Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iljazi: Shaban Murati, një zë unik kombëtar

Mjeshtri i Madh i Diplomacisë, Shaban Murati, më 2 shtator mbush 79 vjet dhe hyn në të 80-tat. Profesori i shquar, për të gjithë ata që e njohin dhe u është dhënë rasti të bisedojnë me të, është padyshim një personalitet poliedrik, diplomat me aftësi të rralla, humanist, historian, gazetar e polemist, me kulturë solide në fushën juridike dhe atë të së Drejtës Ndërkombëtare, njohës i mirë i letërsisë, eseist, madje dhe profesor në estetikë. Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Me një aktivitet të gjatë publicistik, diplomatik, filozofik e letrar, Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.

Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim. Në Shqipërinë tonë, ku rrallë flitet për atdhetarizëm normal dhe ku në diplomaci po ndodh një fenomen i gjemetrisë ireale dhe absurde, Shaban Murati, vizionar dhe kurajoz, përpiqet të fshijë tabu dhe antitabu, duke u përfshirë me një zell të pashoq në jetën publike të vendit, për një lulëzim të ri të energjive kombëtare, me moton që mbikombëtarja të mbështetet në themele kombëtare.

Ky është një mision pretencioz, në shembullin e antropologjisë strukturale, që të sigurojë ngritjen intelektuale dhe zhvillimin normal të shoqërisë shqiptare në kohën e ndryshimeve kaleidoskopike.

Për sa kohë një komb si Shqipëria nuk e ka të strukturuar unitetin e vet të brendshëm, për sa kohë jemi të kërcënuar në ekzistencën dhe pavarësinë tonë dhe fqinjët sillen si rivalë e kundërshtarë, nganjëherë edhe si pushtues, do të ekzistojnë njerëz si Shaban Murati, me një ekzaltim të rrallë të ndjenjës patriotike, që përbën shprehjen më të lartë të detyrës qytetare.

Personalitete të tilla janë garancia më e mirë për kombin, që ai të shkundet nga izolimi dhe inferioriteti, për të kuptuar fuqinë e tij të mirëfilltë, cilado qoftë ajo. Në veprat e tij, si analist i politikës së jashtme, si legjislator i qetë i arsyes dhe dhe i mendimit diplomatik, ai ka gdhendur qartë gjithë strategjinë kombëtare në realitetin e ri gjeopolitik.

Shaban Murati kurrsesi nuk mund të qortohet për ndonjë mungesë konsekuence. Ai përfaqëson një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare. Duke i quajtur gjërat me emrin e tyre, sentencat diplomatike të ambasadorit janë pohime sublime për të hequr dorë nga hallaktjet e deliri spontan dhe për të mos u trembur nga fantazma e vetvetes.

***

Pjesën më të madhe të analizave të tij prof. Murati ia ka kushtuar problematikës, fizionomisë, rrugëtimit dhe përballjeve konkrete të diplomacisë shqiptare në ditët e sotme me detyrat dhe misionin e saj. Në qendër të analizave diplomatike vendoset objektivi profesional, shkencor dhe diplomatik, i kërkimit të një identiteti shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë shqiptare. Në vështrimin kritik të autorit, diplomacia shqiptare e periudhës së demokracisë ende nuk e ka gjetur dhe formuar identitetin e vet shtetëror dhe kombëtar dhe duhet t’i futet rrugës së kërkimit të këtij identiteti. (Shih librin “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit).

Murati është, para së gjithash, themeluesi i modelit kulturor kritik të diplomacisë shqiptare, duke nxitur shkollën diplomatike shqiptare të përshtatet me sfidat e reja të integrimit euro – atlantik. Veprat e tij janë një manual me interes si për diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme. Ato përbëjnë një kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të saj. “Ata që kanë drejtuar Shqipërinë dhe diplomacinë, përgjithësisht kanë qenë profanë në diplomaci dhe nuk patën as vizion e as dimension shtetëror, që të kërkonin dhe t`i jepnin identitet diplomacisë shqiptare. Ata nuk qenë në gjendje të ndërmarrin qoftë edhe një nismë të vetme diplomatike shqiptare. Në Shqipëri ka munguar mendimi diplomatik, e për pasojë diplomacia shqiptare nuk mund të ketë identitet”, është shprehur diplomati Shaban Murati gjatë intervistave të tij publike. Duke e kundruar diplomacinë shqiptare si të kompleksuar dhe gati të shpërfytyruar, përderisa misioni i saj nuk deduktohet nga asnjë princip universal, apo parim kombëtar e ndërkombëtar, diplomati ynë i shquar ka analizuar shkaqet dhe pasojat e kësaj gjendjeje: “Kjo situatë e pakëndshme ku Shqipëria e sheh veten jashtë një praktike të re diplomatike dhe të marrëdhënieve të Ballkanit, duhet të verë në mendim dhe në lëvizje diplomacinë dhe qeverinë shqiptare. Këtu duhet ndalur dhe reflektuar thellë se për ç’arësye Shqipëria ka një status të tillë, i cili mund të quhet inferior. Status ku shtetet e të njëjtit gadishull, disa prej të cilëve i përkasin të njëjtit bllok ushtarak, nuk e marrin në konsideratë faktorin “Shqipëri” në politikën e tyre ballkanike apo jashtëballkanike”, thotë prof. Shabani në një nga opinionet e tij.

***

Profesor Shabanin e ka intriguar më së shumti Ballkani, historia e tij e pafat si paradhomë e Evropës, plagët e tij të pambyllura, armiqësitë e pafund, urrejtjet patologjike, nacionalizmat shovene, perspektivat e zymta.

Eshtë ambasadori që ka shërbyer në më shumë vende fqinje dhe të Rajonit tonë, në «fusha shpesh të minuara”. Analizat diplomatike të ambasador Muratit ndalen në analizën fenomeneve shqetësuese dhe me rëndësi për diplomacinë dhe për shtetin shqiptar, duke zbërthyer qëndrimet dhe interpretimet konkrete të problemeve dhe të marrëdhënieve aktuale të Shqipërisë me shtetet e tjera, kryesisht ato fqinje, të politikës rajonale dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Në këtë optikë ai analizon dinamikën dhe veçoritë e reja të marrëdhënieve të Shqipërisë edhe me Evropën dhe SHBA-të, tronditjet dhe rreziqet e moskuptimeve diplomatike.

Lajtmotivi kryesor i mbi 20 librave të botuar të Shaban Muratit është Shqipëria dhe Kosova, të cilat duhet të ecin me këmbët e veta, të bëhen shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre. Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e tyre shtetëror kombëtar dhe personal, pasi po e marrin në qafë kombin shqiptar, duke rrënuar trashëgiminë kombëtare, në emër të një konceptimi të gënjeshtërt të kombit. Duke ndjekur politika të ndara ato po kryejnë vetëvrasje.

Ambasadori u kushton rëndësi të veçantë aspekteve diplomatike dhe shtetërore të marrëdhënieve me Kosovën, ku fokuson dilemën e madhe të diplomacisë së Shqipërisë mes folklorizmit dhe forcimit institucional të marrëdhënieve specifike mes dy shteteve shqiptare.

Ambasadori Shaban Murati thotë se titullin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë” e ka vendosur me dhimbje mbi librin e tij, sepse diplomacia e të dy vendeve ka ecur në rrugë të gabuar, duke marrë, përqafuar dhe adoptuar tezat, qëndrimet, politikat dhe kushtet e e diplomacisë serbe dhe ruse.

Një këndvështrim mjaft interesant paraqesin analizat e diplomatit Murati për marrëdhëniet strategjike me Turqinë, për marrëdhëniet me Maqedoninë apo Kroacinë dhe është thelluar në analizimin e problemve që qëndrojnë pezull me Greqinë. Në disa libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

“Çështja e detit nuk ka ekzistuar kurrë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, është shprehur ambasadori. Nëse ajo do të kishte qenë çështje, ajo do të ishte trajtuar gjatë 80-90 viteve, qysh nga 1914, kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve.

“Kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë janë përcaktuar nga traktate ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme për të dy shtetet dhe nuk kërkojnë mendim ose opinion nga shtetet përkatëse. Pra, shkurt, çështja e kufijve detarë midis këtyre dy shteteve nuk ekziston; mbetet e paqenë historikisht dhe e paqenë edhe aktualisht”.

Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë dhe prerë: “Një nga provat më ulëritëse të asimetrisë së marrëdhënieve dypalëshe apo thënë më hapur, të përulësisë dhe të kompleksit të inferioritetit të diplomacisë shqiptare gjatë gjithë periudhës postkomuniste, është çështja çame”. Në librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” Murati e ka përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan: “Çështja çame është një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë dhe e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”. (Tiranë, 2009, fq.25).

“Se sa larg mund të shkojë atdheshitja e tregon sjellja e disa politikanëve dhe analistëve në Tiranë, të cilët nënshtrimin qeveritar shqiptar ndaj kushtit të Athinës për të mos përfshirë çeshtjen çame në dosjen e bisedimeve diplomatike shqiptaro-greke dhe për të mos e përmendur çështjen çame dhe emrin e Çamërisë as në Tiranë dhe as në gjithë Shqipërinë, e quajnë pa iu skuqur faqja “Sukses të politikës së jashtme të Shqipërisë. Asnjë qeveri nuk e meriton mbiemrin ‘shqiptar’, nëse në programin e tyre nuk është çështja çame. Opiumi diplomatik grek për trajtimin e çështjes çame si çështje juridike apo çështje gjykatash, ka trullosur gjatë njëzet e pesë viteve shumë qeveri të Shqipërisë dhe diplomacitë e tyre, thotë Prof. Murati.

Përcaktimi i drejtë i një përkufizimi dhe i një qëndrimi adekuat për karakterin e vërtetë të çështjes çame është i një rëndësie kardinale, sepse nga ky këndvështrim mund të shkohet në rrugën e zgjidhjes së kësaj çështje ose në varrosjen e saj. Dhe për të dalluar se ku synojnë qëndrimet dhe predispozicioni i njërës apo tjetrës qeveri lidhur me zgjidhjen e çështjes çame, duhet të shtrohet pyetja hamletiane se “çfarë është çështja çame?”. Në një analizë dhe këndvështrim profesional, sipas mendimit tim, çështja çame është një çështje politike. Ajo kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pikërisht si e tillë kjo çështje hyn në dosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe bëhet edhe çështje diplomatike, dhe rrjedhimisht detyrë dhe objektiv i diplomacisë së Shqipërisë. Zgjidhja e saj kërkon tani kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çështjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Platforma diplomatike kërkon që çështja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve. Ka dy faktorë kryesorë, që determinojnë këtë kompozim të ri të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe për trajtimin e çështjes çame.

***

Me avantazhin që më jep njohja nga afër me profesor Shaban Muratin, këtu e 35 vite më parë, në mbyllje të këtij shkrimi, të cilin do ta konsideroja më shumë një gjest mirënjohjeje që duhet ta ketë çdo qytetar shqiptar ndaj këtij Shqiptari të Madh, mund të shprehem pa droje se në historinë e diplomacisë shqiptare Shaban Murati renditet pas Mehmet Konicës, Medi Frashërit e Rauf Ficos. Faik Konica do të thoshte dikur se Rauf Fico ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri. E njëjta gjë mund të thuhet sot edhe për Shaban Muratin, megjithëse ekziston një Shqipëri zyrtare, me kufijtë e saj formalë, por që fqinjët i vënë në diskutim. Murati, ashtu si Fico, mbetet gjithmonë një evropian i madh i një vendi të vogël, një studiues vizionar dhe me ndërgjegje të pastër kombëtare, prijës i diplomacisë shqiptare, me kontribute të jashtëzakonshme në themelin e diplomacisë sonë.

Sot Shaban Murati është i vetmi zë unik, një apostull i vërtet lirie dhe shqiptarie, plot energji e dinamikë, që vazhdon ta thotë fjalën e tij, me një pasion atdhetar të pashembullt në kohën tonë. Me një stil elegant, të zhdërvjellët e sugjestiv të shkruari, është mëse e vërtetetë se në pikëpamjet e veta politike diplomatike ai është një legjitimist, që përballet me guxim ndaj atyre që e konsiderojnë veten pronarë ekskluzivë të racionalitetit.

Ambasadori Murati vazhdon të ndjekë me kujdes zhvillimet në rajon dhe jo vetëm. Analizat dhe komentet e tij vijnë gjithmonë në momentin e duhur, në mbështetje të një politike të jashtme kombëtare, e cila duhet të jetë koherente dhe e ndërtuar mbi bazën e reciprocitetit dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve kudo që ata janë e jetojnë.

Unë personalisht nuk kam njohur dhe nuk njoh personalitetet tjetër në hapësirën mbarëshqiptare, që mund të krahasohet me Prof.Muratin për nga instinkti dhe pasioni atdhetar, mprehtësia diplomatike dhe guximi në rrafshin e angazhimit për një ide dhe ideal kombëtar, jashtë çdo koniukture apo ndikimi politik.

Urime dhe jetë të gjatë!

Disa nga veprat e Shaban Muratit:

  1. Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004.
  2. Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007.
  3. Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik – 2009.
  4. Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009.
  5. Hije në diplomacinë shqiptare – 2012.
  6. Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013.
  7. Rusia ballkanike – 2014.
  8. Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016.
  9. Ballkani faustian – 2016.
  10. Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare? – 2018.
  11. Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës – 2018.
  12. Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana – 2019.
  13. Antitabu : Këshilla për miqtë – 2020.
  14. Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë – 2020.
  15. Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë – 2021.
  16. Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi (2023).
  17. Aleanca e duhur Shqipëri -Kroaci (2024).
  18. Rusët po vijnë (2024).

https://gazetadielli.com/shaban-murati-nje-ze-unik-kombetar/

Please follow and like us: