Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Vëlla e motër

 

Tregim

Jan do dashni në kë’t bot që nuk rrejn, e nuk jan veç fjal, se n’jet or vllazën, e kena t’shkrume prej Zotit, se aj që ja din vlerën dashnis, ka me u shpërbly n’te, e Zoti ma ka fal nji dashni, që nuk du me e n’drru me asnji pasuni, se ndihem i pasun boll n’te, e jetën ma ka ba drit.

E kam nji motër, por e kam edhe burrnesh, e jeta ka dash’t me na sfidu kushedi sa herë! Por motra jeme m’asht ba si nana, me dashni t’piklume n’mjalt hojesh e n’bardhsi pllumbi. M’ka gugat me fjal t’ambla, se jena t’fort kur jena bashk, se nuk jena t’dobt kur kena njani tjetrin!

Ka ken nji vit i rand ku jena peshu n’kandarin e Zotit! Vit i rand, sa ditët e netët kan pas peshën e gurit. Nuk e menojsha se do i kisha p’shtu vdekjes. S’mundja m’kishte përparu, e mendja jeme punonte veç me lan amanete!

Eh mor vllazën, njaj Zot ta p’shton jetën! Por asht edhe dashnia e njeriut tand, e t’afërmit tand që t’bahet engjëll e lutet për ty, qe t’run e t’mbron me dit e net.

Ishin do lot që m’zgjojshin e ma lanin f’tyrën. I ndijsha si pika vese që mi donte fort shpirti i përvëlum. Buz’t e engjëllit tem ma zbusnin t’nxehtin e ballit, e n’syt e mi shkëlqente drita e dashnis, dashnia e motrës seme, që e kishte gdhi mbi kryt e mi. Njaj engjëll m’ka rujt dit e nat, e jeta jeme p’shtoi për me e falenderu Zotin dhe engjëllin tem!

Kur shkoi nana… mendova se jeta ma kishte ba nji grop n’shpirt që nuk do mbushej kurrë! Boshlleku ma zente frymën, e mungesa e nan’s ma zbraste jetën. Por or vllazën, n’dashni nuk je kurrë jetim, e jetimi ndihet i tillë kur i mungon dashnia!

Nana na e la amanet dashnin, e ky amanet na lidhi fort! Prova e jet’s na e vuni n’kandar kët dashni, e n’prov njeriu kupton, se n’jet, vëlla e motër janë si dy liqene qe ushqehen nga i njajti gji që nuk mbetet shterpë.

Motra mu ba nan, e nana mu ringjall n’prani t’motrës seme. Ishin po ato dur, po ajo ftyr, po ai nur buzqeshje, po ato fjal t’ambla që ma shërojshin zemrën e landume fort! E mungesa e nan’s, dalngadal po mbushej me praninë e engjëllit tem, t’motrës seme.

U lidhëm ma shumë se ma përpara, e i kena kry do pun t’randa fort, duke u mbështet te njani-tjetri. Aty e kam kuptu, se motrën e kisha gjithçka, edhe vlla, edhe bab, edhe nan, e lumtunia m’bante pllumb me fluturu!

Nuk e kisha mendu se shpatullat e saj ishin aq t’forta. Ditën kur i vdiq djali i vocërr n’aksident, ndjeva forcën e dashnis që nuk ja shkuli zemrën, por ja bani ma t’fort. Ajo, motra jeme nuk u rr’zu! M’shihte me sy t’mbushun n’lot.. e buza i dridhej … Oh i mjeri unë,… dojsha me u mbajt si burrë, e forca mi ftohte gjymtyr’t n’vend që t’mi ngrohte. E shifja motrën teme t’mbulume n’pikllim, e zemra m’shkyhej copash. Nuk e dojsha at dhimbje që therrte në çdo gjymtyrë. Eh…  vit që na peshoi n’dhimbje e n’dashni!

U bam ma t’fort se u mbajtëm fort ke njani-tjetri, unë si vlla, e ajo si motër, dy binjakëzime, dy shpirtna t’bekum nga dashnia e nan’s dhe e bab’s.

M’kishte thirr nji dit nji kasnec, e m’vinte vërdall për do punë boshe. Ia kisha ba ben për mos e taku, se e dijsha se ishte rrenacak. Kur ishim tuj u nda, ma hudhi nji fjal, si me t’hudh nji cop leck t’grisun f’tyrs.

– Mos u ba cub me mu! – m’foli. E pash e i thash:

– Shko sa nuk asht von për ty! Por ai vazhdoi me do fjal tjera.

– Gratë jan ba për burrat, e na duhet me dit me i përdor!

– Ku don me dal? – i fola tuj ju afru përpara f’tyrs.

– Avash or lum miku, -m’ foli.

– Ku don me dal o njeri? – ja ngrita zanin. Por pa e mbaru mirë fjalën, n’digjova zanin e motrës seme që sa kishte mbrit.

– A doni me mat forc burrash a?

Shpirti mu turbullu e fjala mu lidh ngryk. Kasneci na shiqonte pa fol. Deshta me ja pa forcën e fjal’s n’ato çaste. Prita pak, dhe ja hodha plumbin e fjal’s.

– The do fjal që ta z’vogëlojn shtatin! E n’se don për mos e humb burrnin, shko, se po afron nata e rreziku ta zen pritën!

Motra jeme e merakosun kur i ndigjoi ato fjal, mu afru dhe m’vështroi pa fol. Masanej ju afru edhe kasnecit dhe i tha:

– Na grat dim me e përdor edhe fjalën edhe pushkën, e vllau jem ka edhe motër e motra ka edhe vlla! Mos harro o kasnec! Dy, jan ma t’fort se nji! E ty që t’ka ba Zoti nji, lutju për  vedin, se na i lutna Zotit për të dy!

Krenia për motrën ma lehtsoi barrën e shpirtit, se sherri ishte afru n’shpin ton, e donte me ba gosti me na! Kasneci shkoi e nuk u duk ma.

Mu kujtu kjo ndodhi sot, nga dashnia dhe krenia, se kush e ka nji motër e ka diellin mbi kry, kush e ka nji motër e ka sofrën e shpirtit plot e ban gosti për nat, se kush e ka nji motër or vllazën, e mban derën çil për me hy engjëj që ta lumturojn jetën e ta bajn ma t’bukur, si vetë Zoti kur ta bekon me dit t’lume!

24 gusht 2024.

Please follow and like us: