Sa keqardhje për Astrit Lulushin, kolegun tonë të Zërit të Amerikës!
Ilir Ikonomi
Ilir Ikonomi me Astrit Lulushin
Sa keqardhje për Astrit Lulushin, kolegun tonë të Zërit të Amerikës! Sot në mëngjes mësova me tronditje se ishte ndarë nga jeta pas një operacioni të vështirë në veshkë.
Astriti ishte fjalëpak, por me një mendje prej filozofi dhe shpirt prej poeti. Ato që nuk i thoshte me gojë i ka lënë në shumë e shumë libra interesantë që botoi gjatë viteve. Aty, ai fliste për kuptimin e jetës, analizonte natyrën dhe dijen njerëzore, veset dhe virtytet, tregonte për historinë dhe për njerëzit e saj të shquar, zhytej në honet e qenies njerëzore si askush tjetër për të eksploruar misteret dhe provokuar pyetje.
Ishte njeri që mendonte me kokën e vet dhe prandaj e çmonte shumë lirinë e gjetur në Amerikë. Nuk i kishte qejf klishetë, kërkonte në heshtje mendimin ndryshe. Thonë se njeriu i heshtur është ai që vlen të dëgjohet më shumë. Prandaj më pëlqente t’i dëgjoja mendimet e tij.
Shpesh e shihje të trishtuar, por kur gëzohej qeshte si fëmijë, të merrte mënjanë dhe të tregonte ndonjë anekdotë, nga ato që e shtrydhin tërë filozofinë e botës në një ose dy fjali të vetme.
Ikja e dikujt që e ke njohur prej kaq shumë vitesh të sjell pyetje, të mëdha e të vogla, shumica e të cilave mbeten pa përgjigje. Astriti dinte t’u përgjigjej, por tani ai nuk është më.
Please follow and like us: