SEVASTI QIRIAZI-DAKO, IN MEMORIAM
Muzeu Historik Kombëtar/
SEVASTI QIRIAZI-DAKO, arsimtarja dhe atdhetarja e njohur shqiptare, lindi më 24 shkurt të vitit 1871 në Manastir dhe vdiq më 30 gusht të vitit 1949. Ishte njëra prej femrave atdhetare shqiptare dhe nismëtare e organizimit të arsimit kombëtar për femra. Gjatë qëndrimit në Stamboll, ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazi-Dakos të studionte në Robert College në Kostandinopojë e të luante një rol aktiv për arsimimin e grave. Shkollën e lartë e kreu në Stamboll, ndërsa pas kthimit në atdhe nisi të punonte për shkollën shqipe të vashave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor të vitit 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri, mori pjesë për ngritjen e Shkollës së Vashave në Korçë, më 1891. Kjo shkollë hodhi dhe themelet e shkollave mbi baza laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi.
Sevastia mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Është thënë ndërkaq se ajo ka botuar një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941) e me të motrën, Parashqevi Qiriazin, ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”. Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të Shkollës së Vashave, që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave që dhanë ndihmesë jo vetëm në fushën e arsimit, por u bënë edhe veprimtare të njohura të çështjes kombëtare.
Gjithashtu, Sevasti Qiriazi mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, si dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore, që ishte ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Shkroi “Gramatika elementare për shkollat fillore”. Për çështjen kombëtare bashkëpunoi me atdhetarë të ndryshëm, si dhe me Ismail Qemalin. Kur ishte kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare në ShBA, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare. Gjatë gjithë jetës së saj, Sevasti Qiriazi iu përkushtuar përparimit kombëtar dhe dha ndihmesë të madhe në fushën e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare.