Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mbi vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë

Që shefi i CIA-s nuk ka ardhë te ne, për t’i dëgjuar përrallisjet e propagandën e qeverisë për progres ekonomik e lavdërime tipike enveriste, këtë e di secili njeri që ka një grimë mend dhe ende e gëzon të drejtën të mendojë me kokë të veten.
Gjithashtu, secili njeri që ka një grimë mend, e kupton se ardhja e shefit të CIA-s në Kosovë, lidhet me ecjet tona negative në politikat rajonale, thjesht, lidhet me ecjet e trullosura të vendit tonë, ecje që kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe në perëndim, për çka, vendi ynë është fut nën sanksione të ashpra të Perëndimit, duke i izoluar udhëheqësit tanë, të cilët nga qendra, janë në tribuna, ku rri publiku që vegjeton.
Për më tepër, në këto kohë trazimesh globale, një vizitë e tillë, përcjell mesazhe qortimi.
Prandaj, dalldia me të cilën politikanë e militantë trutharë e shpjegojnë takimin e shefit të qeverisë sonë me shefin e CIA-s, William J. Burns, tregon saktësisht mjerimin në të cilin është katandisë vendi ynë, i udhëhequr nga njerëz me mendësi bashibozuke e pa vizion për vendin, nga njerëz që katër vjet qeverisje, nuk kanë asnjë vepër të vërtetë për t’u krenar, por e kanë një meritë që ju rri si një njollë e zezë në ballë: vendin e tyre, kanë fut nën sanksione.
Sot, secili njeri normal, po të pyeste veten se, cili vend tjetër në Europë është nën sanksione përveç Kosovës?- do ta kuptonte mirëfilli ku jemi. Por, fatkeqësisht, pyetjet e tilla janë luks i madh për ata që e kanë humbë të drejtën të mendojnë me kokë të vetën.
Please follow and like us: