Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: Gjahtari i dollarit

Tregim

M’u dhimbs kur e pashë ashtu të ulur në një stol pranë benzinatës, i kërrusur dhe me sytë mbi letrat që kishte hapur. Ishte aq shumë i përqëndruar mbi ato letra plot ngjyra dhe shkronja sa që ndoshta në atë moment rreth e tij kishte vetëm “hije” dhe “fantazma” në mes të ditës, të cilat i vinin rrotull, ndërsa vetë njerëzit realë, të cilët e shikonin herë me vëmendje e herë jo nuk i ndjente. Ai nuk më pa që po i afrohesha dhe i po qëndroja përballë. Doja ta përmendja nga vetmia e tij e humbëtirës së thellë, ku pa dyshim ai shikonte vetëm dollarë dhe shifra që i rrotulloheshin përreth si disa flutura.
– Hej my friend – i fola.
Ai hungëriu me vehten duke mos ngritur kokën nga letrat dhe gërvishtja që i bënte atyre. Për atë ajo gërvishtja mbi kartonin plot ngjyra dhe figura, nga më të larmishme, pas të cilave fshiheshin disa shkronja dhe shifra ishte gjëja më e rëndësishme.
– Hej my friend – fola me zë pak me të lartë në anglisht, – sa ke fituar miku im?
Ai ngriti kokën, por diellin e kishte përballë dhe sytë e skuqur e të picërruar lëvizën instiktivisht pa vërejtur siluetën time, ku në kokë kisha vendosur një kapele dhe syze të errta.
Ai uli kokën përsëri mbi letrat pa u shqetësuar fare për praninë time dhe gërvishti me një monedhë centi, me një shkëlqim floriri, figurën e radhës. I fryu pjesës së gërvishtur dhe duke psherëtirë më tha:
– Eh çfarë të them?! Fitova 500 dollarë.
– Bravo shumë mirë, paska qenë ditë e mbarë për ty,- vazhdova unë.
Ai ndaloi së gërvishturi, më pa me vëmendjen e tij të përhumbur dhe qeshi. Unë u hutova pak dhe i çuditur i thashë:
– Paske qenë me fat, pse jo duke vënë në dyshim fitimin e tij.
– Jo or jo se i humba përsëri.
– Oh, po si? – pyeta.
Hodha sytë nga makineria ku ishin fletët e llotove dhe vura re se kishte disa njerëz që mbanin radhën.
– Çfarë të bëj? – tha më pas burri i moshuar Ajeti. Ai kishte 25 vjet që jetonte në qytetin bregdetar me emrin Napoli, jo i Italisë por i Floridës.
– Këtu bëhet nami ti nuk di gjë se tani ke ardhur. Këtu pasurohesh ja vetëm me këto letra. Ti kam treguar një herë.
“Ti je i çmendur”, gati sa nuk i thashë.
Ai vazhdonte të gërvishte me ethet që i shfaqeshin me djersët që i kullonin. Gushti i nxehtë ngërthente këdo me përpjekjen për t’i mbijetuar vapës së tërbuar floridiane.
– Ej miku im, – i fola më i vendosur, – gërvishti brenda, jo këtu se do të gjej ndonjë gjë, – dhe i vura dorën mbi sup për ta shkundur nga gjendja ngërthyese.
– Po, po ke të drejtë, po hyn edhe dielli tani këtu, – më buzëqeshi dhe mblodhi me rrëmbim fletët e llotove që kishte blerë.
– Këto më kushtuan 300 dollarë. Tani të shoh – dhe u ngrit për të shkuar në bar-lokalin aty pranë.
U ulëm në një nga tavolinat ku fresku nga kondicioneri ishte më i ndjeshëm.
– Ja ja këtu, e kam me fat këtë qoshe, – nxitoi ai me letrat që i shtrëngonte fort në duart e trasha plot kallo. Ai zuri qoshen më të rehatshme aty, ku nga pas, si në një vitrinë muzeu ishin veshjet e vjetra të kaubojsve, çizme origjinale, rrypa dhe veshje, kapelet e medha, disa skulptura imituese kuajsh me kaubojtë sipër dhe foto nga historia tradicionale e popullatës shekuj më parë. Ishte vërtet një kënd i bukur dhe i qetë.
U ula edhe unë pranë përballë plakut, Ajet, i cili kishte lënë Korçën 25 vjet më parë dhe kishte mbrritur në Amerikën e largët. Ai la gjithçka jashtë vëmendjes së tij që kishte mbi tavolinë dhe bërtiti në mes qetësisë që mbizotëronte në kafenenë e vogël.
– E di ti çdo të thotë të punosh në Amerikë? E di apo jo?!
Ra heshtje mes nesh. Ai po më vështronte e dukej sikur do të më vërsulej. Ai uli kokën dhe zëri tashmë ishte pothuaj inekzistent. Vetëm veshët e mprehtë do të mund dëgjonin fjalët:
– Kam punuar mbi 22 vjet dhe këtu kam kuptuar se çdo të thotë fjala punë. Jam drobitur lodhur dhe shpirtshkërmoqur. Këtu nuk e fiton dollarin qyl. Këtu nuk ta fal njeri dollarin, je barkbosh apo ngrënë. Kur mbaron punën mendja nuk të shkon tjetër, por vetëm të shtrihesh dhe të flesh si i vdekur. Këtë e kam bërë për shumë vjet se do rrisja femijët do t’i mbështesja për të plotësuar kërkesat e tyre. Or vëlla më thuaj të ndihmon njeri sot?!…
Ai fliste dhe unë nuk kuptoja se ku donte të dilte dhe çfarë lidhje kishte me llotot që gërvishte. Mua më ishte lidhur goja automatikisht. Dhe padashje i thashë:
– Po nuk të pyeti njeri për punën në Amerikë. Këtë e dinë të gjithë. Unë të largova nga dielli dhe të futa këtu brenda në fresk.
– E di ti që në vitet e para kam fjetur në makinë bashkë me gruan pasi i kishim larg punën? Në parkimin e firmës ku punonim? Dhe punonim 12-16 orë në ditë. Fëmijët i mbanim për disa kohë tek njerëzit e gruas, derisa blemë shtëpi brenda vitit. – Ai ndali së foluri dhe uli sytë mbi letrat, të cilat ishin shpërndarë në mënyrë të çrregullt dhe prisnin të ngacmoheshin nga gishtrinjtë e tij.
Unë shikoja fytyrën e tij të plakur, rrudhat që ishin të pranishme në çdo cep të saj. Ballin me flokët e rënë tashmë tregonte një hije fisnikërie dhe inteligjece të fshehur. – Është ndarë bota në mënyrë të padrejtë zotëri,- rifilloi të flas ai,- këtu bashkëjetojnë në shkëlqimin e vet ekstremet e paimagjinueshme. Jetojnë të pasur në pafundësi pasurie, ku çdo sekondë harxhojnë dhe fitojnë shuma të paimagjinueshme dhe të varfër që zvarriten në mjerimin e tyre të pamëshirshëm. Pse duhet të jetë kështu?
Ai psherëtiu dhe shtrëngoi letrat fort në dorë.
Enigmës së veprimeve të këtij njeriu të çuditshëm, më shtoi më tepër, jo vetëm kurreshtjen për ta njohur, por edhe dëshirën për ta bërë një mik. Ishim takuar bashkë disa herë pikërisht tek pika e furnizimit të karburantit dhe klubi pranë ku ishim ulur.
– Tani jam plakur dhe fuqitë më kanë rënë, por disa nga ëndrrat e mia i kam realizuar. Fëmijët i rrita dhe u dhashë shkollën. Ata kanë hyrë mirë në jetën e tyre në këtë vend të madh. Ata nuk vrasin mendjen për çfarë duhet më mirë. Janë futur në vorbullën e kësaj shoqërie që u pëlqen. Të paktën po ecin vetë. Unë kam një pension që e shtyjë jo keq. Por, dalldia e këtyre letrave me nxjerr gjumin edhe natën. – Ai heshti dhe uli sytë mbi letrat e llotarisë, të cilat qëndronin nën duart e tij të rreshkura. Ai mori fletën e fundit që kishte për të provuar fatin e tij dhe u zhyt thellë në të.
E lashë të qetë, që të rifutej në lojën e tij duke u marrë me popcorn dhe birrën e ftohtë që kisha porositur. Hodha sytë mbi objektet e kaubojsëve, që dukeshin sikur ishin pjesë e shoqërisë sonë, e bisedës së lënë përgjysmë. Ata me kuajt që hingellinin në zhegun e vapës vraponin në drejtimin e perëndimit të largët. Aty ishte shpresa dhe besimi për një të ardhme, që do të vinte e sigurt, për të qenë pjesë kësaj shoqerie, në të cilën donin të bënin pjesë. Ata ishin njerëzit e dëshpëruar, që kërkonin të ardhmen. Vrapi i tyre kishte thirrjen që vinte nga thellësia e shpirtrave plot shprese për ndryshimin që i priste… Zërat thirrës për një vrapim sa më të shpejtë, të kuajve, në imagjinatën time, i ngjante shpejtësisë së gishtave të plakut, të cilin kisha pranë.
Sytë i hodha nga pjesa e jashtme e lokalit, ku makineria e biletave lëshonte herë pas here sinjalet e biletave, që dilnin si nga disa kutiza dhe figura të çuditshme me pamjet e dollarit dhe me drita plotë ngjyra që fikeshin dhe ndizeshin në mënyrë, ritmike si përplasja e patkonjve të kuajve në hapësirat e shkretëtirave, ku njerëzit e ethshëm për fitim shpresonin, ëndërronin. Pothuaj kisha mbyllur sytë dhe vështrimi im ishte midis fotove me kuajt e fuqishëm, të cilët vraponin dhe njerëzve që iknin nga makineria e llotos drejt benzinatës për të marrë makinat e tyre të mbushura me karburant. Dhe papritmas dëgjova përplasjen e grushtit të plakut mbi tavolinë. Birra ime u trondit. Ai thirri: Bingo! Bingo! Bingo! Pamja e fytyrës së tij shkëlqeu nga një gëzim i papritur. Ai mblodhi të gjitha letrat, i futi me rrëmbim në xhep të pantallonave dhe u ngrit duke më thënë: – Miku im do të takohemi përsëri, por tani nuk dua të qëndroj më as një moment. Nuk dua ta humb fatin tim. Të më falësh, por dua të iki. Ai vuri dorën mbi supin tim dhe eci në drejtim të derës. Më pas dëgjova makinën e tij benz, që fërshelleu me forcë gomat duke i rënë disa herë borisë. Ai u zhduk në drejtim të autostradës me një shpejtësi marramendëse si kuajt në fotot që kisha pranë. Po ky, i thashë vetes, çfarë pat? Dhe imagjinata ime shkoi tek autostrada që ishte me makina pambarim. Ato vraponin si kuajt drejt një pike apo pikave ku shpresa nxitonte.

– Kështu janë njerëzit në Amerikë? – fola me zë në shqip.

Kamarrieri, i cili shikonte nga dera ktheu kokën dhe tha në anglisht:

– Kërkuat gjë zotëri?!

Unë heshta dhe duke parë nga dera e lokalit iu përgjigja: – No!

Muzika cantry na shoqëronte.
Vanderbilt Naples Florida, 5 shtator 2024.

Please follow and like us: