Ismail Kadare përkujtohet me pikturën murale në kryeqytet
Ka nisur edicioni i gjashtë i Mural Fest Tirana, me pjesëmarrjen e artistëve nga 11 shtete të ndryshme të botës. Një prej veprave të realizuara për këtë edicion është dhe përjetësimi i portretit të shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar foton e murales së realizuar në një pallat në këtë zonë, pranë ish-stacionit të Trenit.
Vepra është realizuar nga piktori me famë ndërkombëtare Maximiliano Bagnasco.
Ky është edicioni i gjashtë i ‘Mural Fest’ në Tiranë, ndërsa prej 4 vitësh kurohet nga piktori Helidon Haliti. Këtë vit tematika është ‘inteligjenca artificiale’, ndërsa pjesë e projektit janë 14 murale, teksa 80% e artistëve janë vajza.
Ismail Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare në 1 korrik të këtij viti, ndërsa nuk ka kaluar shumë kohë para se portreti i tij të bëhej pjesë tashmë e pandashme e kryeqytetit.
Kandidati për Nobel në Letërsi, Ismail Kadare njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, punimet e tij shquhen kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime./bw