Tri ese nga Astrit Lulushi
Humor i mençur
Pak humoristë kanë nxitur emocionet e audiencës, ashtu siç ka ndodhur me legjendarin Robin Williams. I njohur për stilin gazmor ai rrezatoi ngrohtësi gjatë gjithë karrierës si aktor dhe interpretues.
Williams u bë i njohur me portretizimin e alienit Mork në serialin e viteve 1970 Mork & Mindy. Ai vazhdoi të luajë në filma ikonë gjatë viteve ‘80 dhe ‘90, duke e bërë veten të dashur për audiencën siç êshtë profesori në filmin ‘Shoqëria e Poetëve të Vdekur’.
Humori dhe ndjeshmëria e Williams-it la përshtypje të pashlyeshme, dhe megjithëse vdekja e tij (vetvarje) në 2014 ishte zemërthyese për fansat në mbarë botën, ai la pas një punë emocionuese. Për nder të këtij talenti të veçantë, ja disa nga shakatë më të mira dhe fjalët frymëzuese të mençurisë së tij:
Ka një botë atje. Hapni një dritare dhe do ta gjeni.
Mendoj se njerëzit më të trishtuar gjithmonë përpiqen për t’i bërë njerëzit të lumtur. Sepse ata e dinë se si është të ndihesh absolutisht i pavlerë dhe nuk duan që dikush tjetër të ndihet kështu.
Pyes veten se çfarë mendojnë karriget gjatë gjithë ditës.
“Oh, këtu ulet një tjetër vrimë”.
Pse e quajnë “orë trafiku” kur asgjë nuk lëviz?
Vdekja është mënyra e natyrës për të thënë: “Darka është gati”.
Të jepet vetëm një shkëndijë e vogël çmendurie. Nuk duhet ta humbasësh.
Ilirët në Romë
Legjionet ilire përbënin veçanti në ushtrinë romake. Ata ishin të suksesshëm kundër barbarëve dhe kundër homologëve të tyre romakë. Ilirët e adoptuan mjaft mirë stilin romak të luftimit.
Autori i lashtë romak Vegetius përmend se rekrutët ruralë ishin më të preferueshëm se ata urbanë.
Askush nuk mund të dyshojë se fshatarët janë më të aftë për të mbajtur armë, sepse që në foshnjëri kanë qenë të ekspozuar ndaj të gjitha llojeve të motit dhe janë rritur në punën më të vështirë. Ata janë në gjendje të durojnë nxehtësinë më të madhe të diellit, dhe janë (ishin) të panjohur për lukset e tjera të jetës.
Fshatarët janë të thjeshtë, të kënaqur me pak, dhe të përgatitur deri diku për një jetë ushtarake nga punësimi i tyre i vazhdueshëm në punën e tyre në fshat, në trajtimin e lopatës, gërmimin e llogoreve dhe mbajtjen e ngarkesave. Këta burra, sapo rekrutoheshin, punonin në fortesa, marshonin gjatë, mbanin barra të rënda dhe përballonin diellin, erën dhe shiun. Ushqimi i tyre ishte i thjeshtë; ishin mësuar të flinin herë në ajër të hapur e herë në çadra. Pas kësaj, ata udhëzoheshin për përdorimin e krahëve të tyre. Dhe nëse planifikohej ndonjë ekspeditë e gjatë, ata vendoseshin sa më larg që të ishte e mundur nga tundimet e qytetit. Me këto masa paraprake mendja dhe trupi i tyre përgatiteshin siç duhej për shërbim ushtarak.
Në epokat e para të Republikës, romakët gjithmonë i ngrinin ushtritë e tyre në qytete, por kjo ishte në një kohë kur nuk kishte kënaqësi, asnjë luks për t’i ngacmuar. Lumi Tiber ishte atëherë banja e tyre e vetme dhe në të ata freskoheshin duke notuar pas ushtrimeve dhe lodhjeve në fushë. Në ato ditë i njëjti burrë ishte edhe ushtar edhe bujk, por një bujk që, kur të vinte rasti, i linte mënjanë veglat e veta dhe merrte shpatën.
E vërteta e kësaj vërtetohet nga shembulli i Quintius Cincinnatus, i cili po ndiqte parmendën kur erdhën për t’i ofruar diktaturën. Atëherë, forcat kryesore të ushtrive rekrutoheshin nga fshatrat. Sepse është e sigurt se sa më pak njeriu të njihet me ëmbëlsirat e jetës, aq më pak arsye ka për t’u frikësuar nga vdekja.
Ky nocion mund të ketë qenë plotësisht i saktë meqenëse është përsëritur nga shumë të tjerë në kohët e mëvonshme.
Pasi të jetë vërtetuar se rekrutët ruralë janë të preferueshëm, mund të bëhet një dallim midis rajoneve të ndryshme. Në luginat pjellore mund të gjeje dendësi të lartë të popullsisë dhe kultivim intensiv të drithërave. Zona të tilla, megjithëse jo aq luksoze sa vetë qytetet, ishin të zhvilluara mirë dhe shpesh të administruara relativisht mirë.
Në të kundërt, rajonet e pyllëzuara, kënetore ose malore, shpesh kishin forma më pak intensive të kultivimit.
Administrata dhe policia mund të jenë më të dobëta dhe mund të mbizotërojë një gjendje e përgjithshme e paligjshmërisë, ose më mirë një shtet në të cilin drejtësia private dhe hakmarrja ishin më të zakonshme. Ekonomitë baritore duket se shpesh rezultojnë në diçka si një “kulturë luftëtari”. Asetet kryesore janë bagëtitë dhe si rrjedhim janë të pambrojtura. Mbajtja e armëve mund të jetë gjithashtu më e zakonshme. Përveç gjithë kësaj varfërie, relative apo absolute, mund të bëjë një karrierë ushtarake më tërheqëse.
Është sugjeruar se kultura dhe vlerat e rrënjosura nga ekonomitë baritore vazhdojnë edhe pas ndryshimit të ekonomive.
Në vitet 1600-1700, skocezo-irlandezët që u vendosën në Amerikën e Veriut filluan mjaft shpejt të merren me kultivimin e drithërave, por Benjamin Franklin i përshkruante ata si ‘egërsira të bardha’. Ndryshe nga puritanët, kuakerët dhe mjeshtrit holandezë të veriut, ata nuk kishin prejardhje urbane ose të kultivimit të drithërave.
Skocezët dhe irlandezët supozohej të kishin një kulturë grindjeje dhe alkoolizmi të lindur nga mënyra e jetesës dhe rezistencës së paraardhësve të tyre kundër anglezëve. Një studim mbi normat e vrasjeve sugjeron se Benjamin Franklin nuk fliste kot. Në zonat jugore skocezo-irlandezët me të vërtetë duket se kanë pasur norma më të larta të vrasjeve dhe në veri ata ishin të përfshirë në mënyrë joproporcionale në dhunë.
Irlandezët përfaqësonin më pak se 4% të popullsisë, por 13% të vrasje në New England dhe Virxhinia midis 1676 dhe 1800 kryheshin prej tyre. Skocezët ishin pothuajse po aq të dhunshëm: ata përfaqësonin 12% të popullsisë, por kryenin 20% deri në 26% të vrasjeve në New England dhe Virginia, respektivisht.
Sipas statistikave, skocezo-irlandezët ishin më të prirur ndaj dhunës dhe më të ndërgjegjshëm për nderin se çdo grup tjetër që atëherë u vendos në Amerikë Duke marrë parasysh sa më sipër, Iliri i përshtatej rekrutimit. Tokat e varfëra, terreni kodrinor – malor, ekonomitë baritore, pirateria…
Natyrisht, kjo shpjegon vetëm pse ilirët u bënë rekrutë idealë, por jo pse performance e tyre ishte e shkëlqyer. Ajo që mund të kishte ndikuar gjithashtu në statusin e tyre ishte fakti se Iliria ishte edhe vendi nga vinin shumë komandantë të lartë dhe një sërë perandorësh. Do të ishte disi e natyrshme që ata të mbanin pranë vetes bashkatdhetarët e tyre.
Jamais vu
Mund të hasim herë pas here – raste kur hymë në një situatë të re çuditërisht e njohur, pavarësisht se nuk e kemi përjetuar kurrë më parë. Kjo dukuri e zakonshme quhet déjà vu, frëngjisht për “tashmë parë”.
Në të kundërtën e tij është një fenomen paksa më pak i zakonshëm – jamais vu, që përkthehet si “asnjëherë” në frëngjisht. Kjo ndodh kur je në një situatë të njohur, por befas ndihesh sikur po e përjeton për herë të parë. Kjo mund të ndodhë me një vend të caktuar, një veprim, apo edhe një person. Ndjenja e të diturit zhduket pavarësisht se e kuptoni se diçka ka ndodhur më parë.
Imagjinoni, për shembull, që po shkoni me makinë për në dyqan të preferuar. Ju ktheheni në një rrugë dhe papritur e gjeni veten në një moment të hutuar – “A duhet të isha kthyer djathtas apo majtas”?- pyesni veten, edhe pse e keni përshkuar këtë rrugë shumë herë, dhe është kujtesa që thote se nuk e keni parë kurrë.
Në raste të tjera, ju mund ta gjeni veten duke harruar disa detaje – në pamundësi për të kujtuar një emër që përdorni çdo ditë. Është ajo ndjenjë ku thjesht nuk mund ta nxjerrësh fjalët, “më majë të gjuhës e ke, por nuk i thua dot”. Këto momente ngecëse që ju lënë të hutuar, të verbër, duke vënë në dyshim kujtesën, janë shembuj të përsosur të jamais vu.
Nëse mendoni se nuk keni përjetuar kurrë jamais vu, mendoni përsëri. Zgjidh një fjalë – “shampo” – dhe përsërite atë 20 herë. A tingëllon e çuditshme? A tingëllon false? A ka humbur të gjithë kuptimin? Logjikisht, ju e dini se çfarë është shampo, por bëhet një term i panjohur pasi ju e shprehni vazhdimisht me zë të lartë.
Në vitin 2006, një studim i kryer nga neuropsikologu kognitiv Chris Moulin nxiti jamais vu te pjesëmarrësit në studim me këtë metodë të përsëritjes së fjalëve. Në eksperiment, 92 vullnetarë e shkruan fjalën “derë” 30 herë në një minutë. 68 përqind raportuan simptoma të jamais vu pasi filluan të dyshonin në realitetin e fjalës. Moulin vazhdoi të lidhte lodhjen e trurit me skizofreninë, duke e krahasuar sëmundjen mendore me një formë kronike dhe ekstreme të jamais vu.
Mund të jetë më e lehtë për ta kuptuar atë si një defekt në sistem. Kur përjetoni jamais vu, mund të përpiqeni të arsyetoni me veten se situata duhet të jetë e njohur, por ka një ndërprerje. Pjesa e trurit që supozohet të përpunojë dhe regjistrojë informacionin, duke e lidhur atë me përvojat e kaluara, nuk po përgjigjet në natyrë, duke ju lënë të pyesni veten se si të reagoni.
Nëse e përjetoni këtë ndjesi në disa raste të rralla, mos u shqetësoni – është krejtësisht normale. Nëse kjo ndjenjë hutuese fillon të ndodhë më rregullisht, merrni parasysh një vizitë te mjeku. Jamais vu gjithashtu mund të përshkruajë simptoma të kushteve të caktuara neurologjike.
Në fund të fundit, jamais vu, si déjà vu, është një dukuri e ndërlikuar për t’u shpjeguar, por gjithsesi një dukuri normale njerëzore. Herën tjetër që do të ndaleni, i hutuar, gjatë një përmbledhjeje të filmit tuaj të preferuar, ose për një kohë të shkurtër në panik se cilën kthesë duhet të bëni gjatë vrapimit në mbrëmje, kujtojini vetes se ndoshta është vetëm një moment jamais vu.
Kështu edhe “demokracinë” e sotme, më shpesh e shohim dhe mendojmë se asnjëherë nuk e kemi parë; kur njerëz të njëjtë shikojmë të na udhëheqin, dhe opozita ndalohet të flasë; persekutohet e burgoset; kujtohemi për një çast, se demokracia mes nesh kurrë nuk erdhi – Jamais vu.