Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Njeriu vdes me shpresën, por a vdes vetë shpresa?

Shpresojmë se do bëhet më mirë, shpresojmë se një dashuri e vdekur do të rilindë përsëri, shpresojmë se i sëmuri do të bëhet më mirë, shpresojmë se fëmija në shkollë do të mësojë më mirë, shpresojmë se puna do të na ecë më mirë, shpresojmë se çmimet do të ulen, shpresojmë se politika do të ndreqet, shpresojmë se nesër do të jetë kohë e mirë, shpresojmë se do të na dalë llotaria, shpresojmë që këtë vit të na shtohen të ardhurat, shpresojmë që t’i ulet inati shefit apo drejtorit, shpresojmë që shoqja apo shoku mos të na bëjë keq, shpresojmë… e shpresojmë…
Shpresa brenda shpirtit të njeriut varet në një fije peri, i cili po u këput, këput edhe besimin, shterr edhe forcën e mendimit, duke i hapur rrugë rënies brenda honit.
Mendja e njeriut është e varfër sepse nuk ngopet. Njeriu është lakmitar, është i patënzonë. Zbatimi i ligjit i duket shkalla më e lartë e vështirësisë. Për të është më mirë të vjedhë se sa të mos vjedhë, është më mirë të gënjejë se sa të mos gënjejë, është më mirë të mashtrojë se sa të tregojë të vërtetën, e padyshim, të shthurrësh gardhin nuk është njëlloj si ta thurrësh atë. Por me gardh të shthurrur i kemi hapur të gjitha dyert, e më pas çuditemi, se nga na hyri e keqja! I mbyllim portat dhe dritaret e shtëpisë që të mos na hyjë e të na vjedhë njeri, por i lemë hapur portat dhe dritaret e shpirtit për të keqen, e cila hyn pa u ndjerë duke na vjedhur dëshirën për të zbatuar drejtësinë e ligjit.
Fqinji nuk ta jep çelësin e shtëpisë së tij, as ti nuk ia jep fqinjit çelësin e shtëpisë tënde, sepse ruan orenditë dhe pasuritë e tokës. Po çelësin e shpirtit përse e kemi humbur? Përse e lejojmë të keqen të hyjë e të dalë kur të dojë, duke na lënë shijen e hidhur të xhelozisë, të inatit, të tradhtisë e të zhgënjimit?
Me dijen luajmë por jo me pasurinë, e nuk mendojmë se mbetemi të varfër për qiellin, dhe të pasur për tokën!
Please follow and like us: