Andrea Gudha: Lamtumirë i dashur, Llambi Dilo!
Kolektivi i pavionit të Pediatrisë, spitali Gjirokastër (1983)
Lamtumirë i dashur Llambi!
I dhimbshëm dhe shumë i trishtë largimi tënd parakohe nga kjo botë!
Na u ndërprenë midis nesh bisedat e tua të këndëshme, me zërin tënd karakteristik në telefon…!
Me largimin tënd nga kjo jetë do të ndjehet mungesa, jo vetëm tek fëmijët dhe prindërit gjirokastritë por, dhe tek gjitonët e tu të dashur, veçanërisht familja e nderuar Qurku, kur zbrisje në mëngjes për vajtur në spital, apo, kur ngjitje kalldrëmin, kur ishe në pension, për të shkuar tek sheshi Çerciz Topulli për të pirë kafen me shokët e tu!
Fatkeqësisht, sot përcillet në banesën e fundit Dr. Llambi Dilo, shok gjimnazi, shok Fakulteti dhe koleg pune në spitalin e Gjirokastrës për vite të tëra.
Me profesionalizmin dhe edukatën e tij qytetare Llambi i jepte pavionit të pediatrisë ndriçim dhe shpresë.
Veçanërisht, me formimin e tij në Tiranë si kardiopediatër, mjeku i parë kardiopediatër në historikun e spitalit Gjirokastër, ndikoi pozitivisht në rritjen e cilësisë së konsultave me kolegët në kujdesin shëndetësor ndaj fëmijëve të sëmurë, jo vetëm për rrethin e Gjirokastrës por, dhe në nivel Qarku.
Netë të tëra pa gjumë, sëbashku, tek shtrati i fëmijëve të sëmurë…!
I ndjeshëm ka qenë roli i Llambit si Shef pavioni i Pediatrisë pas viteve 1995, si mjek pediatër. I pa lodhur dhe i pa kurcier për modernizimin e shërbimit pediatrik, duke zbatuar të dhënat bashkëkohore të diagnostikimit dhe mjekimit të fëmijëve, fal formimit të tij të mëtejshëm në Janinë, Itali etj.
Rritur në një familje intelektuale në lagjen Varosh, djal i Lefter Dilos, studiuesit skrupuloz në letra, në kronologjinë e historikut të Gjirokastrës, themelues i muzeumeve të Gjirokastrës, materiale, që hodhën bazat në ditët e sotme që, Gjirokastra të jetë pjesë e UNESKO-S dhe, të jetë epiqendra e qendrës turisike në nivel kombëtar.
Këtë pasion dhe dëshirë e kishte dhe Llambi, kur doli në pension, për të vazhduar dhe botuar dokumentet e lëna nga babai…
Me shumë dhimbje, i shpreh familjes së Llambit, Meritës, fëmijëve dhe motrave: Elsa dhe Roza, si dhe gjithë të dashurve të tij, ngushëllimet e mia më të sinqerta!
I pa harruar qoftë kujtimi i Llambi Dilo!
Tiranë, 10. 09. 2024.