Poezia ‘Melankoli’ e Pushkinit, në shqip nga Arqile Garo
Aleksandër Pushkin: Melankoli
Mjegull e dendur lëshon rrënjë në malet gjeorgjiane,
Aragva* dridhet gjithë mundim, unë rri dhe e vështroj,
porse një mall i thellë, i rëndë, melankoli mjerane,
më sjell një pikëllim pa anë dhe vetëm të mendoj.
Melankoli dhe mall i rëndë, i qetë i patrazuar,
asnjë mundim, veçse trishtim i butë, që torturon,
por zemra dhemb, ndjen një thellim dhe ndihet e rrënuar,
se pa llahtarë e dashuri as vetë s’e di pse rron!
Aragva* – Lumë në Gjeorgji. Buron nga shpatet jugore të kreshtës kryesore Kaukaziane. Fillimisht, lumi quhet Aragva e Bardhë. Rrjedh nëpër argjilë dhe gur gëlqeror, të cilat i japin ujit një nuancë të bardhë. Pranë fshatit Pasanauri, Aragva e Bardhë bashkohet me Aragvën e Zezë, lumë i cili rrjedh mbi shist argjilor, prandaj uji ka një hije të errët. Pas bashkimit, uji në lumë në një farë mase formon dy vija paralele – të lehta dhe të errëta.
Shqipëroi: Arqile Garo.
Post Scriptum
Më 1811, u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e Aristokracisë Peterburgase. Ambienti në lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anticarizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me odën “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por u përhap dorë më dorë në qarqet përparimtare. E internuan në jug në Kaukaz, ku e mbajtën në mbikqyrje. Pushkini jetoi në jug gjatë viteve 1820-1824. Ëndërrimet liridashe i shpalosi me frymë bajroniane. Poemat që e bënë të famshëm janë “Robi i Kaukazit”, “Shatërvani i Bahcesarait”, “Ciganet” etj. Në vitin 1820 i gjetën një letër ku shpreheshin pikëpamje ateiste, gjë që ia forcoi dënimin. E detyruan të jetonte pa të drejtë largimi në fshatin Mihajllovsk. Njeriu i dashur, që i qendroi pranë në këto vite të vështira, ishte dadoja, së cilës Pushkini i ka kushtuar vargje nga më të ndierat. Dështimi i kryengritjes së Dekabristëve, që donin të rrezonin carin, e tronditi atë pamasë. Pushkini ishte një përkrahës i hershëm i dekrabistëve dhe kur cari e pyeti se çfarë do të bënte po të kishte qenë më 25 dhjetor në Sheshin e Pallatit, ai u përgjigj pa iu dridhur qerpiku: “Do të isha përbri shokëve të mi në kryengritje”. Pushteti carist u bë edhe më i egër kundër poetit. Pas këtij dështimi në poezi u ndjenë ndjenja pesimizmi “mëshira për të rënët”, “mërzia e përgjithshme” që kishte pllakosur brezin e tij etj. Por Pushkini shkundte pesimizmin si luani pluhurin nga krifa e tij.
Viti 1827, ishte viti i fundit i internimit në Mihajllovsk. Pas kësaj, poeti jetoi në Petërburg dhe në Moskë, ku nisi, periudha e fundit e krijimtarisë së tij, që u pasurua me kryeveprën “Eugjen Onjegin” (1831). Pak kohë para se të vdiste shkroi poezinë “Monument”, ku në mënyrë gjeniale parashikoi pavdekësi për veten, sepse me lirikën e tij ai kishte prekur miliona zemra. Popullaritetin e poetit anticarist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti si kishte mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhënj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi, më 27 janar 1837.