Kristaq Balli: “EPILOGU” I BANDËS KOMBËTARE “VATRA”
Banda Kombëtare Shqiptare “VATRA” u themelua në qytetin Worcester Mass. (Uster) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fund të vitit 1916 (apo në fillim të vitit 1917). Presidenti i saj ishte Kostë Pano dhe drejtues artistik e dirigjent Thoma Nassi (Nga Dardha e Korçës), një personalitet i spikatur muzikor shqiptar, i studiuar në Konservatorin e New England të Bostonit për kompozim e dirigjim, kompozitori i parë shqiptar i shkolluar në ShBA, organizatori, drejtuesi, instrumentisti, dirigjenti e veprimtari i shquar artistik e patriotik që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare dhe që muzikantët e studiuesit e mëvonshëm kontemporanë i referohen shpesh. (K. Balli: Thoma Nassi- Portreti mediatik, monografi 2006, f.7)
Banda “Vatra” përbëhej nga rreth 30 instrumentistë amatorë të rinj(punëtorë fabrikash me origjinë nga Dardha, Korça, ose fshatrat përreth), shumica me vegla frymore, mandolina, kitara e violina. Qëllimi i krijimit të këtij formacioni muzikor ishte, pa dyshim, së pari veprimtaria koncertore e artistike në ShBA, kryesisht nëpër komunitetet shqiptare e në kuadër të Kryqit të Kuq amerikan, emancipimi dhe prosperiteti kulturor, por jo më pak edhe kontributi i tij në mbajtjen gjallë dhe kultivimin e pathosit e ndjenjave patriotike në shërbim të Shqipërisë, me çrast kjo bandë nuzikore kishte marrë edhe emrin e Federatës Panshqiptare në ShBA, “VATRA” që kishte si kryetar Fan S. Nolin.
Pas një sërë aktivitetesh artistike në ngulimet shqiptare të Bostonit dhe rrethinave të tij në New England në momente ngjarjesh e retrospektivash me karakter kombëtar, fetar, e kulturor, ku dallohej qartë pathosi i binomit art dhe patriotizëm për më se tre vjet, rrethanat historike të dëshpëruara por edhe luftarake në Shqipëri i bënë thirrje ndërgjegjes kombëtare të një shpure shqiptarësh të rinj vatranë (rreth 120) nga ShBA-ja për t’iu përgjigjur asaj me vendimin e tyre për t’u kthyer në Shqipëri e për t’ju bashkuar rezistencës shqiptare. Midis tyre edhe Banda “Vatra” me në krye Thoma Nassin, si një trupë civile.
Kështu, të mbledhur në New York, duke pritur urdhërin dhe datën e nisjes ata dhanë koncertin e fundit në Shtetet e Bashkuara, në Broadway Central Hotel më 13 Mars 1920 nën dirigjimin e Thoma Nassit. Më 16 Mars ata u nisën me vapor drejt Mesdheut dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Brindisi të Italisë, në fillim të muajit Prill zbarkuan në Durrës për t’u inkuadruar në zhvillimet konfliktuale rreth kufijve të lakmuar e të cunguar të Shqipërisë. Pas udhëtimit për në Tiranë, ku vendin e qeveriste regjenca e kryesuar nga Sotir Peci (edhe ky nga Dardha e Korçës) dhe ku të gjitha institucionet shtetërore e shoqërore i pritën me entusiazëm, bandës “Vatra” i ishte siguruar një turne në gjithë qytetet e Shqipërisë me qëllim ngritjen e moralit qytetar për kauzën shqiptare. Shkodra, Elbasani, Delvina, Gjirokastra, Saranda, Tepelena, Përmeti, Erseka dhe së fundmi Korça, më 26 Prill 1920, ishin destinacionet e koncerteve të bandës, por jo edhe pa implikimet e saj në mbrojtje, pjesëmarrje, apo veprime luftarake kundër forcave të shteteve të huaja që pretendonin territore shqiptare. Në qershor të po këtij viti bandës “Vatra” iu bë apel nga luftëtarët për të shkuar në Vlorë, ku luftohej kundër pushtuesve Italianë dhe ku Thoma Nassi, ndërmjet të tjerassh, kompozoi këngën himn “Vlora, Vlora”.
Më tej banda “Vatra” e zhvilloi aktivitetin e vet në Korçë dhe rrethinat e saj qytetin, ku ajo gjeti një terren të përparuar qytetar e kulturor, të pakrahasueshëm me çdo qytet tjetër. Koncertet e hapura, shfaqjet teatrale, organizimi dhe ngritja e formacioneve të reja muzikore e korale, pjesëmarrja në çdo ngjarje madhore, apo kishtare dhe progresi kulturor qytetar ishin në fokusin e kësaj bande. Deri në Qershor të vitit 1924 banda e zgjeroi dhe perfeksionoi fizionominë e eksperiencën e saj profesionale e artistike nëpërmjet udhëheqësit të saj artistik Thoma Nassi, i cili, njëheresh, u bë edhe drejtuesi i Shoqërisë se Arteve dhe la kontribute të vyera në fushën e muzikës moderne shqiptare, impakti i të cilave vijon të jehojë edhe sot. Por banda pati edhe problemet e saj, veçanërisht në aspektin financiar, ku, për shkak të gjendjes politike e ekonomike shqiptare, efekt të veçantë negativ luajti mosmarrja e rrogave të premtuara për mbijetesën e familjeve të tyre.
Aktiviteti i Bandës “Vatra” gjatë viteve 1920-1924 është pasqyruar gjerësisht në shtypin e kohës me konsiderata mediatike shumë pozitive, ashtu sikurse edhe roli protagonist i Thoma Nassit në hopin muzikor që ai i dha muzikës qytetare jo vetëm në Korçë. Ndërkaq, planet për globalizimin territorial e shtetëror të bandës si një institucion kombëtar nuk u realizuan gjatë qeverisjes gjashtëmujore (Qershor 1924-Dhjetor 1924) të kryeministrit Fan S. Noli, i cili, edhe pse ishte një dashamirës i njohur i muzikës dhe bëri tratativa për ta realizuar atë, nuk mundi ta materializonte dedikimin e tij në një kohë aq të shkurtër.
Me rikthimin e Ahmet Zogut në fronin kryeministror në Dhjetor 1924 e më pas si president i Republikës Shqiptare (1925-1928) Banda “Vatra” u zhvendos në Tiranë. Thoma Nassi deklaron se Zogu kishte etje të pashuar për muzikën, sidomos për Vagnerin. Ata ishin takuar së bashku disa herë dhe ishin shprehur pozitivisht për të ardhmen e bandës, si edhe për zhvillimin e të ardhmen e muzikës në Shqipëri (Thoma Nassi: Ligjërata në Organizatën e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të Harwardit, Cambridge Mass., 1960) Thoma Nassi e riorganizoi dhe e kompletoi bandën “Vatra” duke angazhuar edhe instrumentistë të tjerë. Në këtë kohë dhe më pas kjo bandë do të njihej e konfirmohej me atributet e një formacioni muzikor shtetëror e kombëtar dhe do të vijonte aktivitetin e saj artistik e ceremonial. Kurse Thoma Nassi krahas drejtimit të kësaj bande, kompozoi edhe disa prej këngëve të tij të njohura dhe u angazhua me synimin për mësimin e muzikës në shkollat shqiptare. Gjatë kësaj kohe banda bëri edhe një turne të gjatë kryesisht nëpër qytetet malore, ku Thoma Nassi krijoi edhe “një koleksion muzikor”, midis të tjerash “Kënga e Mullirit”, “Kënga e Bariut”, “Katër Valle” të cilat u bënë gjithashtu krijime klasike shqiptare.
Por në vitin 1926, i detyruar nga disa rrethana politike e familiare, të cilat Thoma Nassi i qartëson vite më vonë, më 1960 në ligjëratën në Organizatën e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të Harwardit, Cambridge Mass. ai vendos të shkojë përfundimisht në ShBA. Ai kishte filluar të ndjente intuitivisht se Zogu kishte filluar ta shihte veten si një mbret dhe superambicioz. Thoma Nassi pësoi kështu një dekurajim ”me këtë të ri brilant, i cili kishte drejtuar mirë demokratikisht, por që, më pas, u bë, fillimisht, një president ekstravagant i republikës dhe pastaj, më vonë, projektoi shenjat e bërjes mbret… Me zemër të thyer, ju dhashë lamtumirën shumë e shumë miqve, anëtarëve të bandës Vatra dhe Zogut(i cili nuk donte të më linte të shkoja). Unë e dija fare mirë që misioni im ishte ende në Shqipëri, por unë parapriva pasoja të këqija për familjen time, nëse unë qëndroja. Re të zeza po mblidheshin. Musolini kish hartuar programin e tij ambicioz të pushtimit dhe Shqipëria ishte një nga vendet e para që do të sulmohej pa mëshirë dhe do të pushtohej prej tij” (Thoma Nassi: Ligjërata në Organizatën e Studentëve Shqiptaro-Amerikanë të Universitetit të Harwardit, Cambridge Mass., 1960)
Por ai s’kish si të parandiente, gjithsesi, edhe fatin e tij pas çlirimit të Shqipërisë dhe ardhjes në pushtet të një regjimi totalitar komunist, i cili për analogji e, siç ndodhi në fakt, do të spastronte nga faqja e dheut intelektualët e shquar që kishin lidhje me botën perëndimore. Dhe vërtet, qëndrimi ndaj Thoma Nassit dhe veprës së tij politike, intelektuale e artistike iu nënështrua një “harrese” e indiference, edhe pse disa nga këngët dhe kompozimet e tij vijuan të interpretoheshin anonimisht, pa autorësi, pasi ato ishin ngulitur në memorjen e kombit dhe nuk kish si të çrrënjoseshin. Fati fatal i shumicës së intelektualëve
ekselentë krijues shqiptarë që studiuan dhe u promovuan në Perëndim e qëndruan në Shqipëri gjatë komunizmit do të ishte mbase edhe fundi tragjik i Thoma Nassit dhe familjes së tij. Mbase kjo ishte, ndërmjet të tjerash, edhe fakti që ai, madje, nuk u kthye më në Shqipëri gjatë gjithë jetës, qoftë edhe si vizitor në vendlindjen e tij, Dardhë.
Kësisoj, përbën një koincidencë, apo një gjest të ndërgjegjshëm e simbolik fotografia e mëposhtme?
Në të paraqitet ansambli i “Bandës Shtetërore” (“nukli magnetik” i së cilës ishte padyshim ai i Bandës “Vatra” dhe dirigjentit Thoma Nassi) dhe, siç e konfirmojnë të dhënat e saj të dukshme, është realizuar në vitin 1926 nga fotografi mjaft i njohur tiranas Ymer Bali (Foto Bali), pra brenda atij viti kur Thoma Nassi kishte vendosur të shtegtonte përgjithnjë në ShBA.
Fotoja ekspozon me një kompozicion mjaft të gjetur 31 instrumentistët e bandës me instrumentet muzikore në dorë, të rinj apo të pjekur në moshë, me veshjen e posaçme ceremoniale e në qendër të të cilëve vendoset drejtuesi Thoma Nassi, me kostumin e papionin e dirigjentit. Fotoja është bërë ekskluzivisht për anëtarët e bandës, jashtë, në një mjedis të gjelbëruar, ndoshta para një platformë enkas për interpretimin e koncerteve, (ashtu si edhe në Korçë platforma e bandës në Lulishten Themistokli Gërmenji, ku vijon tradita e interpretimit të bandës së qytetit dhe Korit Lyra) të cilëve iu është dhuruar e mirëpërgatitur, e paspaltuar dhe e vendosur në një kornizë druri të mbuluar me xham. Kjo foto origjinale (afërsisht 30cm x 22cm) është ofruar pas 87 viteve nga familja e njohur dardhare Koço e Palo Çomi, një pjesëtar i së cilës ka qenë, si shumë dardharë të tjerë, anëtar i Bandës “Vatra” e më pas i bandës së riorganizuar shtetërore në Tiranë. Edhe pse, jo e mbajtur në kushte të mira dhe e dëmtuar fragmentarisht, por edhe për shkak të “moshës” së saj ajo është ende e qartë, e lexueshme mirë edhe në detaje dhe e prodhuar fillimisht me cilësi shumë të lartë në kondicionet ndriçim, kontrast, qartësi e mprehtësi. Në krahun e djathtë poshtë (pranë një fëmije të rastësishëm) ndodhet një mbishkrim me gërma të bardha “Foto Bali, Tiranë, 1926).
Kjo është një foto e rrallë dhe e pabotuar a e riprodhuar që prej “lindjes së saj”. Ajo paraqet një rëndësi të veçantë historike e kulturore, pasi është “dokumenti” i fundit pamor i “finalizimit” dhe epilogut të veprimtarisë kulturore e artistike të një prej formacioneve më të spikatura muzikore – Bandës Kombëtare Shqiptare “Vatra”, si dhe përmbylljen e një faze të rëndësishme të krijimtarisë dhe kontributit të paçmuar të muzikantit dhe muzikologut të shquar Thoma Nassi në Shqipëri.
Zhvillimet e mëtejshme të formacioneve koncertale do të ndiqnin rrjedhën e zhvillimeve historike, politike, kulturore e artistike që sugjeronte koha më pas.
Bibliografi:
- Ballauri V.: “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, Selanik 2002
- Balli K.: “Thoma Nassi, portreti mediatik, monografi”, Libraria Kotti, 2006
- Bello P.: “Lëvizja muzikore në Korçë në fund të shek. XIX deri në çlirimin e vendit”, revista “Nëntori”, Nr. 5, 1987
- Jorgji K.: “Banda Kombëtare “Vatra”, Gazeta “Korça demokratike” 15 Dhjetor 1995 dhe 2 Janar 1996.
- Jorgji.K: “Veprimtaria atdhetare dhe muzikore e Thoma Nassit”, revista “Tempulli” Nr. 1, 2000
- Koço E. “Korçare Distinctive Songs”, On line.
- Koleksioni i gazetave të Korçës 1920-1926
- Nassi Th.:“Ligjërata në Organizatën e studentëve shqiptaro-amerikanë të Universitetit të Harvardit, Cambridge Mass., në vitin 1960”
- On line: linku Thoma Nassi
- On line: linku Banda “Vatra”
- On Line:linku Ahmet Zogu
- On line: linku Fan S. Noli
- Tërpini F.: “Korça vatër e artit dhe kulturës Shqiptare”, Korçë, 2002
https://gazetadielli.com/epilogu-i-bandes-kombetare-vatra/