BE: Serbia të përmbahet nga forcimi i lidhjeve me Rusinë
Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë të përmbahet nga thellimi i lidhjeve me Rusinë, duke theksuar se një gjë e tillë bie ndesh me aspiratat e shpallura të saj për integrim në bllok.
Një ditë më parë zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, i tha Presidentit rus Vladimir Putin se vendi ballkanik është një aleat i Rusisë, që kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës apo të anëtarësohet në NATO.
Komentet e Aleksandar Vulinit, ish shef i Shërbimit të fshehtë serb i cili është nën sanksionet amerikane, të bëra gjatë një takimi me presidentin rus në Vladivistok, pasqyrojnë marrëdhëniet e ngushta midis Beogradit dhe Moskës.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, tha të enjten se takimi i zëvendëskryeministrit të Serbisë me udhëheqësin rus është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në BE.
“Nuk e dimë se në emër të kujt flet Vulini, sepse presidenti i Serbisë, (Aleksandar) Vuçiç, ka ritheksuar qëllimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund të vazhdojnë apo të forcohen marrëdhëniet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pra, presim nga Serbia që të përmbahet nga forcimi i këtyre marrëdhënieve dhe, presim nga të gjithë anëtarët e qeverisë së Serbisë ta ndjekin qëllimin e integrimit në BE”, tha zëdhënësi Stano.
Të mërkurën zyrtari serb e siguroi Presidentin Putin se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiçi është një Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s, e cila kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Federatës Ruse dhe e cila kurrë nuk do të lejojë që territori i saj të përdoret për çfarëdo veprimi anti-rus”, tha ai.
Presidenti Putin, tha gjatë takimit se ka ftuar presidentin e Serbisë të marrë pjesë në takimin e vendeve anëtare të organizatës BRICS, që pritet t’i zhvillojë punimet nga 22 deri më 24 tetor.
Presidenti serb, duke e falënderuar Putinin tha të enjten se “në atë kohë do të ketë shumë vizita të rëndësishme në Serbi”, duke lënë të kuptohet se nuk do të udhëtojë për në Kazan të Rusisë, ku pritet të mbahet takimi.
Takimi i Vulinit me Presidentin Putin në qytetin e largët lindor të Rusisë, Vladivostok, ndodhi pak pas vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi, gjatë së cilës Beogradi nënshkroi një marrëveshje për të blerë avionë ushtarak francezë Rafale, një lëvizje që u pa si një largim i mundshëm nga Moska.
Por vëzhguesit e pavarur në Serbi thonë se takimi është pjesë e përpjekjeve të Vuçiçit për të ruajtur politikën e drejtpeshimit midis Lindjes dhe Perëndimit.