Cikël poetik nga Irena Kuka Dragoti
M’i morën të gjitha…
M’i morën të gjitha…
guximin,
dhe frikërat e mia më të mëdha
Më vodhën heshtjen
tani vetëm flas…
për rrugë pa krye e stinë të marra
Pa gjumë shoh endrra
e kohën s’e mat
Mi morën të gjitha…
lirinë, burgun dhe rrugën përmes
Jam një rrëmujë tani,
nga ato të mëdhatë
që vjedhësit pas e lënë.
Të vdekurit flenë
Të vdekurit flenë
gjumin e fundëm
Me gurin e varrit, kohës trokasin
Të gjallët nuk flasin
e në skaj të dilemës
Neuronin e harresës, përkundin shtratit
Të mençurit matin
me tingullin e lëkurës
Një betejë të humbur, fund e krye
Të marrët nuk ndalen
me fuqinë e zbrazjes
Tejkalojnë guximin, pa iu trembur fatit
Njerëzorja sheh pjerrët
Është epokë e zmbrapsjes
Shekulli i njëzetenjë, marshi i djallit
Dhe bota flaket
e shuan fjalët
nën qiellzën e lagësht…
Është nëmur bota
sa ngushtë i rri mosha
më lini pak të shlodhem, kam drojë.
Të tjerat m’i jep Atdheu
Nuk kam ardhur të luaj teatër,
ndaj uleni siparin.
Jam një e huaj;
kërrus aromat e syve, sjellë nga toka ime.
Të huaj kam shtëpinë dhe gjumin e pakët,
si udhëtim vajtje-ardhje bëj çdo natë.
Ndaj shihmëni pa mëri;
nuk kam ardhur t’ju futem
në zemër të kujtesës,
as t’ju gdhend të ardhmen.
Fati im është hija ime
që mbillet e korret çdo stinë.
Flamurin tim me shkabë
nuk ia valëvis vjeshtës së tretë,
sepse kurrë nuk fryu erë e marrë
në ballkonin nga sheh ky qytet.
Ju përkas në letra me dy gjysma atdheu;
udhëtoj mes tyre me varkën e syve;
në net mërzie ajo shpesh më mbytet…
Por nuk kam ardhur të shoh
dritaresh të avullta mallin tim të pafuqi,
kur lëpin plagët.
Prej shenjash ndaj stinët,
por gjithmonë bën dimër;
yjet mezi shihen, vonon perëndimi.
Lotët përveshin mëngët,
hakërrehen mollëzash,
qëkur mbathën heshtjen,
morën ngjyrë ndryshk.
Por nuk kam ardhur të buzëqesh,
fshehur buzëve,
as të blej varre për të ngulur rrënjët.
Jam veç shtegtare;
nga faqja e pasme e diellit
rishpik horizonte dhe i shtrëngoj dorën dhembjes.
Guxoj të humb, duke matur etjen
pa tradhëtuar ëndrrat, në gojë të reshjeve.
Por nuk kam ardhur t’ju marr lirinë,
veç doja të rritem;
kurrë nuk jam mbytur nga dallgë zilie.
Një copëz më duhet, një copëz marrjefrymë;
urtë kur të plakem, ta kthej në shtëpi.
Nuk kam ardhur të zbardhem këtu…
Zakonet e mia
Zakonet e mia janë kremastarë të pluhurosur
që bëjnë me dije se shpesh për të mbijetuar
mbërthejmë veten në të njëjtën rutinë…
Koha ikën me trishtimin e diellit kur i zë reja, dritën
Të qënit e dobët, është të rizgjosh frikën
kur takon guximin,
është të mësosh si të vdesësh përbrenda
nga pak,
çdo ditë…
duke besuar se pas shpinës tënde
është kaq pranë mosha e harrimit.
Pesëdhjetë vitet e mia fatlume, ishin zakone
që mu servirën si dhuratë
kur prisja në vendin ku e ardhmja premtoi
se do ta njihja kur të vinte
nga e njëjta veshje si dikur.
U ngopa qetësie, as etja smë ndahej
në të njëjtin shtrat dremitnin vdekja dhe e gjalla
pa ngrohur egon nga një përqafim i ri
‘Rehatia’ nuk duhet numëruar te mrekullitë.
sepse ditën që oazi i saj bëhet det
do të duhet të thuash mes dallgësh
lutjet e mëshirës.
Tani e di,
jeta është një pëlhurë zakonesh
që shpesh ia veshim dritës, në shtëpinë e braktisur,
për t’mos trokitur askush.