Irma Kurti shpallet poetja e muajit nga revista britanike “The seventh quarry”
Një tjetër vlerësim për krijimtarinë e poetes shqiptare Irma Kurti me banim në Itali,e cila shpallet poetja e muajit nga revista britanike “The Seventh Quarry”. Ky vlerësim i jepet për poezinë si dhe rrugëtimin e saj të suksesshëm poetik. Fitues të tjerë kanë qenë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia, India etj.
The Seventh Quarry është një revistë poetike që botohet në Swansea, në Uells nga poeti dhe dramaturgu Peter Thabit Jones. Numri i saj i parë u lançua në Qendrën Dylan Thomas, në janar 2005.
Çdo botim përmban një profil poeti, disa faqe që i dedikohen një poeti të përzgjedhur midis poetëve britanikë apo ndërkombëtarë. Revista bashkëpunon gjithashtu edhe me shtëpinë botuese Cross-Cultural Communications në Nju Jork drejtuar nga Stanley H. Barkan dhe ky partneritet ka kontribuar që ajo të bëhet pjesë e disa veprimtarive letrare prestigjioze në Amerikë.
Në janar të vitit 2024, Irma Kurti u përzgjodh po ashtu poetja e muajit nga “Our Poetry Archive”, një nga gazetat më të mëdha online në gjuhën angleze, që botohet në mënyrë periodike me pjesëmarrjen e poetëve nga e gjithë bota.
Irma Kurti ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap. Ajo ka përkthyer gjithashtu 20 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 16 vende të botës.