Lulzim Tafa bën pranimin zyrtar si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Poeti dhe profesori i njohur, Lulzim Tafa, në ceremoninë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka bërë pranimin zyrtar si anëtar i jashtëm i kësaj akademie.
Këtë e ka konfirmuar vetë Tafa, i cili përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka falënderuar Akademinë për këtë vlerësim të lartë ndaj tij.
“Sot, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua ceremonia zyrtare për pranimin tim si anëtar i jashtëm i Akademisë. E falënderoj Akademinë për këtë vlerësim të lartë si dhe për organizimin e kësaj ceremonie”, ka shkruar Tafa.
Kujtojmë se në gjysmën e dytë të muajit prill të këtij viti, profesori dhe poeti, Lulzim Tafa, si dhe inxhinierja Mira Murati, janë zgjedhur anëtarë të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ata morën votat e Asamblesë së Përgjithshme të kësaj akademie, në mbledhjen e 22 prillit, në Tiranë. Rekomandimet për votimin e Tafës i dhanë akademikët Xhevahir Spahiu e Shaban Sinani.
Ndërsa, u veçuan tre përbërës të profilit të tij akademik e letrar.
Ndërsa, u çmua edhe roli i shqiptares Mira Murati, e cila është një nga njerëzit kryesorë në kompaninë “Open AI”, që ka bërë revolucion në teknologji së fundmi, përmes inteligjencës artificiale.
Poeti Lulzim Tafa është i njohur për artin e tij, si njëri ndër poetët shqiptarë më të përkthyer në botë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. Ai ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare për letërsi, ndërsa mban shumë tituj nderi në akademi e universitete botërore. Së fundmi, Lulzim Tafa u dekorua edhe nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”, që është dekorata më e lartë të cilën shteti francez e ndan në fushën e artit dhe letërsisë. /atvlive.tv