krahët me pranverë,

t’ia puth faqet pikaloshe

kur t’i shkoj në derë.

 

Nuk bën pa puhizën

që shetit nëpër fushë,

e freskon me shami t’vet,

e gicilit në gushë.

 

Një dorë e vogël piktori

i duhet lules laureshë,

ta pikturojë nga dritarja

sa herë të buzëqesh.

( 1971).

 

HARABELI

Unë jam harabeli

me shtëpi te zabeli.

Me këngë bleroj barin,

luftoj me acarin.

Ma tregoj kamxhikun,

s’e luaj dot qerpikun,

as s’shkoj në shtegtim,

rri në vendin tim.

Në tokën e lavdisë,

në zemër të Ilirisë.

(1970).

 

TE TIRANA

Te Tirana

Nana,

edhe motër Zana.

Atë dimër na ndanë

e lisat i vranë.

Më s’mund të duroj,

Andej do të fluturoj,

aty, ku e kam Nanën,

edhe motrën time, Zanën,

Mëmëdheun,

Skënderbun.

Nëse ujku më vjen pas

do ta vras.

(1970).

 

FLAMURI MBI KULLË

Më ndjekin ujqit

për flamurin mbi kullë.

 

Copa-copa do t’më bajnë

si drenushën e pafajshme,

nëse më kapin në majë të lisit.

 

Ulurojnë,

lisin duan ta rrëxojnë

po rrënjët e tij thellë në Iliri.

 

Si lumi kur del nga shtrati

zemërimi rritet e rritet

plasin nga inati

Flamuri mbi kullë valvitet.

Kallnor 1972.

Please follow and like us: