Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Kalakulla, Nikollë Lesi dhe Ministreshat e të Madhit Fare!

Satirë nga Edmond Kaceli

Petrit Kalakulla, (ndjesë pastë) ishte ministër Bujqësie, aty nga viti ’93, në qeverinë Meksi (të drejtuar nga Sali Berisha)! Ky burrë i nderuar u dorëhoq, pas pak kohësh, se nuk ishte dakord me ligjin 7501, e kërkonte modifikime në favor të pronarëve të vërtetë të tokës!

Gjatë kohës që ishte ministër mblidhte kryetarët e rretheve, të asaj kohe, në cilësinë e kryetarëve të komisionit të tokave dhe iu kërkonte trajtimin me përparësi të pronarëve të vërtetë!

Një ish kryetar rrethi, më tregonte, se gjatë një mbledhjeje të tillë, ministri i nderuar, nxehet aq shumë sa i thotë njërit: Dëgjo ti kryetari i rrethit X! Sillu mirë me ish -pronarët se do t’i var brekët në majë të xhamisë! – Në kuptimin se do të mbash përgjegjësi deri në shkarkim nga detyra!

– Në fakt fjala, (tregojnë gojët e liga) nëpërmjet SHIK-ut të Gazidedes,(gjë e rrallë),  ra në veshin e Saliut e Kalakulla u dorëhoq “me propozim nga poshtë, e me vendim nga lart”. Kështu brekët e kryetarit të rrethit X nuk e panë veten në majë të xhamisë!

 

Historia e dytë ka ndodhur në redaksinë e gazetës “Koha jonë” dhe e kam përjetuar personalisht, kur punoja, aty!

Na mbledh Nikollë Lesi, të gjithë stafin, përfshirë edhe ne gazetarët e rretheve, për të na “tërhequr veshët”, në një nga ato mbledhjet e forta,  ku Nikoja shpirtmadh, e i zemëruar,  na “bërtiste” e na “kërcënonte”,  “me ndryshime në redaksi”, “me ulje rrogash”, “me largime nga puna”…

Në një moment kulminant, Lesi lëshon një nga ato shprehje tipike: “Dëgjoni këtu! Nëse nuk bëni të pamundurën për të qenë të parët në tregun e gazetave, do iua pres koqet!”

Të gjithë ramë në heshtje varri! Ulëm shikimet në mes të shalëve! …

Papritë, aty nga fundi i sallës shpërthen e qeshura e fortë, e Fluturës (mbiemri s’më kujtohet!), një nga sekretaret më të jashtëzakonshme që kam njohur gjatë viteve të punës në Koha jonë!

Bërtet Nikoja: Pse qesh ti! Nuk të besohet!

Në qeshje e sipër Flutura arrin të shqiptojë: Shef, më vjen keq! Unë nuk kam koqe!

Mbledhja përfundoi në klubin e famshëm afër gazetës, ku si gjithmonë paguante Nikollë Lesi!

 

Gojët e liga thonë se këto ditë u mblodh në sekret të fortë zyrtar, udhëheqja e lartë e Rilindjes, e Qeverisë dhe e grupit të socialistëve në Parlamentin shqiptar! Për arsye pune! -mungonte vetëm presidenti Bajram Begaj!

Sipas traditës, të drejtën e fjalës së parë, të fjalimit, të pyetjeve, diskutimeve e të fjalës së fundit e ka vetëm Nr 1! I Madhi Fare!

I Madhi, me fytyrë të ngrysur nga hallet e shumta të qeverisjes së suksseshme, foli dhe për korrupsionin, në rradhët e Rilindjes!

Korrupsionin nuk ua solla unë! Korrupsionin e gjetëm në qeveri të trashëguar nga qeverisja e Saliut!..etj, etj. etj.

Gojët e liga thonë se në një moment, gati delirant (të pazakonshëm për të Madhin Fare!) Ai shtoi:

Ja ku po ua them këtu!!! (Dhe bam, bam, bam! -grushtat mbi tavolinë) kushdo që dyshohet, përflitet, apo (larg qoftë) kapet në afera korruptive, Unë, Unë bashkë me SPAK-un, do iu heqim brekët nga koka! E do iu varim në mes të sheshit!

-Në këtë moment solemn, shpërtheu një e qeshur masive nga ministrat dhe ministreshat e Qeverisë së të Madhit Fare!

Këtu mbledhja mbaroi!

E në mos e paçi kuptuar pse qeshën qeveritarët e qeveritaret, lexojeni edhe një herë nga fillimi!

Please follow and like us: