KAPEDAN HODO NIVICA, I PAVDEKSHËM NË MEMORIEN E SHQIPTARËVE
(Në përkujtim të heroit legjendar të Nivicës Hodo Ali Nivica/Beqohitaj (1805-1852), heroit të mbarë shqiptarisë që shkroi faqe trimërie, lavdie e krenarie për mbarë shqiptarinë, që luftoi, udhëhoqi dhe fitoi në dhjetra beteja ndaj pushtuesve osmanë, grekë e malazezë në mbrojtje të truallit arbëror).
Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi
Nivica- vendi që lind kapedanë
Hodo Nivica ishte lindur në fshatin me shtatë mëhallë, në Nivicë të Nënprefekturës/kazasë së Kurveleshit, Vilajeti i Janinës. Ardhja në jetë e një fëmije, veçanërisht një djali konsiderohej “një jatagan më shumë” në trevën labe, por edhe më gjerë. Nivica fshati 2500 vjeçar, e njohur për kanionet por mbi të gjitha të një kalaje të vjetër 23 shekullore sipas Pukëvilit dhe Martin Likut dhe që i përket fisit ilir të amantëve. Ndërkohë që kalaja është rindërtuar dy herë, studjuesi anglez H. Holand shkruan se “Nivica vendbanim i fisit ilir të amantëve, … ka ndërtuar kala me stilin ciklopik që i përkasin qytetërimit të lashtë të Kaonisë (Labërisë)”. Në lashtësi Nivica ka pasur dyzetë hane në “Kaoninë me dyzetë kështjella”. Por mbi gjithçka Nivica dallon në Kaoni për trimëri, mençuri, shpirt kryengritës, që nuk e kanë njohur përkuljen nëpër shekuj, luftëtarë të pushkës dhe të penës, atdhetarinë dhe që nuk e kanë kursyer gjakun shekujve në mbrojtje të truallit atdhetar. Janë me qindra mijëra niviciotët nga lashtësia e deri në ditët tona ja kanë ngritur lavdinë fshatit, krahinës, Labërisë. Padyshim në krye janë Hodo Aliu (Beqohitaj), Balil Nesha, Bilbil Shako e gjithë bilbilenjtë që shkruan epope trimërie në Labëri. Niviciotët të prirë nga Hodo Aliu morën pjesë në Kuvendin e Picarit më 1846, në kryengritjet e mëdha antitanzimat të 1847, në betejat e shumta kundër osmanëve në Peshkëpi, Guranxi, Mali i Gjerë, Delvinë, Palavli, Bamatat, Kamenicë, në gjithë Vilajetin e Janinës, etj. Në vitet që pasuan Bilbilenjtë shkruan lavdinë labe në gjerdanin e artë të ngjarjeve historike të Labërisë e më gjerë. Më 1878 Zylfo e Xhafer Bylyshi të rënë trimërisht në Luftën e Lëkurësit. Me Çerçiz Topullin kanë luftuar Abaz Dashi, Kanan Malua, Bejo Duka, Demo Emini. Të etur për dituri dritë e arsim më 1909 niviciotët hapën shkollën e parë shqipe me mësues Shuko Dalipin. Gjithashtu më 1913-1914 u përballën me andartët grekë që kërkonin të rrëmbenin pjesë nga trualli që na kanë lënë trashëgim të parët, ku kanë edhe pesë dëshmorë. Pavarësinë e shtetit të parë shqiptar e pritën duke ju bashkuar ushtrisë kombëtare të Ismail Qemalit. Në korrik të 1914-ës mbi bazën e traditës së Hodo Ali Nivicës ngritën çetën të drejtuar nga toger Veip Runa në mbështetje të Vidit dhe më 1916 meqënëse Kurveleshi u pushtua nga italianët krijuan sërish çetë luftëtare nën drejtimin e Shaqo Llapit. Riza Runa niviciot udhëhoqi çetën drejt Vlorës në qershorin e vitit 1920. Një figurë e madhe e atdhetarisë i lindur në Rexhin është Sali Nivica (15.5.1890 dhe vrarë në Shkodër më 10.1.1920) publicist shqiptar, i biri i Asllan Xhebrajt. Ai kishte studjuar në shkollë në Vlorë, në Idadijen e Manastirit me mësues Bajo Topullin; studjoi në Zosimea të Janinës (1907-1909), mësues në Durrës, u përfshi me lëvizjet kryengritëse në Shqipërinë e Jugut, arsye për të cilën u arrestua dhe u burgos në Stamboll. U lirua me ndërhyrjen e Ismail Qemalit, punoi mësues në Robert College, themelues i gazetës “Populli” më 1914 që botohej në Vlorë dhe më pas kaloi në Shkodër. Gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez, u vra në Shkodër dhe është vlerësuar Mësues i Popullit (1961), Dëshmor i Atdheut më 1971 dhe me vendim nr.6849 dt, 17.1.2011 nga Presidenti i RSH i është akorduar titulli Nderi i Kombit. Periudha e lavdisë niviciote ka qenë padyshim pjesëmarrja në LANÇ. Në luftën italo-greke niviciotët dhe rexhinasit u shpërngulën në Fushëbardhë në dimrin e 1940-1941 dhe u rikthyen në vendlindje në prill 1941. Pjesëmarrja masive në luftën çlirimtare lidhet me figura qendrore të luftës në Nivicë si Kanan Malo, Fein Brahimi, Ferik Lizën, Xhevo Micka e shumë të tjerë, ndërkohë që me armë në dorë kundër fashizmit nivica nxorri më shumë se 100 partizanë, nga të cilët 35 ranë dëshmorë për lirinë e atdheut. Kur flasim për Nivicën nuk ka si të mos flasim edhe për Xheladin Beqirin për djalin e Kosovës martire, birin e Nivicës së Kurveleshit, Karadakun e luftës heroin e popullit. Sipas meje Nivicë-Rexhini ka tre heronj: Hodo Nivicën, Sali Nivicën dhe Xheladin Beqirin (birin e Gjilanit të Kosovës dhe Nivicës labe, që ra heroikisht më 6.6.1944 në gurin e prerë të Oparit në përleshje me pushtuesit gjermanë), të cilët i bëjnë nder dhe krenari jo vetëm fshatit, por mbarë shqiptarisë dhe kombit shqiptar. E shkuara niviciote është krenari dhe lavdi por edhe frymëzim për brezat për ta lartësuar më tej ndjenjën e krenarisë kombëtare, ndjenjën e shqiptarizmës. Prandaj edhe kënga popullore nuk ndalet: “O Hodo, Hodo Nivica,/I larti sa Këndrevica,/Sa Këndrevica me borë,/Shesh më shesh mbaje taborrë,/Ashtu si trimat luftojnë…”.
Kapedan Hodo Nivica, i larti sa Këndrevica
Hodo Ali Beqohitaj ka qenë një prijës i shquar luftarak popullor. Ai ishte lindur në pranverë të vitit. Gojëdhëna thotë se Hodo Aliu ka lindur tre ditë pas ditës së Novruzit, pra më 25 Marsin e vitit 1805 (pas pak muajsh ka 220 vjetorin e lindjes). Hodo Aliu ishte lindur në një truall plot atdhetari, në një oxhak të fismë në një familje të kamur fshatare, ose të mesme të kohës.
Historia e Hodo Nivicës është histori me gjëmime shekullore. U rrit dhe burrërua shpejt sepse koha i piqte djemtë shpejt dhe ishin “të gatshëm” për nizamllëkun në ushtrinë osmane, ku vaporri “Haxhi Daut” ngarkonte djelmurinë shqiptare rreth 14 mijë djem nizamë çdo vit që i degdiste në Stamboll, Jemen, Bagdat në gjithë shtrirjen e sulltanatit osman prej rreth tetë miljonë kilometra katrorë. Hodua u nis bashkë me shokë të tjerë të djalërisë labe, pa brigjet e ashpra të osmanëve, u përgatit si luftëtar me mjeshtërinë luftarake osmane, që do ti hynte në punë gjithë jetën për ti luftuar ata. Hodua nuk ka qenë kurrë i përkulur ndaj dhunës ushtarake. Ishte rrebel nga natyra dhe nuk e duronte padrejtësinë, as disiplinën strikte të osmanëve. Temperamenti i tij i shkathët si dhe dashuria për vendlindjen, për familjen dhe njerëzit e dashur bëri që të “shkelte betimin osman”. Kështu arratiset nga garnizoni ushtarak i Bagdadit të Irakut ku ishte nizam asker dhe u kthye shëndoshë e mirë në vendlindje përmes shumë peripecish. Që në moshë të re në vitet vitet ’30-’40-të të shekullit XIX mori pjesë gjallërisht në kryengritjet antiosmane në Shqipërinë e Jugut. Ai krijoi çetën e tij me luftëtarë nga Kurveleshi dhe mbajti si bazë të saj malin e Këndrevicës. Shumë shpejt fitoi autoritet dhe u bë figurë përgjithësuese luftarake jo vetëm në Nivicë e Kurvelesh por në mbarë Labërinë. Hodo Ali Beqohitaj ose sikurse e thërrisnin në fshatin e tij “Hodo bej Nivica” në pak vite të jetës së tij u shndrua një figurë kombëtare aq sa krahasohej me malin ku mbështetej fshati i tij, figura që nderoi Nivicën, krahinën dhe Labërinë. Prandaj kanë kaluar rreth dy shekuj nga bëmat e tij dhe vijon të shkruhet, këndohet e lartësohet një figurë e përmasave kombëtare si frymëzim të idealeve shqiptare. Hodo Nivica mori pjesë në Kuvendin Ndërkrahinor të mbajtur në Picar në 1846, ku u krijua “Besëlidhja” kundër reformave të Tanzimatit. Krahas Zenel Gjolekës, Çelo Picarit, Tafil Buzit, Çobo Golëmit etj., ishte ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së madhe fshatare të vitit 1947, duke luftuar në Mal të Gjerë, në Goranxi të Dropullit, në Palavli, Kamenicë dhe së fundi komandant i forcave kryengritëse në frontin e Delvinës dhe të Qafës së Peshkëpisë. Në verën e vitit 1847 shpërtheu kryengritja e përgjithshme anti-turke drejtuara nga Gjolek Kuçi dhe Hodo Nivica u drejtuan për në Delvinë, ku dëbuan administratën turke, morën qytetin dhe më pas edhe Butrintin, që ra në duar të kryengritësve. Kryengritja drejtohej nga Komiteti Kombëtar ku udhëheqësit kryesore Hodo bej Nivica, Zenel Gjolek Kuçi e Çelo Picari u lidhën me udheheqësit e krahinës së Vlorës dhe me Rrapo Hekalin. “Ne Kurvelesh tre nishanë,/ Bëjne harb me padishanë,/ Çelo Picari i parë,/ Gjolek Kuçi me pallë,/ Hodua që mban kalanë…” Sipas këtyre burimeve Rrapo Hekalit ju caktua si front lufte Qafa e Sinjës afër Beratit, Hodo Nivicës Delvina dhe Qafa e Peshkëpisë në Gjirokastër ndërsa Gjolek Kuçit Kurveleshi dhe Bregdeti. Vargjet ilustruese janë: “Në brigje te Kamenica,/ Bën dyfek Hodo Nivica…”. Kryengritja filloi nga gryka e Kuçit, “Grykë e Kuçit, grykë e keqe, njëmijë e treqind dyfeqe..” dhe më tej kryengritja u përhap në gjithë Labërinë. Në Mallakaster dhe në Berat luftonte Rrapo Hekali dhe Tafil Buzi, ndërsa Gjirokastra mbahej e rrethuar nga forcat e udhëhequra nga Zenel Gjoleka e Hodo Nivica. Komandanti osman kërkonte t’u jepte “mësim” kapedanëve shqiptarë në luginën e Dropullit, në kodrat e Terihatit por në qendër me 500 vetë ishte në kala Hodo Nivica dhe në të djathtë Zenel Gjoleka me 300 luftëtarë nga ana e majtë Halim Çapari. Kënga nuk mund të ndahet nga betejat: “Ç′u ngrenë shokë, ç′u ngrenë / Kuç, Kallarat e Bolenë,/ Treqindë niviciot levendë”. Më 27 gusht në krye të 700 lebërve dhe çamëve Hodo Nivica dhe Halim Çapari shpartalluan forcat osmane në fshatin Dholanë pranë Janinës. Ishte rasti që Hodo Nivica mund ta merrte lehtësisht Janinën që mbrohej me njëmijë askerë osmanë, shumica shqiptarë që prisnin sinjal për bashkim me kryengritësit. Edhe një ditë më vonë më 28 gusht 1847 këto forca u ndeshën në luftime të përgjakëshme me trupat osmane të nisura nga Thesalia për t′i ardhur në ndihmë këtij garnizoni. Reshat Pasha me një ushtri të madhe turke ishte drejtuar kundra Rrapo Hekalit (Hasanit). Luftime të mëdha u zhvilluan kundër forcave turke në Palavli të Delvinës, zona ku forcat kryengritëse komandoheshin nga Hodo Nivica: ”Hodo Beu i Kalasë / E rreh topi kumbarasë / Kumbaraja me zinxhirë,/Nizam dymbëdhjetëmijë / Ranë fushës në Delvinë…”. Kapedanët duke analizuar gjendjen, forcat e tyre dhe masat e Portës së Lartë gjykuan të tërhiqeshin në Labëri, pasi pushtuesit dërguan 15.000 trupa të rregullta si dhe 6000 trupa nga garnizonet veriore. Përballja e parë ishte në Berat në 20 gusht ku luftonte Rrapo Hekali për dhjetë ditë derisa Rrapo Hekali me të vëllanë u tërhoqën në Labëri/Kurvelesh. Ndërkohë vijonte kryengritja në Mesaplik, Kurvelesh, Kardhiq, Fushëbardhë, Skërficë, Rrëzomë, Himarë etj, por me forca të kufiuara. Forcat kryengritëse siguruan hyrjen në grykat e maleve si në Golem, Picar, Lekdush, Gryka e Rehovës dhe nga ana tjetër në Kallarat, Bolenë, Kuç, Tërbaç etj. Poeti popullor shkruante në kujtesën krahinore dhe mbarëshqiptare: ”Çú mbush deti me pamporë,/Një pasha me tre taborë,/ S′e dinë me kë luftojnë,/ Me Gjolek Kuçin thonë,/Gjolek e Hodo Aliu,/ Në dorë palla ç′u ngriu,/ More djemt e Kurveleshit, / Me pallë luftuat sheshit… Por pas kryengritjeve e zunë vendin terrori i paparë dhe i padëgjuar i osmanëve mbi shqiptarët, të moshuarit, fëmijet, që ishin grumbulluar nëpër gryka e male. Banorët e tjerë i’u bashkëlidhën kryengritësve. Bilanci i gjashtë muaj luftime ishte kushtueshëm për të dy palët dhe sidomos për armikun, i cili la në fushën e betejës rreth dymijë të vrarë e të plagosur. “Kurvelesh krye të ngrini,/ I madh e i vogël të dili, / Burra e gra armë të vini,/ Vjen dushmani/armiku po t΄i bini,/ Asnjë të gjallë mos lini.“
Osmanët përdorën kurthet dhe dredhitë, por edhe pabesinë për të kapur Zylyftar Poda, Çelo Picari, Tafil Buzi, Hodo Nivica, Hoxhë Rexhini, Lazo Kofina, Dukë Kopali etj. Kapedanët dhe heronjtë e kryengritjeve në vitin 1847-1848 u kapën dhe i çuan në Stamboll për të zhvilluar gjuqet ushtarake. Një vit më vonë më 1849 sulltanati osman, nisur nga zhvillimet në trojet shqiptare në vilajetin e Shkodrës nga nga uria për të pushtuar trojet nga Ruso Malazezët në ngjarjet ballkanike, u detyrua të shpallë amnisti dhe për kapedanet e kryengritjes të vitit 1847 si dhe për Hodo Nivicën (internuar në Adana të Anadollit) dhe Zenel Gjolekën e kapedanë të tjerë. Në pranverën e vitit 1852 malazezët sulmuan qytetin e Shkodrës në dy drejtime, në veri të liqenit të Shkodrës, në Kërnicë, ndërsa një pjesë tjetër nga mali i Taraboshit. Luftëtarët e Labërisë e të bregdetit shkuan dhe luftuan krahë osmanëve dhe malësorëve për mbrojtjen e truallit shqiptar. Luftëtarët e Labërisë më shumë se dymijë vetë drejtoheshin nga kapedanët Hodo Nivica, Zenel Gjoleka, Gjikë Thanasi, Halim Toto Progonati, etj., filluan luftimet në zonën e Kërnicës e pastaj u zgjerua dhe nga krahu i Taraboshit.
Misionarë të mbrojtjes së truallit arbëror, si amanet i të parëve
Kudo ku luftoi përfaqësonte vegjëlinë, por fuqinë dhe epërsinë e forcës fizike dhe trimërinë e spikatur, besimin mbarëpopullor dhe që ndiqej nga qindra luftëtarë të Labërisë, pasi kishin besim tek drejtimi, energjia dhe në çdo lloj luftimi garantonte fitore. Të dhënat flasin se lakmia e fqinjëve ndaj shqiptarëve nuk ka rreshtur kurrë. Historia njeh një duzinë (12) luftra midis Perandorisë Osmane dhe carizmit rus nga viti 1568 deri në vitin 1915, kur shtatë ushtri ju vërsulën perandorisë osmane. Por në fakt Osmanët nuk humbisnin tokën e tyre, por truallin shqiptar prandaj edhe kapedanët e Labërisë dhe të Malsisë në sa e sa raste u bënë bashkë për mbrojtjen e truallit arbëror nga pushtuesit dhe zaptuesit. Të dhënat flasin e Hodo Nivica ishte oxhak me rrënjë në Nivicë dhe rreth moshës 35 vjeçare mori titullin “Bej”. Nivica u bë një fshat që quhej “fshati i Beut”, që në fakt ishte një nder i madh për moshën e re, për një komunitet të asaj kohe. Hodua u përfshi në luftë antiosmane dhe me titullin qe mori, Hodoja i dha një njohje të madhe Nivicës në Vilajet. Kështu që problemet e kufijve, konflikteve, të pasurive te tjera, të mallit, probleme jetike të popullatës, nga vilajeti nga administrata do të zgjidheshin më shpejtë falë ndërmjetësimit të Hodo Aliut. Por ishte një periudhë kur masat shtërnguese reformuese të vitit 1839 bënë që kapedanët Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Çelo Picari, Balil Nesha, Hasan Gjostoja, Çobo Golemi, Hodo Aliu e kapedanët e bregdetit të rebeloheshin. Luftëtarët e Labërisë u përbashkuan në ide me Veiz Vasjarin, Rrapo Hekalin/Hasanin, Sinan Gjostojën, Dervish Aliun, Tartar Memushin, Hadër Kaninën, dhe shumë të tjerë që rebelimin “e kishin në gjak”, ndërkohë që Delvina ishte një nga epiqëndrat e rezistencës në jugun e Shqipërisë. Prandaj kënga e popullit thotë: ”Ra topi në Palavli,/fush’ e Delvinës u nxi,/me nizam’ e me deli,.dhjetë mijë suvari,/I shkreti Hodo Ali,/i kish djemtë çilimi,/bën me dor’ e bën me sy,.O burra, t’u hidhemi,/Është nat’ e s’vritemi…”. Duke ju referuar epikës historike, sikundër shprehin edhe vargjet e këngës, mes këtyre luftëtarëve, Hodoja ishte autoriteti i spikatur, si njeriu me titullin “Bej”, që luftonte bashkë me luftëtarët në një front, kishte aftësi organizuese e komanduese të veçanta, çfaqur në betejat nga Janina, Gjirokastra e Delvina në Mal të Zi/Podgoricë që kishin rënë dukshëm në sy të osmanëve, por dhe të bashkëluftëtarëve të tij, si dhe rridhte nga një oxhak me shumë prestigj për kohën. Ishte koha kur nuk drejtonin të pasurit, por më trimat, më organizatorët dhe më luftarakët. Trimërinë e shqiptarëve e veçanërisht të kapedanëve të Labërisë e shfrytëzuan osmanët për të mbrojtur tokën e tyre, në fakt truallin shqiptar. Në mars–prill 1852 në Podgoricë komanda osmane e sulmuar nga malazezët, prapa të cilëve qëndronin rusët dërguan kasnecët (lajmëtarët/tellallët) Hodo Aliut e kapedanëve të tjerë, pasi i kishte falur sulltanati për “zullumet”, që kishin bërë dhe që në fakt trimat shqiptarë luftuan burrërisht dhe ranë trimërisht në fushën e nderit. Kapedanët dhe trimat e Labërisë e kishin marrë parasysh dhe vedekjen, se trimi një herë vdes dhe kur vdes për atdheun është krenari shqiptare. Nga ana tjetër është e njohur se vdekja nuk ishte në planet e Hodo Nivicës, pasi ishte kapedan prijës dhe luftëtar në rreshtat e para, ishte një frymëzues betejash dhe kënga thotë: “I shkreti Hodo Nivicë,/Ben dyfek ne Podgoricë,/Plumbat më te s’kolisnë,/Setrën e shkretë ja grisnë,/Bam ja bëjnë, e dot se vrisnë”. Vargu i fundit kapërcen çdo koment. Hodo Nivica ishte lartësuar si një legjendë mitike që nuk e kap plumbi: “Plumbat më të, s’kolisnë!”. Hodo Nivica në luftë kundër malazezëve mori edhe drejtimin e komandimit të taborreve osmane. Gjatë ditëve të mëvonshme, në betejat e zhvilluara, Hodoja i drejtoi trupat me mençri dhe intuitë komanduese të rrallë. Mori tre plagë të rënda lufte dhe nuk u përkul edhe në ditët më të vështira të luftës. Kuptohet që vdekja e Hodo Beut u perjetua si një ndër ngjarjet më të tmerrshme jo vetëm nga Nivica, por nga gjithë vilajeti, bashkëluftëtarët, që kur morën haberin për humbjen e prijesit të mençur, trimit që ndalonte suvaritë me një vështrim, që hidhte në sulm dhe frymëzonte qindra luftëtarë në front, në frontin për trojet amëtare. Kudo që luftoi burri i lartë Hodo Nivica la gjurmë trimërie e guximi, por mbi të gjitha drejtimi dhe besimi në fitore. Është kjo arsyeja që tre fyturat e revoltës popullore labe të shek XIX kundër pushtuesve osmanë, Zenel Gjoleka, Çelo Picari dhe Hodo Ali Nivica, ngelën lapidar në këngët e Labërisë: “Përse lufton a derëzi ? – As për mua, as për ti,/ Po për gjithë Shqipëri!”. Ata luftuan për mëmëdheun, për “Mëmëdheun nëpër shekuj, vrarë e prerë po kurrë vdekur,/lumenj gjaku për flamur,/ Si nuk humbi pyet bota?,/Prerë me shpatë djegur me topa?/Jo mor jo s’humbet shqiptari,/e provon çelikun zjarri”. Për trimin e Nivicës ka një libër “Një këngë trimërie” me autor Muhamet Hoxha, ka poezi e këngë, balada e tregime, janë thurur mite e legjenda edhe pse Hodo Niviva është një qënie e gjallë e pavdekshme në krenarinë e shqiptarëve. Sipas shumë librave, monografive e enciklopedive Hodo bej Nivica prehet në fshatin Shpuzë të Malit të zi dhe varri i tij është i rrethuar me kangjella hekuri. Koha do të provojë dhe duhet t’i jepet e drejta e mohur, një varr për prehje në vendlindjen e vet, më saktë në varrezat e dëshmorëve të Tepelenës ose të Tiranës, ku ta gjykojë e vendosin strukturat shtetërore në bashkëpunim me Shoqatën “Nivica” dhe shhush, strukturat Bashkiake, të Prefekturës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.
Hodo Nivica në “këngë trimërie” të Muhamet Hoxha
Këngët për Hodo bej Nivicën kanë nisur që në gjallje të tij, që kur braktisi nizamllëkun dhe rrëmbeu fatin e fshatit krahinës dhe Labërisë duke u përballur për më shumë se dy dekada nëpër luftra në jug dhe në veri të Shqipërisë. Kapedanët e luftëtarët e lirisë të kohës së Tanzimatit i njeh historia shqiptare, librat, enciklopeditë, këngët, sepse ata i dhanë shpresë popullit në kohë pushtimi, ata organizuan kuvende dhe shkuan në kundër politikës centralizuese osmane, kundër tansimatit, kundër nizamllëkut që kryhej jashtë truallit shqiptar, kundër taksave, duke i rënë kryq e tërthor Labërisë, Delvinës, Gjirokastrës, kudo ku e ngarkoi ndërgjegjia popullore shqiptare në mbrojtje të trojeve të të parëve. Pas shtypjes së kryengritjes shqiptare të 1847-tës nga ushtria osmane, Hodua u internua u kam me dredhi në fushën poshtë rrepeve të Agait (Poshtë Taroninës) bashkë me 85 kapedanë e luftëtarë të tjerë dhe u dënua me internim në Adana të Turqisë fillimisht. Trimëria e tij është pasqyruar edhe në folklor dhe ne kenget popullore si: “Hodo bej, Hodo Nivica/I larti sa Këndrevica/sa Këndrevica me borë,/shesh për shesh mbaje taborë,/ ashtu si trimat luftojnë“. Këngët e popullit kanë bashkëshoqëruar lebërit dhe mbarë shqiptarinë nëpër luftra. Këngët janë histori e vërtetë, janë si document “RHK” të papërsëritshme për historinë e shqiptarëve, që flasin për kapedanë e prijësa, për beteja e histori luftrash, për trimërinë dhe mençurinë shqiptare: “Hodua me gjith′ Gjolekë,/ Trima toskë e trima gegë,/ Iu ngjitën malit përpjetë,/ Ik, o Niko, se të zunë,/ Brënda në Rekë t′u funë,/ Reka me kulla të larta,/ Nga Cetina dukej flaka.“. Është një libër “i harruar”, bibliotekave “një këngë trimërie” të Muhamet Hoxha, sikurse ka dhjetra e qindara të tilla pasi gurra e popullit është e pashterrshme. Ne kemi ngjedhur një ndër më të arrirat “Baladë për Hodo Nivicën” të shkruar mjeshtërisht nga Mihal Gjergji: “Si gjerdan mbi supe,/Të mban Këndrevica,/Vështron thellë në kohëra,/ Hodo bej-Nivica,/Ja, përtej Delvinës,/ Paska rënë mavria,/ Plagët e Janinës,/ I lidh Çamëria./Nxijnë serasqerët,/Shtigjeve me prita,/Në ç’ferman dovleti,/Fjalën e merr frika?/ Zgjohet Kurveleshi,/ Supet shkundin malet,/ Se nuk sos rrebeshi,/ Gjaku s’mund të ndalet!/ Dridhet Podgorica,/Nën patkonj karvani,/Mbrin Hodo Nivica,/Skuqet jatagani./ la numron Sulltanit,/Ditët si tespie,/Shemben pashallarët,/Po Hodua nuk bie./Të qep vetëtima,/Shajakun mbi supe,/ Plumbat-bam, ja bëjnë,/ E ti bëje tutje./Si nuk thinjet dheu,/ Që të mban mbërthyer,/ Të pret Labëria,/ Ende nuk je kthyer?/ Po ti, as në djepe,/ S’pate kohë të flije,/ Ç’gji të Mëmëzonjës’/Nëpër flakë e pije?/Lotët që s’ta puthën,/ Syrin si fajkua,/ Po i nxjerr nga shpirti,/Për dhimbjet e tua”. Një baladë rrënqethëse e nxjerrë nga sepetet labe rrëzë Këndrevicës. Ndërkohë Mihal Gjergji sjell edhe detaje nga kërkimi i eshtrave në trevën e Malcisë, përtej mbishkodrës, në Shkuzë ku ra Hodo Aliu, “Hodo beu, qysh në gjallje e kishte ngarkuar varrin në shpinë, kësisoj s’ka ç’i duhet varri pas vdekjes”. Por eshtrat i duhet shqiptarisë, nderi dhe respekti për burrat e kombit që u përgjakën për tokën arbërore. Ai thotë se, “para disa vitesh ndalova në Kongjin të Malit të Zi, afër fshatit me emërin Rexhina. Shoqëruesi malazez (shqiptar i sllavizuar) bënte be e rrufe se varri i vjetër që kishim përpara ishte i Hodo beut. I kërkova dëshmi dhe ai s’kishte ç’afronte veç gojëdhënave të trashëguara..”. Këtë problem mund ta zgjidhte shteti. Në vitet ’70-të të shekulli të kaluar u bë marrëveshja Shqipëri-Jugosllavi për tërheqjen e eshtrave të partizanëve shqiptarë që ranë në tokën shqiptare përtej kufirit të “Shqipërisë londineze 1913”. Marrja e eshtrave të të rënëve të luftës së vitit 1852 duhet të ishte përfshirë në marrëveshje krahas marrjes së eshtrave të partizanëve tanë dëshmorë. Luftëtarët e Labërisë që ranë në Mal të Zi kanë qenë më shumë se 850 vetë. Varret e kapedanëve të Hodo Nivicës në Shpuzë (varr i rrethuar me kanjëlla hekuri, shkruhet në shumë libra) dhe varri i Zenel Gjolekës në Shkallën e Kërstiqit me siguri që kanë qenë objekte mjaft të njohura nga malsorët tanë që kanë jetuar e jetojnë përtej kufirit tonë administrative. Kështu edhe për kapedanët e tjerë Gjikë Thanasin e shumë të tjerë. Ndoshta do ta “zgjidhte” problemin ndonjë varr imagjinar të ndërtuar enkas në kujtim e nderim të tij, një varr bosh/kenotafe, një traditë e krijuar nga njerëzimi. Në kohën që varrimi bëhej “ku i zinte balta”, njerëzimi sajoi varre bosh, për njerëzit e afërt të vdekur larg vendlindjes, në buzë të lumenjve, në shkretëtirat ku kryhej shërbimi i nizamllëkut ose ushtarë-mercenarë të perandorive apo sulltanateve. Kapedan Hodo Nivica mund të kishte një varr simbolik edhe në rrethinat e Kalasë së Nivicës, si qëndrestar i paepur antipushtuesve. Raste të till aka në botë pork a edhe në Shqipëri, pasi Selam Musai dhe dhymbëdhjetë luftëtarë që ranë në Luftën e Vlorës, (intalianët ua morën trupat dhe nuk u gjendën kurrë) kanë varre simbolikë. Një të tillë mund ta kishte edhe mund ta ketë edhe Hodo Nivica pasi të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, sepse ligjërisht (ligji 109/2018), i takon me kritere të plota, pse jo edhe “Nderi i Kombit”. Por më të madh se një varrosh, lapidar apo memorial, sado i lartësuar të jetë është memoriali në zemrën e popullit, atje ku e tundi djepi, i lartësuar aty ku s’mund ta mbrijë askush: “Hodo bej, Hodo Nivica,/ I larti sa Këndrevica!”. Rrallë burrat krahasohen me malet! Nga ana tjetër këngët nuk rreshtin për trimërinë, mençurinë, veprimin energjik, betejat e kapedanëve, udhëheqësinë e tyre kur frymëzonin për beteja: “..me plumba s’goditemi,/me pallë do pritemi”, dhe më tej, “Taraboshi brigje-brigje,/Mal i sertë pa fare shtigje,/Iu qep Hodua një kurrizi, /nxorri pallën llamburisi,/Karadakun çe lanetisi”… “Lum i sertë na hapi punë,/ Djema mos futni në lumë,/ Karadaksit janë shumë,/ Le të vritem vetëm unë,/Nga ptrapa të gjithë vanë, /Plumbat e bënë hatanë, Dymbëdhjetë shpirt u vranë,/Kuajt muarën dynjanë”. Vargëzimi popullor nuk harron të vrarët në betejë: “..kallëm në dhe djemtë e vrarë,/vijmë tok për t’i marrë,/Jo që të mos kenë as varrë,/Unë se kam për herë të parë,/Me ushtri kam qenë prapë”… “Do qaj unë Labërinë,/ Për Çelon që mbet në Athinë,/ Gjolek kordhë këqinë / Bashkë me Hodo Alinë / Njeri Rjekë tjetri Cetinë / Për të mbrojtur kufinë / Qaj e qaj moj Këndrevicë e lartë,/ Qaj për drerin e Shqipërisë,/ Podgorica me shpuzanë,/Gjithë kapedanë janë,/ Luftojnë me Karadanë,/ I shkreti Hodo Nivicë,/ Bën dyfek në Podgoricë,/ Bam ja bëjnë, e dot s’e vrisnë,/ Plumbat mbi të s’kolisnë …“. Një ndër kapedanët që luftonte në Mal të Zi ishte edhe Halim Behlul Toto Progonati, që ka ngelur në këngë: “Mbahu, mbahu Halim Nuri,/Se të vjen Hodo trim desturi (përpara),/Me dymijë djem prej guri,/Me dymijë djem malsorë,/Të gjithë të zgjedhur me dorë,/Që të gjithë me kordhë në dorë…” . Në një ndër kulmet e betejës ishte kur Hodo bej Nivica kaloi nëpër shtigje dhe i doli në shpinë artilerisë armike, ku shkatërroi topat dhe zuri robër topçinjtë: “…Hodo trimi nur o nur,/For a me këllëç desturë../Në qaftë te’ karaulli,/ Topçinjtë të gjallë i zuri..”. Rapsodi nuk gdhend këngë për postulate për brezat, për një kapedan që nuk e mposhtu as plumbi dhe se mposhti jatagani: “..Të enjten e të xhumanë,/ Hodo trimi e dha xhanë,/Hingëllin i shkreti kalë,/ Hingëllin e s′do të hajë,/ Njëzet vetë dot s′e mbajnë…, ndërsa figura e prijësit të madhe të kryengritjes mbarë popullore vjen me vargjet: “O bajrak i kuq me lule,/ Kaza më kaza u ngule,/ Parësinë e sëmure,/ Parësinë e Vilajetit,/ Hodo kapedan i detit,/ I rri për karshi dovletit,/ O Hodo , Hodo Nivica,/ I lartë si Këndrevica.., ose për trimërinë e tij: “gjylja në kokë i ra,/Koka në dysh ju ça,/Ai bën sikur se pa..”.
Vlerësimi për Hodo Nivicën i merituar, por edhe i vonuar
A nuk kërkoi kurrë lavdi dhe merita dhe as pranoi kurrë nënshtrimin dhe poshtërimin duke përbuzur pasurinë. Ai ishte bej në mendim e veprim, aristokrat i pallës së larë, që dinte ti fliste mikut dhe armikut me armët që ata kërkonin. Hodo Aliu ishte figurë e dashur dhe e respektuar jo vetëm në fshatin e tij në Nivivë-Rexhin, por në mbarë Kurveleshin e Labërinë. Hodo Nivica ishte një udhëheqës shqiptar i njohur për rolin e tij në revoltën shqiptare të vitit 1847. Ai ishte një nga liderët e paktë vendas që i shpëtoi masakrës së bejlerëve shqiptarë në Manastir, edhe pse ishte mjaft i ri në atë periudjhë dhe sapo kishte përfunduuar nizamllëkun. Edhe pse i ftuar nga guvernatori osman, i dyshimtë për qëllimet e tij të vërteta, ai nuk shkoi në Manastir dhe koha vërtetoi se kishte të drejtë. Masakta e Manastirit ishte një ndër kurthet më të mëdha që osmanët kishin kryer ndaj shqiptarëve. Madhështinë dhe lavdinë e jataganit lab të trashëguar shekujve e çoi më lartë falë aftësive të tij drejtuese si kapedan lufte dhe si luftëtar i sprovuar i fushëbetejave. Në praktikën botërore kur nderohen trimëritë dhe epopetë e luftrave të popujve merren në konsidreratë gjithë drejtuesit dhe bashkëkapedanët e betejave. Në Shqipëri ka ndodhur krejt ndryshe. Asnjë titull vlerësimi shtetëror nuk ka Hodo Nivica, edhe është po aq i njohur sa kapedan Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Gjikë Thanasi nga Qeparoi etj.
Fakt është se ka ardhur koha të vlerësohet nga organizmat e shtetit figura madhore e Hodo Nivicës dhe kapedanëve të tjerë të Labërisë që janë të shumtë por një vend nderi padyshim zë Hodo Nivica, ndërkohë që një rrugë në Tiranë ka emrin e të famshmit “Hodo Nivica”. Por ndërsa Zenel Gjoleka (Kuç 1806 – Kërstiq, Mali i Zi, 1852), në qershor 2003 ju vendos në Kuç përmendorja,vepër e skulptorit Zeqir Alizoti, sponsorizuar nga “Vëllazërimi kuçiot” më 28 prill 2012 Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i akordoi Zenel Gjolekës Urdhrin “Nderi i Kombit” (Pas vdekjes). Por Hodo Aliu-Nivica do ti duhet të “presë” ta nderojë shteti. Fakt është se birin e fshatit Nivicë nuk e harroi fshati. Shoqata “Nivica” e drejtuar nga ish-ushtaraku madhor Subi Çako, përgatiti dhe vendosi bustin në nderim të luftëtarit Hodo Nivica më 15 gusht 2010 duke e sjellë fizikisht “të gjallë” kujtimin e prijësit popullor që udhëhoqi kryengritjet antiosmane kundër reformave të Tanzimatit, bashkë me Zenel Gjolekën, Çelo Picarin, Tafil Buzin, Rrapo Hekalin Çobo Golemin etj., në Shqipërinë e Jugut. Kapedanët e Labërisë luftuan deri në Podgoricë të Malit të Zi për mbrojtjen e kufijve arbërorë. Bustin e heroit, këtë vepër të skulptorit Pjerin Kolnikaj, për ta zbuluar ja besuan mbesës së luftëtarit të madh, znj. Lavdie Beqohitaj (e ardhur posaçërisht nga Vlora). Përpjekje u bënë dhe për të sjellë eshtrat nga fshati Shpuzë ku ka rënë në verën e 1852-it, plot 172 vite më parë, por që sakrificat e bijëve të Nivicës për të marrë eshtrat e Hodo Nivicës nuk rezultuan të suksesshme. Por një bust për heroin Hodo Nivica është i pamjaftueshëm pa vlerësimin e instancave shtetërore. Dikur në tekstet e leximit letrar kishte vazhdimisht vjersha që evokonin trimërinë e kapedanëve dhe mbrojtjen që ata i bënë truallit arbëror me gjak e sakrifica të mëdha, ndërkohë që është shkruar monografia “Një këngë trimërie” nga Muhamet Hoxha, ka një rrugë në pjesën verilindore të Tiranës “Hodo Nivica”. Nga ana tjetër në bazë të ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, bazuar në nenin 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”, Hodo Ali Nivica (25.3.1805 – 20.8.1852 datat janë sipas gojëdhënës popullore dhe të pambështetura me dokumente), meriton t’i akordohet titulli i lartë statusi “Dëshmor i Atdheut”. E megjithatë një maksimë proverbiale popullore e shqiptarëve thotë, “Më mirë vonë se kurrë”!
Burimet e studimit: Tekste leximi letrar, të viteve ’60-’90-të të Ministrisë së arsimit, ku përfshinte këngë trimërie edhe për Hodo Aliu (Nivica), Zaho Golemi periodiku i Revistës Mbrojtja organ i MM, Këngë trimërie, nga Resul Bedo, Tiranë, 1968 me 167 faqe; Rami Memush, Histori e Kurveleshit, faqe 256-280; Mexhit Kokalari, Trima të Kryengritjeve popullore, Shb “8 Nëntori”, Tiranë, 1979; Sulejman Kylçe, Shqipëria në historinë osmane, Tiranë 2004; Nasip Meçaj, Xhemil Çelaj, Fatmir Toçi, Enciklopedi e Kurveleshit, Toena, 2009; Bardho Hysenaj, Histori e Labërisë, Tiranë, 2011, faqe 148-149, 608; Vangjel Meksi, “Revista politiko-ushtarake”, Kryengritja antitanzimat në Shqipëri, Tiranë, 1977. Vangjel Meksi, Rreth kryengritjes së madhe popullore të shqipërisë së Jugut gjatë..Tiranë 1977; Xhemil Çelaj, zëri “Hodo Nivica” në FEUSH, Prishtinë, 2020, faqe 622; Revista Ylli, 1968, nr.8; Rreth kryengriitjes së madhe popullore të Shqiperise të Jugut gjatë vitit 1847 / Vangjel Meksi ne Buletin shkencor, 9 (1970); Të dhëna rreth historisë së krahinave autonome shqiptare gjatë shek. XIX / Vangjel Meksi ne Buletin shkencor, 6 (1967); Vangjel Meksi, Kryengritja fshatare e Shqipërisë së Jugut; Agim Rusto 160 vjetori i renies se kapedanit Hodo Nivica, publikim i 4.7.2012; Dr. Hasan Luçi, Mitat Kondi, Marko Koroni, Shpata e Labërisë, vjersha Tiranë, 1998; Mexhit Kokolari Besëlidhja shqiptare dhe kryengritja e madhe fshatare e vitit 1847, Resvista Studime Historike, viti 1974, nr.2 faqe 153; https://ëëë.lajme.gen.al/2010-08-17/shoqata-nivica-vendos-nje-bust-ne-nderim-te-luftetarit-hodo-nivica.html, Mihal Gjergji: Një varr për Hodo Nivicën; Ahmet Qeriqi nga Kosova me studim të hollësishëm, vëll II, për Epikën Historike, Tiranë 1981”, Kondo Kondi, tetralogjia “Maria e Epirit”, Muhamet Hoxha “Një këngë trimërie”, Tiranë: SHB “Alsa”, 2009; Luan Gërveshi “Lufta turko-malazeze”; të dhëna nga Subi Çako, Dr. Kujtim Çako, nga periodikët e gazetave lokale “Zëri i Kurveleshit”, “Vëllazërimi kuçiot”, “Labëria’, “Fushëbardha”, “Mbrojtja”, “Ushtria”, Historia e kapedanëve që sfiduan turqit e grekët në mes të shekullit XIX; https://27.al/kapedanet-e-fustanellave-shqiptare/ Marin Mema 2017;
–