Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Bardhyl Londo

NA JANË MBARUAR FJALËT

Na janë mbaruar fjalët.
Buzëqeshja ka mbetur në mes të udhës.
Ç’të bëjmë?
të shkojmë a të mos shkojmë për një kafe
në pallat të Kulturës?
Tavolinë e zakonshme
tej dritares qyteti vishet në muzg.
një gotë ujë për të dy,
kafja jote mbetur përgjysmë,
imja pirë me fund.
përgjysmë, përgjysmë, përgjysmë,
fjala,
buzëqeshja,
ledhatimi,
si dy shina paralele përjetësisht të privuara nga ndarja,
përjetësisht nga takimi.
Sa herë t’i puthja sytë e bukur,
papritur binte briri i kushtrimit.
Kohë e ashpër:
Ne që ishim aq të etur për njëri-tjetrin
të ndarë na duhej të vdisnim.

EDHE DASHURITË VDESIN, E SHTRENJTA IME!

…se edhe dashuritë vdesin, e shtrenjta ime,
me një gjeth në buzë, me një fjalë shpuzë…

…se edhe deti vdes, e shtrenjta ime,
mbi një erë të trishtuar, nën një shkëmb të vetmuar…

…se edhe vjeshta vdes, e shtrenjta ime,
në një livadh pa bar, në një shteg mërgimtar..

…se edhe ujërat vdesin, e shtrenjta ime,
nëpër mjegull të dendur, nën një re si ëndërr…

…kemi dashur shumë, kemi urryer shumë…
s’kemi si vdesim, e shtrenjta ime.

TI IKE, E NXEHUR, E TRISHTUAR…

Ti ike. E nxehur, e trishtuar.
Siç duket, the, s’kemi gjë për të thënë.
Mbi filxhanin e kafes gjysmëpirë
i kuqi i buzëve si gjysmëhënë.

Tani në kafe hyj somnambul,
më dhemb gjithçka e s’di ç’më dhemb.
Mbi buzët e filxhaneve kafepirë
kërkoj gjysmëhënën e të kuqit tënd.

SA KOHË KEMI QË DUHEMI?

E mora në duar kokën tënde,
prushi i gjakut pëllëmbët m’i dogji.
Në sytë e tu si në një ëndërr rashë
dhe më s’u zgjova.

Në sytë e bukur si loti.

Me gishtat e dridhur të dashurisë
emrin tënd shkërmoqa germë për germë.
Të thirra e dashur,
Të thirra motër,
Të thirra nënë.

Ti hesht, e bukur, e tejdukshme,
natyrshëm siç mbin bari.
Oh, hapi ata sytë e zinj,
hapi, të vijë
behari.

Hapi ata sy
më përrallore se fantazia e Zhyl Vernit,
dy lëndina ku rritet lirizmi.
Në retinën e tyre si në ekranin më të ndershëm
Veten më mirë kuptova,
ty,
njerëzimin.

Je tepër e lashtë për të të thirrur Evë,
je tepër e bukur për të të thënë Zhuljetë.
Sa kohë kemi që duhemi? Dy mijë , tre mijë vjet?
Me ty e kam lindur Prometeun,
me ty shekullin e njëzet.

Po ty
të zuri gjumi?
Shtrihu.
Ti më mësove të vërtetën e madhe:
DASHURIA ËSHTË NJË MONUMENT
MBROHET NGA NJERIU!

SA E GJATË RRUGA NGA TRUPI TEK SHPIRTI…

Sa e gjatë rruga nga trupi tek shpirti,
herë zbardh, herë zverdh si vrer veremi.
Një rrugë të ndjell për nga apokalipsi,
tjetra për nga Jeruzalemi.

Një kryq gjithkënd e pret. i rëndë, i lehtë,
në agim të rrugës a në të ngrysur.
Jeta mund të jetë Dhjatë e Vërtetë
por mund të jetë dhe dhjatë e përmbysur.

Kryqin nuk mund ta shmangësh. Golgota
jote mund të jetë mal, mund të jetë e vogël sa gishti,
në rrugën tënde gjithmonë hapur Kerkaporta*

Pret e bardhë a e verdhë vrer veremi.
Brenda teje lind dhe vdes Apokalipsi,
brenda teje Jeruzalemi.

ATDHEU ËSHTË DHIMBJE!

Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,
sa karrigia e zyrës,
sa dhoma komode.
A më dëgjon?!

Ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,
për ta ndryshuar ndoshta
prapë në mbrëmje.

Atdheu s’është lojë kalamajsh.
Atdheu është dhimbje.

O Zot,
Dhimbje!

VETËM ITAKA MBETET

Kanë ndërruar anijet. S’janë më si të Odiseut.
Kanë ndërruar dashuritë. S’janë më si të Manelaut.
Gratë ndyshe janë. S’i ngjajnë më Helenës.
Dhe prapë do të ndërrojnë në shekujt praparendës.
Vetëm Itaka mbetet.
Itaka te fëmija, Itaka te gjeniu
ajo, e përjetshmia,
ëndërra,
dashuria,
jeta,
vdekja:
Itaka-vetë njeriu.

FËMIJË ISHA, LODRA KËRKOJA…

Fëmijë isha, lodra kërkoja. Nëna vendoste.
Unë flisja i pari. Nëna e dyta.

Mësimin thoshja. Mësuesja vendoste.
Unë flisja i pari. Mësuesja e dyta.

Ëndrra shikoja natën. Dita vendoste.
Unë flisja i pari. Dita e dyta.

Isha me ty. S’doja të ikte dita. Nata vendoste.
Unë flisja i pari. Nata e dyta.

S’doja ta lija atin të vdiste. Vdekja vendoste.
Unë flisja i pari. Vdekja e dyta.

Nisesha djathtas, përfundoja majtas. Jeta vendoste.

Unë flisja i pari. E dyta ish e drejta.
Po ç’numër vallë kishte e vërteta?

Unë flisja i pari. Jeta e dyta.

LETËR POPULLIT TIM

Populli im bukën e mëngjesit nën sqetull
Një cigare tymzezë, sy rrathënxirë nga pagjumësia

Ku po shkon këtë fundshekull?

Hapat e tu simfoni e nëntë Betoviane,
Mëngjesi dilemë hamletiane,
Mesdita plakurtë, fëmijë rebel,
Në ç’ëndërr hyn vallë natën,
Nga ç’ëndërr në mëngjes vallë del?

Ti, i pasigurti si një syth marsi,
Ti, i sigurti si deti,
Më i urtë se Buda,
Më martir se Krishti,
Më profet se Muhamedi.

Lermë të t’i puth sytë sërish
Sërish
Sytë, ah sytë fole dhembjesh
Arenë tragjikomedish.

Të putha, dhe putha gjithë pëllumbat
Të qafova, dhe qafova gjithë detet.

Ku po shkon, i bukuri im, këtë fundshekull?
Kudo shkofsh më merr me vete.

Më merr ashtu thjesht pa karrige,
pa veturë.

Kjo është letërankesa ime e parë dhe e fundit.
Firma: Bardhyl Londo
Nëntor 1990. E mërkurë

BALADË

E di që shumë vajza më deshën
ca provokuese, ca të heshtura pa zë,
po unë në jetën prej gjysmëmurgu
prej tyre desha vetëm një.

Nuk e di ku janë, s’e di çfarë bëjnë
çarçafi i bardhë herë-herë s’i nxe.
Po unë nën çarçaf shtrihem me kujtimet
dhe e kuptoj që vend tjetër s’ka më.

Tani që hapat e vdekjes i ndjej si afrohen
të heshtura, të zeza një nga një.
Ndonjëra ndonjë lot do derdhë fshehtaz,
vetëm njëra do të qajë me zë.

Please follow and like us: