Irena Kuka Dragoti: Përjetësi…
Veç ta shohësh, shkrepëtimën se si bie
mbi romancën e kanatave të hapura të dritares
me stuhinë
përjetësi e drojtur, që premtohesh
nga katër buzë
kur beson se nuk ke arsye të njohësh zemrën
kur errësira kërcet gishtat e lodhur
si një instrument frymor, që gromësin nga stomaku
me sytë e mbyllur…
Përjetësi që fillon si rrugë udhëtare
gjersa ndanë saj, bie hija
e ndonjë shelgu lotues.
Në fillim e lexon nga fjalët
gjersa zhvesh hiret në qiellzë
si një rënkim që lehtëson brinjët.
Ndahet në dy gjysma, kur mbledhim ëndrrat
si kristale kripe, në djersitje pëllëmbësh
ngushëllohet duke pritur, përrallën
me atë dasmën e xixëllonjave mbi liqen
ku yjet rrinë më afër se ëndrrat.
Përjetësi është si të mbetesh gjallë
kur ke ikur..
I përjetshëm kujtimi i saj…