Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Dashuria do ta shpëtojë botën!

Sot njerëzimi i ka sytë dhe mendjen tek politikat e drejta e jo të mbrapshta. Por gjuha e polikave që ndjekin shtetet është manipulimi i drejtësisë, e cila na serviret për t’u ngrënë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Jemi të ngopur apo të uritur prej këtyre politikave?
Njerëzimi ecën drejt zhvillimit, por ky zhvillim nuk është në interes të njerëzimit, që do të thotë, se njerëzimi udhëhiqet nga interesi i politikës, e cila e ve njeriun përballë vështirësisë, për të kuptuar se ku fshihet ky manipulim!
Të rrëmosh në kalkulime, oratori, vendime, përballje, sfida, konkurencë etj, do të na zbardhen fakte që tregojnë për atë që na fshehin (të zbukuruar me gjuhën e mbrapshtë), fallsitetin e drejtësisë, me të cilën mburren se punojnë shumë. Kjo mbrapshti është zanafilla e atij grumbulli të madh mashtrimi, i cili rëndon në kurriz të njerëzimit. Politikat e mbrapshta që tjerrin fije manipulimesh mbi fatin e njeriut, kanë treguar dhe tregojnë, se lufta kundër njerëzimit ka arritur kulmin e saj në këto kohëra të fundit, ku të bashkuar drejt një qëllimi final, prodhojnë vendimmarrje agresive në dëm të shëndetit dhe të lirisë së individit.
Nëse njerëzimi kontrollohet në lëvizje, në veprime apo në mendime, është shënjestruar për t’u asgjësuar. Ky asgjësim i vlen vetëm armikut të tij përbindësh, i cili është orvatur në kohë për të mbërritur në këtë marrëveshje fitimprurëse për politikat, por jo për vëllazërinë dhe dashurinë. Dashuria vëllazërore nuk hyn në termat e politikave, sepse është përjashtuar nga rregulla specifike dhe të veçanta të barbarizmave që kanë shpërfillur ndjenjën njerëzore.
Lajmet e përditshme me përbërës politikë brenda tyre, tregojnë për skllavërinë e njeriut, duke e luftuar lirinë e tij nëpërmjet tentakulave të tyre, e duke e mbërthyer përpara ekraneve, portaleve, gazetave e gjithkund tjetër.
Nëse do të mendonim për një jetë pa politikë, atëherë do të zhvillonim mirëqenien tonë fizike dhe mendore, në harmoni me natyrën dhe me ligjet e krijimit, të cilat nuk përmbajnë brenda tyre formulën e politikës.
Lufta që i është shpallur njerëzimit vjen nga politikat e mbrapshta. Shkatërrimi i jetës në krijim vjen nga politikat e mbrapshta. Rregullat e reja për një jetë të mirëkontrolluar vijnë nga politikat e mbrapshta, të cilat pasurojnë një grusht njerëzish, që pretendojnë se zotërojnë pasuri të tundshme e të patundshme, por që nuk kuptojnë, se e vetmja pasuri që nuk vjen nga politika është dashuria. Dashuria do ta shpëtojë botën nga çdo e keqe që vjen nga udhëheqës të mbrapshtë të politikave të mbrapshta!
Please follow and like us: