Albspirit

Media/News/Publishing

THEOFAN POPA DHE DISA GJETJE E KONFIRMIME TE REJA MBI PIKTUREN E VELLEZERVE KOSTANDIN & ATHANAS ZOGRAFI NEN DRITEN E VEPRES SHKENCORE TE TIJ

Kristaq Balli
Aviten e bashkohen sot të gjitha arsyet e motivet që, duke admiruar e përshëndetur veprën e Theofan Popës nga lartësia e këtij fundshekulli, ta konsiderojmë e vlerësojmë atë si një univers me dimensione të gjera kohore, hapësinore e shpirtërore.
Theofan Popa mbetet një prej themeluesve e etërve të parë të shkollës shqiptare për evidencimin dhe studimin e artit bizantin e pasbizantin, e atij arti që përbën,ndofta, një prej vlerave më të spikatura e identifikuese të trashëgimisë historike e kulturore të popullit shqiptar gjatë mesjetës, pse jo, edhe gjatë tërë historisë të ekzistencës së tij. Nga ana tjetër, sa jemi të njohur nëpërmjet veprës së tij të shkruar apo të pashkruar, të mbaruar apo të pambaruar, por gjithmonë plot pasion e devocion shpirtëror, mund të themi se, ai, është studiuesi poliedrik dhe më i kompletuari për nga formimi, edukimi, kultura, eksperienca dhe njohuritë profesionale, pasi,veç të tjerash, ishte i zoti të verë në përdorim, të paktën, dy atribute të kultivuara gjatë jetës së tij – ato të teologut dhe të shkencëtarit. Të dy këta tregues, të sinkronizuar harmonikisht edhe me prirje e veçori të tjera të personalitetit të tij, afirmojnë një vepër me dimensione gjithëpërfshirëse për artin bizantin e pasbizantin, që nga puna e rëndë fizike e ekspeditave, e gjurmimit, zbulimit, grumbullimit transportimit dhe kujdesit për mbrojtjen e objekteve të kultit e, më tej, në punën e pandërprerë studiuese e shkencore,me një regjistër të gjerë problemesh si tablo e sfonde historike e shoqërore të periudhës, zbulime veprash e autorësh, monumentesh e datash me rëndësi të posaçme historike e kulturore për vendin tonë dhe për bizantologjinë, në veçanti, përkthime mbishkrimesh nga më të ndryshmet, me vlera të paçmuara autentike, analiza të veprimtarisë të shumë piktorëve ikonografë, të tipareve e karakteristikave të veçanta, të përbashkëta e krahasuese, të dhëna të sakta mbi tipologjinë, planimetrinë dhe ndërtimin e kishave, analiza mbi temat, problematikën, figuracionin, vlerat artistike, teknike e teknologjike, mënyrën e programimit kanunor të ikonave dhe afreskut në mjediset e kishës, spjegime e konsiderata të ndërlikuara teologjike të skenave të veçanta biblike si Apokalipsi i Joan Theollogut (Zbulesa), etj.
Padyshim, një prej drejtimeve kryesore të punës së tij prej dijetari mbetet zbulimi, nëpërmjet transliterimit, transkriptimit, përkthimit e interpretimit, i datimeve kronologjike të periudhave me rëndësi të veçantë historike e studimore për historinë e artit tonë bizantin e pasbizantin. Në shumicën e rasteve, këto, ai i bëri nëpërmjet mbishkrimeve autentike të nxjera vetë nga monumentet e kultit dhe, në të tjera raste, të pakta, nëpërmjet referimeve apo burimeve krahasuese nga studime e studjues të huaj, që kishin lëvruar sadopak në trojet tona.
Në rastin e parë saktësia ka qënë e plotë, absolute, pa ekuivoke, ndërsa në rastin e dytë ka ndodhur që burimet të mos jenë të sakta e, për pasojë, duke përsëritur e konsideruar njeri-tjetrin, na mbërrijnë pasaktësira që, herë-herë, duhen korrektuar e saktësuar suksesivisht. Midis tyre,ne gjejmë momentin të diskutojmë dy-tri datime me rëndësi në krijimtarinë e piktorëve Kostandin & Athanas Zografi, nën dritën e veprës të Theofan Popës.
I – Z. Theofan Popa, duke dhënë një tablo të gjerë të veprimtarisë së tyre pikturale1,2), ashtu si edhe disa studiues të tjerë si V. Puzanova3), Dh. Dhamo4), S. MIhalçka5), konfirmon vitin 1744, pra vitin e e pikturimit të afreskut në kishën Lindja e Shën Marisë të Manastirit të Ardenicës, si më të hershmin në krijimtarinë e tyre pikturale. Eshtë përjashtuar viti 1720, i parathënë nga korçari H. Karmici6) si datë e pikturimit të kishës Burimi Jetëdhënës në Korçë prej tyre, pasi ajo bije ndesh me të dhëna biografike të piktorëve të njohur dhe,se, shkrimi i kësaj date në afresk është bërë më vonë7). Kështu ka më se 45 vjet që viti 1744 ka mbetur i pandryshuar, sepse nuk kanë qënë evidencuar të tjera punime më të hershme edhe pse, duke përdorur logjikën, nga niveli profesional, nuk duket se afresku i Ardenicës të jetë prologu i krijimtarisë së tyre, edhe pse diapazoni shumë i gjerë kohor i veprimtarisë së tyre të detyron të lëkundesh i pasigurt në argumentime e definicione më të guximshme.
Por, një zbulim i ri i kohëve të fundit rrëzon tabunë e vitit 1744, duke e avancuar atë më herët e duke vërtetuar, kështu, hipoteza e supozime se fillimi i krijimtarisë së Kostandin e Athanas Zografit duhet të përfshihet midis viteve 1720 – 1744. Këtë gjë e parashikon edhe Th. Popa kur shprehet se… “data e fillimit të veprimtarisë artistike të piktorëve do të jetë një datë tjetër më e vonë”7) (pra jo 1720 – autorët).
Vrojtime, kërkime e bashkëpunime të vazhdueshme në një terren tradicionalisht të pasur e propabël për gjetje, siç është, veç të tjerash ikona familjare në qytetin e Korçës, kanë rënë në gjurmët e zbulimit të ri, që tregon se piktura e Ardenicës paraprihet nga të tjera vepra, prej të cilave, sot, ne zotërojmë, të paktën edhe një më shumë, por të panjohur më parë. Eshtë, pra, ikona “Shën Maria me Krishtin dhe me skena nga Festat e Mëdha”, e cila daton vitin 1736 dhe ka autor Kostandinin. Ikonën e posedon një familje e vjetër autentike korçare, pinjolle e drejtpërdrejtë e familjes Zografi, falë dashamirësisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me të cilën u realizua kjo gjetje. (fig. 1, 2)
Këtë afirmim e ka promovuar së pari Znj. Tatjana Caca e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Kongresin “Piktura Fetare pas Rënies së Kostaninopojës dhe Vepra e Manolis Haxhidakis “Piktorët Grekë pas Pushtimit”, mbajtur në Athinë në Maj 1999 9).
Që ikona është e Kostandin Zografit, pra e vëllait më të madh, e vërtetojnë tregues të trefishtë, në rradhë të parë mbishkrimi kanunor i kushtimit shpirtëror dhe punimit “me dorën e të përndershmit shërbëtor të Perëndisë Kostandini nga Korça, 1736 “, diku nga mesi i ikonës(ndryshe nga të tjerat, ku vendoset zakonisht në fund të saj.) , më tej, edhe pse pa mbiemër, si gurinë që, ky piktor, është Kostandin Zografi e bën absolute mënyra e pikturimit, stili, teknika, karakteristikat, analogjia me pikturën e mëvonëshme dhe, së treti, si përforcim, fakti, që, pasardhesit e familjes Zografi e dinë dhe e kanë përcjellë brez pas brezi, si të çmuar, këtë dhuratë të gjyshit e stërgjyshit, i cili, sipas tyre, pikturoi e dhuroi në atë kohë edhe disa ikona të tjera në rrethin e tij familjar.
Gjetja e kësaj ikone, natyrisht, nxjerr në evidencë përpara studiuesve, restauratorëve e historianëve të artit disa pyetje e probleme, për të cilat duhen kërkime,argumente e përgjigje të reja në krijimtarinë e vëllezërve korçarë Zografi, midis të cilave, ne, do të veçonim tri: 1-A mund të gjenden të dhëna të tjera në vakumin e krijuar rishtaz midis viteve 1736 -1744? 2 -Ku ndodhen, studiojnë, apo punojnë këta piktorë gjatë kësaj periudhe, që paraprin afreskun e kishës Lindja e Shën Marisë të Ardenicës? 3 -A mund të ekzistojnë vepra më të hershme se ikona Shën Maria e Kostandinit e vitit 1736? Besojmë se kërkuesit e shkencëtarët shqiptarë, sot, kanë mundësi më të qënësishme, më të lehta e më të parapërgatitura nga pikpamja metodike, pasi paraardhësit e tyre, midis të cilëve, në mënyrë të veçantë, ai, të cilin ,ne, kujtojmë sot, Z. Theofan Popa , kanë hapur trasenë e rrugëve gjeografike e kohore drejt gjetjeve e përgjigjeve të reja në opusin e artit bizantin e pasbizantin.
II – Një kapitull i mjegullt e pak i evidencuar në historinë shqiptare të Artit Bizantin e Pasbizantin, rreth krijimtarisë të vëllezërve K. & A. Zografi dhe e disa piktorëve të tjerë shqiptarë përbën piktura e tyre në Malin e Shenjtë. Edhe pse studjuesit kanë përcaktuar disa prej punimeve e kontributeve të tyre, mendojmë se aty ekziston një terren ende i palëvruar nga shumë pikpamje për kufizime e arsye të tjera specifike. Në veprën e tij ,Theofan Popa, veçanërisht, por edhe në mënyrë përgjithësuese shkruan se Kostandin & Athanas Zografi kanë punuar 3 herë në Athos, herën e parë prej vitit 1755 – 1757, herën e dytë prej vitit 1765 – 1766 dhe herën e tretë në vitin 1783.10) Ky vit shënon, gjithashtu edhe fundin e veprimtarisë së tyre pikturale dhe afirmimin e bijve të tyre Terpo e, më pas, Efthim.
Të dhënat e mësipërme nuk janë marrë nga mbishkrime e burime direkte, siç ka bërë Theofan Popa me pikturën e kishave në territorin shqiptar. Madje, të lind përshtypja se, ai, nuk ka qënë në Malin e Shenjtë, apo nuk e ka rrahur atë me qëllime studimi, pasi të gjitha datimet dhe interpretimet për pikturën e K. & A. Zografit aty, ai i ka marrë nga referenca e studjues të tjerë paraardhës si G.Millet, J.Pargoize dhe L. Petit, Evlogji Kurila12), i cili i përcjell ato, nga ana e vet, tek autorë të mëvonshëm si Uspenski13) dhe V. Puzanova14), etj.
Por, gjurmime të mëvonshme e të vijueshme na çojnë në disa të dhëna të reja me interes dhe afirmojnë një datë më të hershme të hyrjes së tyre në Malin e Shenjtë, vitin 1752.
Z. Theocharis Provatakis, duke përshkruar manastirin Filotheu ne Malin e Shenjte, thotë se kisha kryesore ka pikturë murale të shquar, e cila mban datën 1752 15). Por ai nuk thotë asgjë për autorin që lidhet me këtë afresk e këtë datë pikturimi.
Në Simpoziumin Ndërkombëtar “Voskopoja – Fenomen Shqiptar e Ballkanik” mbajtur në Korçë në Tetor 1998, studiuesi Koço Zheku, i cili e ka vizituar Manastirin Filotheu, deklaron se kjo datë i takon piktorëve korçarë K. & A. Zografi, por pa paraqitur ndonjë dokument vërtetues.16)
Konfirmimin më të plotë e më të saktë e sjell dokumenti i drejtpërdrejtë i sjellë prej nesh, pas një ekspedite të vitit 1996 në Agion Oros, e posaçërisht, në Manastirin Filotheu. (fig 3,4). Mbi portën kryesore të naosit të Katedrales “Ungjillëzimi” të këtij manastiri ne kemi fotografuar, transkriptuar e përkthyer mbishkrimin, ku, midis të tjerash thuhet se piktura është bërë me dorën e Kostandin dhe Athanas Zografit nga qyteti i Korçës, me 7 tetor 1752.(fig 5 )
Në të njëjtën kishë, por mbi portën e narteksit ndodhet mbishkrimi, pothuajse me përmbajtjen e të parit, që konfirmon pikturimin e narteksit po nga këta autorë, por 13 vjet më vonë, më 1765, vit, i cili, deri më sot, konsiderohej si e vetmja datë e pikturimit të kësaj kishe.
Ky konfirmim i freskët e i plotë, pra, vërteton tezën se vëllezërit Zografi nuk kanë qënë për të punuar 3 herë në Athos, por, të paktën, 4 herë, se porta e parë kohore e këtyre mjeshtrave aty , nuk ka qënë viti 1755, por, të shumtën, ai 1752 dhe se, ata, nuk kanë pikturuar vetëm narteksin, por edhe naosin, pra të gjithë kishën Ungjillëzimi të Manastirit Filotheu. Në vitin 1871 ky manastir u dogj plotësisht, përveç katedrales e bibliotekës dhe u rindërtua më vonë pjesë pjesë, për ta sjellë në gjendjen që është sot.17) Sipas vrojtimeve tona,e gjithë piktura murale e kishës ështe ruajtur mirë.(fig. 6,7)
“Inkursioni” i viteve 1755 – 1757 i çon piktorët K. & A. Zografi, së pari në skitin e Shën Anës (Skiti më i madh i Malit të Shenjtë, që i takon manastirit Laura e Madhe), ku, ata, dekorojnë më 1755 pikturën murale të kishës kryesore, si dhe, më pas, më 1757 në skitin bullgar Bogorodica, që sot atashohet në territorin e manastirit rus Pandelejmoni, e, ku, ata pikturuan kishën katedrale. Të dhënat që jep Theofan Popa rreth datimeve të mësipërme janë të njëjta me ato që përshkruan shumë më vonë edhe Theoharis Provatakis 18)
Viti 1783, ashtu si për studiuesit e tjerë shqiptarë, edhe për Theofan Popën, konsiderohet si epilogu i krijimtarisë së vëllezërve Zografi. Ky vit lidhet, gjithashtu, me Malin e Shenjtë, ku pikturohet afresku i kishës kryesore ,”40 Shenjtorët”, të Manastirit Ksiropotam. E veçanta e veprave të fundit, që njihen deri sot, është mungesa e emrit të Athanasit, pra duhet të ketë përfunduar aktiviteti i tij. Kjo duhet të jetë e arsyeshme, pasi, sipas Theofan Popës, në vitin 1781, vetë Kostandini pikturoi ikonat e kishës “Shën Kolli” në katundin Vanaj të Myzeqesë dhe më 1782, bashkë me të birin , Terpo, kanë pikturuar kishën Shën Gjergji në Libofsh19). Kështu duket se ka ndodhur edhe më 1783 në Manastirin Ksiropotam.
Se datimet e autorësia e freskave të Manastirit Ksiropotam janë të vërteta dhe të sakta, ne i mbështesim me dy fragmente afreskesh që sjellim nga ky manastir: “Ardhja e dytë e Krishtit”(fragment). (fig 😎 dhe “Përgatitja e Fronit” ( fig 9), të cilat konfirmojnë vitin 1783 nepermjet Z. Pravatakis20) e, që, sipas analogjisë stilistikore, na duket të jenë vepra te Kostandinit dhe Terpos.
Diapazoni shumë i gjerë kohor, intensiteti i veprimtarisë së fresko dhe ikonografisë të Kostandin & Athanas Zografit, cilësia e lartë e vlerave të krijimtarisë së tyre, si dhe vërshimi e dendësia e pikturës athoniane të shek të 18-të, nuk përligjin boshllëqet kohore “pasive”,apo të panjohura për ne në krijimtarinë e tyre. Për këtë arsye, ashtu si Evlogji Kurila, kur thoshte se “Kostandini dhe Athanasi kanë qënë shumë të njoftun në Athos si piktorë muresh të shumë kishave…, se ata kanë qënë të ftuar të punojnë edhe në Hungari…”21), edhe ne mendojmë se, në Malin e Shenjtë, ndofta edhe në ndonjë vend tjetër, duhet të ketë akoma të tjera kisha të dekoruara prej tyre, të cilat, herë pas here, edhe pse me shumë vështirësi, do të mund të evidencohen.
Gjetjet dhe konfirmimet e mësipërme janë frut i punës së vijueshme, këmbëngulëse, konsolidimit, zgjerimit e perfeksionimit të përvojës të studjuesve shqiptarë, në rastin konkret, të atyre të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, në fushën e historisë dhe studimit të vlerave të vyera të trashëgimisë kulturore e artistike të kombit shqiptar. Natyrisht, ato nuk lindin nga një gavernë e zbrazur, por nën dritën e asaj tërësie kontributesh, ku, vepra shkencore e Theofan Popës ze vënd të veçantë e ndriçon me rrezatim brilant.
Duke nënvizuar, së fundi, se pasuria e veprimtarisë studimore e Theofan Popës në fushën e artit bizantin e pasbizantin është shumë e vlerë dhe e gjithanëshme, ngase përmbledh kërkimet e tij qysh me mbishkrimet dhe pikturen e shpellave eremite deri tek piktorët më të fundit të mesjetës së vonë, duke nënvizuar, gjithashtu, shkallën e lartë të njohjes, prakticizmit dhe profesionalizmit, duke sjellë ndër mend punën e tij titanike e plot devocion, shpesh herë të pavlerësuar, të anashkaluar, të përjashtuar, sëbashku edhe me privacionet, e kalvarin e jetës së tij, thuajse prej shenjtori, ai meriton të vlerësohet nën një këndvështrim më të merituar, sepse, edhe kontributi që ai i dha shkencës shqiptare, si dhe shpëtimit e mbrojtjes të shumë e shumë kryeveprave të kultit, ishte i tillë.
Çdo lloj pikvështrimi i veprës së tij s’ka tjetër përfundim, veçse atë, që, Theofan Popa ka qënë, është dhe do të mbetet mësuesi i përhershëm i brezave të bizantologëve, të cilët trashëgojnë prej tij çelsat e artë të labirintheve misterioze të artit mesjetar. (7 shtator 2021).
* * *
1) Th. Popa: Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi dhe fresket e tyre në skenat e Apokalipsit. – Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Tiranë 1959,1.
2) Th. Popa: Piktorët mesjetarë shqiptarë, Tiranë 1961.
3) V. Puzanova: Prapë mbi artin shqiptar të shek. të XVIII, Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria Shkencat Shoqërore, Tiranë 1958,2
4) Dh. Dhamo: Piktorët shqiptarë të shek. XVI-XVIII dhe veprat e tyre në Shqipëri dhe vise të tjera të Ballkanit. Studime historike, 1985/3
5) S. Mihalçka: Manastiri i Ardenicës dhe konservimi i pikturave murore të tij. Revista “Monumentet”, 1986, Nr.2
6) H. Karmici: Gjeografia e Korçës dhe e rrethit, Selanik 1888, sipas citimit nga Th. Popa në artikullin “Piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi dhe fresket e tyre në skenat e Apokalipsit”
7) Th. Popa: Piktorët mesjetarë shqiptarë, Tiranë, 1961.
8) Th. Popa: Po aty.
9) T. Caca: Rreth veprimtarisë pikturale të vëllezërve K. dhe A. Zografi,- Kumtesë.
10) Th. Popa: Vepra e cituar më lart.
11) G. Millet, J. Pargoize, L.Petit, – Recueil des inscriptions de l’Athos, Paris 1904, cituar sipas Th. Popës nga E. Kurila në veprën “Voskopoja dhe Akademija e re e saj”, Athinë 1935 .
12) E. Kurila: Voskopoja dhe Akademija e re e saj, Athinë 1935, Cituar sipas Th. Popës në artikullin “Piktorët korçarë K. dhe A. Zografi dhe freskat e tyre me skenat e Apokalipsit”.
13) Uspenski: Periudha e dytë në manastiret e Athosit, Moskë, cituar sipas Th. Popës në artikullin “Piktorët korçarë K. dhe A. Zografi dhe freskat e tyre me skenat e Apokalipsit”.
14) V. Puzanova: Prapë mbi artin shqiptar të shek. të XVIII, Buletin i USHT, Seria Shkencat Shoqërore, Tiranë 1958, 2.
15) Th. Provatakis: Mount Athos ( History – Tradition – Touring), ~1990, Thesaloniki.
16) K. Zheku: Krijimtaria e vëllezërve K.dhe A. Zografi dhe vazhdimi i traditës voskopojare në Malin e Shenjtë – Athos, kumtesë, 1998.
17) Th. Provatakis: Vepra e cituasr më lart.
18) Th. Provatakis: Po aty.
19) Th. Popa: Piktorët mesjetarë shqiptarë, Tiranë 1961
20) Th. Provatakis: Vepra e cituar më lart.
21) E. Kurila: Vepra e cituar më lart.
Please follow and like us: