Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

 

ZOGJTË I KAM VËLLEZËR

 

S’jam djalë

hasreti

zogjtë e qiellit

i kam vëllezër.

 

Kur ia marr

këngës

degëve të lumturisë

më përcjellin me violinë.

 

Në faqe të nënës

çel buzëqeshja

si lulet.

 

Ylberohet dita ime

bashkë me ty.

 

NJË DERË ME TRËNDAFILA

 

Një derë me trëndafila të çelur,

një derë e vogël.

Pas saj një krua me kapelë

rrit buzëqeshje lulesh.

 

Këtu pi ujë pranvera,

nën hije të blirit pushon

me gugutë.

 

Nata kur vjen

hëna zbret ngadalë,

me gjyshen qëndisin fustane lulesh

për dasmat e fluturave.

Princat e vjershave vijnë

me mollëkuqet,

bëjnë selfi për Facebook e Instagram.

 

E dinë të gjithë

këtë derë me trëndafila

ku jeton një gjysh e gjyshe

me violinën magjike.

 

PËR NJË PUTHJE TË VOGËL

 

Për një puthje të vogël

çelin lulet

me faqet e qeshura.

 

Mollët ëmbëlsohen

për një puthje të vogël

në krahët e verës.

 

Edhe zogut i rritën flatrat

për të voglën puthje,

shkon tek anijet e reve.

 

Kënga blerohet

e bëhet puthje krejt,

brigjeve të vargjeve.

1 shtator 2019.

Please follow and like us: