Ambra Hysa: Kur dashurojmë…
Kur dashurojmë, ndjenja është një melodi që e luajmë për herë të parë, simfoni që na pushton gjithandej. Dëborë e butë që zbret ngadalë mbi botën tonë.
Kur dashurojmë, ndjejmë se kemi takuar shpirtrat, se jemi frikshmërisht të ngjashëm dhe se ndoshta dikur apo diku, jemi takuar në një jetë tjetër.
Kur vërtet dashurojmë, bota mbetet jashtë, veç dashuria qëndron, si uji që ushqen lulen më të brishtë në kopshtin e zemrës.
Kur dashurojmë duket se edhe koha ndalon.
Kur dashurojmë nis padurimi i zemrës.
Kur biem në dashuri, është gjithmonë koha e duhur për t’u kthyer në shtëpi. Dashuria vjen papritur një të premte pasdite dhe na trazon zemren, por zëri i dashurisë mund të qetësojë oqeane.
Kur dashurojmë, e mendojmë pafund, edhe kur atë e kemi larg.
Dashuria na zhyt në ëndërrime, na bën ëndrrimtarë, ndonjëherë edhe skllevër, por gjithmonë njerëz më të mirë.
Dashuria na sëmur, por veç ajo di të na shërojë.
Kur dashurojmë jemi të verbër, por mund të shohim me sytë e shpirtit.
Kur dashurojmë sytë qeshin, flasin, ndizen, zemërohen, qajnë.
Kur dashurojmë, në një botë plot me njerëz, ndihemi të vetmuar, se nuk e njohim adresën e shpirtit tonë.
Kur dashurojmë bëhemi turistë, kërkojmë në çdo cep, kapërcejmë të gjitha kryqëzimet, për të mbërritur në lokacionin e shpirtit, aty ku vetëm gjuha jonë flitet rrjedhshëm, aty ku kodi ynë është i lexueshëm.
Kur dashurojmë i heqim të gjitha maskat, guxojmë të jemi të vërtetë.
Vetëm kur dashurojmë mund ta përballojmë errësirën e mendjes.
Kur dashurojmë edhe stuhitë e kanë një kuptim, edhe shiu shuan etjen e zemrës.
Kur dashurojmë, veten nuk dimë ta kursejmë asnjëherë.
Please follow and like us: