Albspirit

Media/News/Publishing

Rrumbullaku: Krenar për rezultatet e Policisë së Shtetit

Muhamet Rrumbullaku dorëzoi sot detyrën si Drejtues i Policisë së Shtetit. Ish-kreu i uniformave blu iu drejtua me një letër punonjësve të Policisë së Shtetit, ku shprehu falënderimet për përpjekjet e përbashkëta dhe arritjet gjatë këtyre dy viteve.

“Vullneti dhe ndershmëria në përmbushjen e detyrës së punonjësve të policisë, që kam patur fatin ta jetoj bashkë me ju për mbi 3 dekada, ka prodhuar rend e siguri në Shqipëri”, shkruan ndër të tjera Rrumbullaku.

Sipas tij, sot vendi ynë regjistron treguesit e sigurisë më të mirë që ka patur ndonjëherë, falë një progresi të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit dhe ndihmës e mbështetjes domethënëse nga Ministria e Brendshme e Qeveria, nga Partnerët Ndërkombëtarë e Agjencitë e Zbatimit të Ligjit dhe padyshim, falë bashkëpunimit të vyer me qytetarët.

“Policia e Shtetit nuk është sot një institucion i përsosur e pa probleme, por padyshim rritja e besimit të qytetarëve te uniformat blu, besimi i shtuar i komunitetit të agjencive ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, dhe treguesit e kriminalitetit e gjendjes së sigurisë në vend dëshmojnë se Organizata e Policisë duhet të ndihet krenare për rezultatet e saj”, u shpreh Rrumbullaku.

“Ajo që arritëm së bashku, duke garantuar siguri, rend e goditje të kriminalitetit, teksa Shqipëria u kthye në një destinacion turistik të pamenduar e të paparashikuar më parë, është një trashëgimi e vlefshme, që jam i bindur se do të dini ta çoni më tutje të gjithë bashkë”, vijoi ai.

Rrumbullaku theksoi se procesi voluminoz dhe i munguar prej vitesh i konkurrimit për fitimin e gradave, i zbatuar në mënyrë të paanshme e transparente, sipas parimit të meritës e mosdiskriminimit, u krijoi punonjësve të Policisë së Shtetit shanse të barabarta për të qenë pjesë e proceseve garuese e përzgjedhëse, të normuara sipas ligjit të ri.

“Vizioni dhe kontributet për ligjin e ri të Policisë së Shtetit, ku konturohet një menaxhim modern e bashkëkohor i organizatës; akreditimi dhe standardizimi ndërkombëtar i arsimit të lartë policor; ‘toleranca zero’ ndaj çdokujt në radhët tona që tradhton uniformën dhe bashkëpunon me krimin, kanë qenë gjatë këtyre 735 ditëve të shkuara prioritetet tona, që sot mund të themi se i kemi përmbushur të gjithë bashkë”, tha ai.

Rrumbullaku theksoi se lënia e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është për të edhe momenti i mbylljes së një cikli me uniformën e shenjtë të punonjësit të policisë, për të cilën kanë dhënë jetën në krye e për shkak të detyrës 228 kolegë, bijë nënash, prindër, bashkëshortë, vëllezër, shokë e miq, të cilët nuk do të harrohen kurrë.

“Gjaku i tyre dhe sakrificat që punonjësit e policisë bëjnë në çdo sekondë duhet të jenë një motor që prodhon energji të pashtershme për të gjithë, duke synuar parandalimin e goditjen e krimit dhe garantimin e rendit e sigurisë në vend. Pavarësisht çdo përballjeje duhet të jeni gjithmonë kryelartë nga kjo sakrificë. Me Flamurin Kombëtar dhe Flamurin e Policisë së Shtetit gjithnjë pranë meje, ju siguroj se do të jem mbështetësi juaj kryesor në çdo kohë dhe rrethanë”, shkruan ndër të tjera ai./atsh

Please follow and like us: