Sadik Bejko: Homazh për Ndrek Lucën
Nën një kopertinë blu, lidhur me kapak të fortë, ruaj në arkivin tim të vogël dorëshkrimin e vitit 1987 të dramës sime “Paqe e përgjakur”, dramë e mbështetur mbi disa motive të një tregimi të S. S.
Nuk e kam botuar dhe nuk do ta botoj. E ruaj se më lidh me kujtimet, me bashkëpunimin tim me një aktor të shquar të skenës, me Artistin e Popullit, Ndrek Lucën që sot ka përvjetorin e lindjes.
Dëshmi mbi këtë bashkëpunim, që jo për fajin tonë pasoi me dështim, janë dhe një pusullë me shkrim dore të Ndrekës dhe një biletë autobuzi e asaj kohe që nga pas me stilolaps blu mban autografin e Nderk Lucës. Nga viti 1988 këto janë në arkivin tim.
Kur u ndamë me Ndrekën në Tiranë më 18 prill 1988, ai m’i dha pusullën dhe biletën që t’i plotësoja urdhërshërbimin pranë teatrit të Gjirokastrës… t’i kthenin lekët për shërbimin e kryer. I paraqita ato në llogarinë e teatrit Gjirokastër, por gjërat kishin ndryshuar për keq. M’u hodhën në fyt. Këto letra me shkrimin e Ndrekës përfunduan në kosh.
I mora, i ruaj edhe sot.
Nuk ia ktheva dot paratë e dietave Ndrekës së dashur. Drama “Paqe e përgjakur” dhe shfaqja që ishte dhënë në 25 net në Gjirokastër, tani që u kthyem nga turneu, po shaheshin. Pati dhe ndëshkime aktorësh. Mua me zemërim më zbuan nga teatri. Dikush, regjisori B. Kokalari, që Ndreka dhe unë i kishim shkelur në kallo, sipas dëshmisë në librin e Flamur Çanit, kërkonte me lot në sy… burgimin tim.
Pse? Vallë për këtë dramë që ende e mbaj në arkiv. Pse? Se Ndrek Luca në Gjirokastër e injoroi regjisorin B.K. Ai u bë regjisori dhe aktori kryesor i kësaj drame. Rri në stol i tha Bernardit.
25 shfaqje në Gjirokastër (nën regjinë e aktrimin e Ndrekës) nuk jepeshin aq shpesh. Pastaj në sallën e Teatrit Popullor në Tiranë u dhanë dy shfaqje. Sipas pusullës me shkrimin e Ndrek Lucës, gjirokastritët aktruan në Tiranë më 8 dhe 10 prill 1988. Pastaj shfaqje në sallën e teatrit Shkodër (shih pusullën e N. L.) më datat 13, 15, 17 prill. Këto ngjarje mbetën të papërsëritura më pas për teatrin e Gjirokastrës…. shfaqje në Tiranë, në Shkoder, në sallat më të famëshme për kohën. Kjo u arrit falë regjisë dhe aktrimit në rolin kryesor të Ndrek Lucës. U arrit falë karizmës dhe emrit që kishte një kreshnik i artit teatral si Nreka dhe pak të tjerë pas tij.
Por në kulmin e kësaj euforie, ëndrra jonë u ndërpre. Sipas Ndrekës do jepnim shfaqje dhe në shumë teatro të Veriut të Shqipërisë. Ai ishte një ëndërrues … si gjithë artistët. Por letrat anonime, kallëzimet, insinuatat, spiunimet e kishin bërë punën. Drama ishte me dy kuptime, sipas spiunëve. Me kuptime më shumë kundra sesa pro… nesh.
Dhe jo vetëm që u ndaluam të japim shfaqje, por… u ndaluam të punojmë dhe në teatër. Mua më vunë shkelmin.
U ktheva në arsim.
Ndek Lucës nuk mund t’i plotësoja amanetin: t’i ktheja honorarin, jo… nuk mund t’i ktheja as paratë që kishte shpenzuar në ditët kur jepnim shfaqje nën regjinë e tij.
Ndaj dhe sot ruaj dorëshkrimin e daktilografuar (41 fq) të asaj drame, tekst që e çmoj sa për atë kohë..
Ruaj biletën, pusullën me datat e një shërbimi që paret nuk iu kthyen… për një punë që Ndreka e pati bërë… Pare të mjera. Pare bilete tren-autobus Tiranë-Gjirokastër, me të cilën udhëtoi një Artist i Popullit… dhe nuk ia kthyen…
Një artist i madh… kurrë nuk mund të shpërblehet…
Je për mua i adhuruar atje ku je dhe sot… o Ndrek Luca!
https://javanews.al/homazh-per-ndrek-lucen/