Irena Kuka Dragoti: Atdhe “borxh”
Atdhe “borxh”të dhamë
kujdesu për shpirtin e tij
Mos “i zhvish” krahët që t’u hodhën supeve
kur të braktisi toka e nënës
Ndoshta do të luash,
ndoshta të vjen turp kur kujtohesh
se zëri dhe e qara e atdheut të ri nuk të dhembin
Ndoshta të ka dalë nga mendja se hapësira që të dhanë
nuk është historia e gremit dhe rrushit
kurse e panjohura që na ndan u thellua nga himni yt i urisë
Mrekullia përveshi muret e zemrës kur lypi ndihmë katastrofa
por nga të gjitha cilësitë, ti mbathe veç shpërfilljen
Je loti që nuk kupton sytë
pa takuar fuqinë e përbuzjes
dhe pse lumi i së vërtetës tënde na përmbyti pragun
e shtoi një dhembje për kockat e atdheut tim me artrit
Në qiell rri ende një re e pakrehur gri
që duket sikur të ndjek kaq vite
mbi shpatulla udhësh pa kthim
me sy të nxehtë xixëllonjash
pa stinë vere brenda
Droja e së huajës,
është lulja që u kalb e para në kopshtin e ri
pemët tani lidhin dy sytha njëherësh
Ke radhën t’i vaditësh…
Udhët tona nuk rënkojnë sa herë i mëshon së drejtës
në qafën e malit përballë dhembjes…
Po këndon qyqja
Ndjell sërish një katastrofë
atë të verbërisë, kur zgjedh të mbetesh i huaj
në shtëpi
kur fjala vëlla nuk të mjafton
Please follow and like us: