Publikohet libri i Qerim Vrionit “Të shpëtohet afresku i Shpatarakut”
Doli në qarkullim këto ditë në Tiranë përmbledhja publicistike “Tëshpëtohet afreskui Shpatarakut” i studiuesit të fotografisë, publicistit dhe fotografit Qerim Vrioni. Botimi ndahet në pesë pjesë, kreu i pare titullohet “Çështje shoqërore”, ku përfshihet edhe shkrimi që i ka dhënë titullin librit. Në këtë shkrim bëhet fjalë për gjendjen e tanishme jo të mirë të afreskut “Apokalipsi” të Kostandin Shpatarakut në Kishën e “Shën Marenës” në Llëngë të Pogradecit. Afresku ose piktura murore (130 cm x 240 cm), është pikturuar në një faqe muri brenda kishës nga Shpataraku në vitin 1754, pra rreth 270 vite më parë. Ka shumë të ngjarë që kjo vepër të jetë edhe më e vjetra e llojit në trojet shqiptare.
Kreu i dytë merret me “Shënime për libra dhe ekspozita fotografie”, të botuara së pari posaçërisht për raste të caktuara.
“Figura të shquara”, emërtohet kreu i tretë, ku shkruhet për personalitete të tilla të njohura në kulturën kombëtare si Ramadan Sokoli (muzikë), Piro Naçe (fotografi), Vangjush Mio (pikturë), Sadri Ahmeti (poezi dhe pikturë), Pano Taçi (poezi), Bajram Sefaj (letërsi dhe publicistikë), Fatos Baxhaku (publicistikë), Luan Mulliqi (skulpturë) etj. dhe për kontributet e tyre të dalluara në fusha të ndryshme
Kreu i katërt titullohet “Nga Fotografia Botërore”,Brenda tij trajtohen pjesë nga krijimtaria më e spikatur e fotografëve të njohur Jousuf Karsh (kanadez), Arnold Newman (amerikan), Ara Guler (turk) dhe Hyppolyte Bayard (francez). Këta futen në ajkën e historisë botërore të fotografisë.
Në pjesën e fundit janë paraqituar dy intervista të autorit rreth veprimtarisë së tij krijuese në vite. E para e transmetuar drejtëpërdrejt në seksionin shqip të radios britanike BBC me gazetarin Ilir Kadia, më 9 qershor 2009, ndërsa e dyta e botuar në faqet e gazetës kulturore “ExLibris” me publicistin nga Prishtina, Bajram Sefaj, më 27 gusht 2022.
Ky është libri i tetë i autorit dhe i dyti në fushën e publicistikës.