Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bledar Koçi

 

Përmes qytetit tim

 

Ja erdha prapë si miturak,

të zbraz një shpirt plot mallëngjim,

ku udhët vijnë e mblidhen qark,

si dej përmes qytetit tim.

 

Në gurë gdhendur dy sorkadhe,

më presin gjithë dashuri.

Nga ç’pyje zbritën vallë, nga ç’male

syngrirat nëpër gurët gri?!

 

Më josh një qoshk’, një trotuar,

të prek kujtimet një nga një,

më tej një pishë halash – tharë,

më zë përdore, e s’më lë.

 

Mbi gjarpërushen, tek dihas,

një shkallëz shkëmbi gjer mbi re,

patjetër nis me një parajsë

qytezë, shpezë në fole.

 

Përtej gjallon i qetë një lumë

që s’vjen e s’rrjedh si gjithë të tjerë

i vetëm, shekujsh gdhend me zhurmë,

të tijin shtrat nëpër humnerë.

 

Si miturak, ja erdha prapë

të zbraz një shpirt plot mallëngjim,

ku udhët vijnë e mblidhen qark,

si dej përmes qytetit tim.

 

Sinjalet

 

Takimet linim te nje pus,

O shoku im i vjetër!

Unë me sinjal të guguftusë,

e ti, si gjel i egër.

 

Si një kotele lozte dielli;

atje mbi një çati.

Kullonte mjaltë një copëz qielli

te man’ i zi përbri.

 

Pastaj të dy merrnim përrenjtë

mëngjeseve të bardha,

dhe frymën mbanim te lëmenjtë

për mollë e dardha.

 

E kur humbisnim tej përfund

të gjelbërtit mantel;

të t’gjeja bëja guguftunë

dhe ti, të egrin gjel.

 

Në ç’ëmbëlsi u tretën vallë?

E shkuara si na shkoi…

Dhe kashtë e lëmit u bë mall

dhe ujërat e përroit.

 

Qëmoti shkova, erdha unë!

Si ne, nuk gjeta tjetër.

Por tash s’e bëj dot guguftunë

as ti gjelin e egër.

 

Thinja e tim eti

 

Një mbresë më çon në vogëli;

me time motër flemë në shtrat.

Ish dimër, jashtë frynte stuhi,

dëborë qëmtonte maj’ e lartë.

 

Bujashkash, zjarri flakërinte

fytyrën gjyshes nën çember.

Dremitur, kryet, ulte ngrinte,

në çast, im At’ troket në derë.

 

Këpucët heq e shkund përtokë

Dhe syri i motrës ndez shkëlqim,

Ngre doçkat lart e i tund fort

Lodruar gaz e përmallim.

 

Babai vjen e futet shtratit

Kristalë dëbore shkrirë mbi kokë,

Një thinjë i shoh në skaj të ballit

Vështrimin lehtë i’a tres ndër flokë

 

Mendoja çiltër si fëmijë,

“U plak babai! Vërtetë u plak?

Të paktën një, nuk janë njëmijë

bujashkat sobës, ndrinin flakë…

 

Dhe ikën vite, rrodhën dimra

si ujëra malesh e përrenj.

U zbardh im At’ në mijëra thinja

të zinjtë flokë i hodhi tej.

 

Dhe si dikur, tani, dhe sot

Babanë qafos me krahë gëzimi.

Kërkoj t’ia shoh e s’ia gjej dot

të parën thinjë, zambak kujtimi.

 

Erëmim

 

Ç’aromë…

Ç’aromë atyre mureve!

Erëmójnë myshqet gurëve.

Erëmón portë e drunjtë.

Erëmójnë duart e nanásë mbi perde, peróndave mbetur.

Erëmón dhe baltë e trëndafilit të vdekur.

( Ah, trëndafili, që më ndiqte avllisë e gajasej me mua )

Erëmón tmerrësisht dhe një mën gjysmë prerë, dimrash i mardhur,

dhe kashtë e kasolles me thupra bri hënës varur.

Ç’aromë..

Ç’aromë atje!

Dhe unë erëmój

në çapa fëmije

mes tyre përmallur.

 

Biri i yjeve

– Kahreman Yllit –

 

Luftë dhe paqe.

 

Tytat e çelikta zbraznin të parat thírrma lirie.

I verbër e me lecka në trup endej Atdheu.

Mësuesi zvarritej.

Zvarritej mbi baltra të rënda me një yll lindur zemrës.

Një grusht rreze shtrëngonte në duar, dhe dy flakadanë pareshtur syve shpërthenin…

 

Ish biri i yjeve ai.

Varret e etërve, erërat dhe sythet e kaltra gëzonin ardhjen e tij.

 

Teksa Atdheu zhvishej terrínës e vishej me dritë,

Ai digjej e digjej.

 

Parfumi

 

Kjo shishkë me pakëz aromë

një mall të djegur më shkundi.

Si gjethëz me vjeshtën e vonë

një puthje të largët parfumi.

 

Siç duket, rri fshehur aty;

në qelqen e vogël përbrenda.

Aromës janë tretur me ty,

ca vjersha, dëshira dhe ëndrra.

 

Ti endesh në ç’botë, s’e di!

Aromës, me mua ti je.

Kjo vjeshtë e vonë ç’vetmi!

Tek zgjohesh, pranë shishkës ti fle.

 

Dhe endem mes mallit të djegur,

sa ëndrra s’i preku më gjumi…

Kur shkundi si gjethëz të zverdhur

një puthje të largët, parfumi.

https://telegraf.al/suplement/suplementi-pena-shqiptare-bledar-koci-permes-qytetit-tim/

Please follow and like us: