Miho Gjini: Thimi Filipi, aktori që ngjante me Antoni Kuin
Teksa pija një kafe në “Bar Piqerasi” me fabulistin Gjivogli e i kthenim sytë hera-herës nga deti që dukej sikur digjej nga përcëllimi i vapës afrikane, po i flisja atij edhe për librin tim të ri me 25 “YJET” e skenës dhe të ekranit tonë dhe ai menjëherë pyeti: ”Po Thimi Filipin, e ke aty brenda? Se më pëlqen aq shumë ai aktor, sa s’thuhet”! “Edhe mua më pëlqen, por kësaj here shkrova për ata të shkolluarit, që sjellin RISI INTERPRETIMI! Ndërsa ky Filipi bën pjesë në “gardën e vjetër” që ashtu është, si thua zotrote, prandaj edhe nuk e kanë “lënë rehat” as kineastët, për profilin e tij të veçantë , si të Antoni Kuin”,- thashë unë menjëherë, i përfshirë nga mbresat e forta për ato 32 filmat që lozte ai, po edhe sa herë që veja në Korçë, kur shihja premierat e këtij teatri… Para meje e të gjithëve, interpretonte një aktor potencial: THIMI FILIPI!
Flinte brenda meje kjo “mbresë” që më kishte lindur e fiksuar, jo vetëm si inspektor i një dikasteri kulture, që isha dikur, para syrgjynosjes time, por edhe si kritiku e studjuesi i arteve të bukura… Thimi Filipi shkëlqente në plejadën e aktorëve që hodhën themelet e Teatrit Profesionist Shqiptar. Por pata edhe një rastësi të lumtur, kur në këtë skenë u realizua edhe komedia ime “Gjëmba në livadh” dhe u ula në atë sallë, përkrah ministrit Teodor Laço të shpallur si i tillë (gjatë kohës që bënte pjesë në një parti politike të opozitës, që ishte në koalicion me partinë kryesore të rotacionit). Thimi Filipi lozte edhe në atë komedinë time të parë, po me atë seriozitetin e tij, si e thoshte edhe Mihal Popi se “që të bësh komedi në skenë, duhesh të jesh sa më shumë serioz, duke interpretuar hallin e personazhit tënd”!…
Atëhere qe edhe një dimër i acartë në Korçë dhe sa mbaronte shfaqja, aktorët largoheshin drejtë shtëpive të tyre. Qytet i bukur Korça, po i ftohtë! Dhe aktorët luanin në një sallë pa ngrohje. E dridheshin kur zbrisnin nga skena… Dhe ti mbeteshe vetëm, me një gotë raki mani përpara që të ngroheshe pak, pas atij thëllimi që kishte “bukuria pe Korçe”! E me Thimi Filipin mund ta pije një kafe vetëm të nesërmen “te Koçibelli i Turizmit” dhe ai vetëm të dëgjonte, i pazëshëm siç ishte, tok me buzëqeshjen e tij, po si të Antoni Kuinit. Po edhe më mbrapa, përsëri do të ndodhte e njëjta gjë me Thimi Filipin, sa herë më ftonte ish studenti im Petrika Riza që e kishin bërë edhe Drejtor, njëherësh në Festivalet Teatrore të komedisë “Ballkan 2000” të kthyer në traditë, apo më pas kur, ish shoku im i klasës, Dhimitër Orgocka organizonte festivalet e “Mono Dramës”, ku shpesh do të ishte aty edhe profesoresha e teatrit nga Ukraina Nina Mazur, – shefe në UNESKO, për të cilën s’kemi dëgjuar më ndonjë lajm, pas bombardimit të Kievit dhe as që më erdhi ndonjëherë “Ftesa e saj”, për të kryesuar Jurinë e Festivalin Teatror të Kievit, e ofruar prej saj! Por do të isha i mirëpritur në qytetin e “serenatave të rrugicave e të ballkoneve” dhe të “Festës së Karnavaleve”, edhe prej poetit të ëmbël Skënder Rusi në “Mbrëmjet Poetike” që ai i bënte aq të bukura në bulevardin e Korçës, nën blirët erëshumë, përbri Mitropolisë. Por edhe poetin Rusi e rrëmbyen engjëjt e Mitropolisë! Gjersa do ta pësoja edhe unë prej shfaqjes se “mallkuar” të Minush Jeros, që u luajt po në Korçë dhe asaj mbrëmjeje do baresnim rrugëve të Korçës, bashkë me mikun e shefin tim, regjisorin pedant Esat Oktrova, me të cilin vetëm ecnim të menduar e të nesërmen nuk dinim se ç’farë t’i thonim Sekretarit të Partisë së Rrethit Lubonja (ngaqë e ndjenim “katastrofën” që nuk do të vononte, kur “zëmëroi aq shumë Enver Hoxhën”, jo vetëm kundër ish Kryemistrit që lëvdoi shfaqjen, po edhe ndaj nesh e unë do të përfundoja pas hekurave, së toku me regjisorin Luarasi e dramaturgun Jero! Jetonim kohë të tmerrshme! Për të “mos shkelur më në Korçë” e jo më në shfaqjet e festivalet e atjeshme, sikundër mbeta i “mallkuar”, me “damkën e armikut”!… S’ka pak ditë që atje zhvillohej përsëri një festival komedie dhe unë, si kritiku i teatrit, u ngujova një javë rresht para ekranit të TV se mos “dëgjoja gjëkafshë për të”, gjersa do të jepej vetëm ky lajm i rrallë: Gjigandët e komedisë provuan ‘Gold-Birra Korça’! Atëhere, i ngazëllyer prej “gjigandëve të komedisë që kishin zbritur në Korçë”, i telefonova Josif Papagjonit, që e ftonin gjithmonë në këtë festival me nofkën “Kokofestë”, të cilin gjithashtu nuk e patën ftuar… Edhe pse dy kritikë aktivë kemi mbetur, “për bela”, dreqi të na marrë edhe ne! Gjithsesi, urojmë t’u ketë shijuar birra e Korçës “gjigandëve të komedisë”!
Por, të më falni, e pata fjalën tek ky aktor që ngjante kaq shumë për nga portreti me aktorin e madh amerikan që interpretoi figurën e Zorbës së Kazanzaqit dhe me një lojë virtuoze e shndërrim fizik të Kuozimodos të Hygoit në “Notre-Dame de Paris”, i cili ka interpretuar madhërishëm edhe përbri aktores Irena Papas, me origjinë pe Korçe, në “Hollivudin” e famshëm… Ja që, sikundër thonë, gjithkush e ka sozinë e vetë në botë! Dhe, ja ku është Thimi Filipi, për habi, thuajse i së njëjtës moshë dhe që vdekjet i kishin të përafërta, por jo edhe FATIN që ndoqi amerikanin e madh! Se, Filipi hynte në një Teatër Profesionist si fillestar, si një talent origjinal që kishte emocionuar publikun e kinema “Maxhistik” të qytetit me rolin e Dhimitrit te dramës “Lulja e Kujtimit” të Foqion Postolit. Me ketë shfaqje zinte fill edhe jeta e një Teatri Profesionist në vitin 1950, ku do të bënin pjese edhe talente të tjera, si Pandi Raidhi, Vangjel Grabocka e Dhimitë Trajçe, Qefsere e Vani Trako, Krisanthi Kotmilo e Valentina Caci dhe që do të pasurohet më mbrapa me çiftin Orgocka e çiftin Prodani, si edhe me Stavri Shkurtin e Koço Qendro Delvinjotin që e beri karrierën ushtarke në Korçë e mbeti në teatrin e atjeshëm, si aktori i karaktereve Moleriane, -famoz me Harpagonin dorështrënguar, edhe pse i tejkaloi të “nëntëdhjetat” e iu afrua “qindshes së një Orakulli” të vonë…
Nuk më harrohet shfaqja e artistëve të Korçës në Teatrin Popullor “Pamje nga ura” e Artur Milerit, me regji të Pirro Manit, teksa vetë Pirroja i sapo diplomuar nga Instituti Teatral i Moskës, në rolin e Edi Karbones, gjeti tek Marku i Thimi Filipit (një amator i mbërritur nga malet partizane, ku ishte rreshtuar), një partner të denjë, në formatin e një profesionisti që e ka të tijën skenën e di ta përballojë edhe tërbimin e këtij aktori potencial ndaj jetës mizerable të emigrantëve italianë në Amerike e të rënies psikologjike e morale, kur cenohet edhe ekuilibri familjar. Aktori është po kaq i vërtete edhe në rolin e Abdyl Sharës, në inskenimin e romanit “Kënata”, po prej Pirro Manit, ku ka fatin e përjetimit tragjik të jetës së tij, kur do të vuaj akuzën e pa vërtetë të sabotatorit! Aktori e jetonte këtë rol gjer në kufirin e një dëshpërimi, ku protesta është sa e brendshme aq edhe sfidonjëse…
Mirëpo, regjisorët shqiptarë, sidomos ata të ekranit, duke përfituar nga organiciteti i këtij aktori të natyrshëm, i besuan edhe shumë role të njëtrajtshme, sekretarësh partie, kryetarësh e baballarësh, që aktori me intelekt të përsosur Filipi, “i bënte njerëz”, duke devijuar nga standardet e kallëpet e personazheve që përcillnin ideologjinë e politikën partiake, u largohej modeleve reale të tyre, duke sjellë kështu RISI ne artin e interpretimit, besueshmëri e evidentimin e marrëdhënieve njerëzore, megjithëse skenarët e dramat e asaj kohe qenë të tejmbushura me dialogje e monologje amorfe e deklamative. Nga ana tjetër, Thimi Filipi preferonte tonet e ulta, fjalën bindëse të ngarkuar me emocione njerëzore, psikologjike e me veprimin e heshtur, që flisnin ca me tepër nga frazeologjia direkte e ajo bombastike. Kështu, në rolet e tij tek filmi “Njeriu i Mirë” (Astriti) dhe tek “Apasionata” (Babai i Mirës), ai e maste fjalën para se ta thoshte, sikundër peshon njeriu “gurin e rëndë” ndër duart e tij, apo “thëngjillin e ndezur”! Xhemal Struga i tij në filmin “Ballë për ballë”, gjithashtu reflekton botën e tij të brendshme e fjala e tij “ngjiste” tek partneri e bëhej sugjestive. Në interpretimet e këtij aktori nuk ka asnjëherë britma, thirrje, shtirje, ngritje të panevojshme zëri, as intonacione të gabuara e asgjëkundi “lapsuse” gjatë morisë së interpretimeve çdo natë në skenë e në çdo film që bëhej e Thimi Filipi duhej të ishte patjetër, si edhe Ndrek Luca, që mbeti edhe me mjekër me vite të tëra, që t’u përshtatej roleve të diversantëve! Po Thimi Filipi ishte aktor i vërtetësisë së madhe, që i dhuronte skenës e ekranit, jo vetëm portretin e aktorit të madh, po edhe shpirtin e tij të pastër, ajrin e mushkërive. Prandaj edhe në filmin “Guna përmbi tela” Kapedanit të tij i ndriste syri e i jepte “shkëndija” fjala e njeriut të fortë… Sikundër edhe Fahrudini tek “Njeriu me Top”. Filmat tanë sikur marrin jetë nga interpretimet e Thimi Filipit, ashtu sikundër edhe skena, kur hypte atje ai… Dhe spektatori e besonte atë në të gjitha rolet e interpretimet. Një veçori e rrallë kjo edhe tek aktorët me shkollën e lartë të aktrimit. Po, pas vitit 1999, aktorin “me fytyrën e Antoni Kuin” nuk do ta kishim më…
Fatlumërisht, Thimi Filipi bënte pjese në listën e atyre aktorëve, sikundër qenë: Mihal Popi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Nikolin Xhoja, Prokop Mima, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Pandi Raidhi, Mihal Stefa e disa të tjerë, që sikundër thoshte i madhi Pirro Mani: “Ata nuk kishin shkollë, po bënë shkollë me artin e tyre”!
Piqeras, 4 shtator 2024.