Historitë e mëdha të sportit shqiptar, Agim Fagu
NGA BESNIK DIZDARI
KAPITULLI I
E vërteta është se ky 55-vjetor ka përkuar me 18 dhjetorin 2023 të para dy muajve. Ndërkaq, për një çast të duket se ky cikël në kapituj i kushtohet thjesht atij barazimi zamadh të Partizanit të Shqipërisë 73-73 me Kampionen e Italisë “Oransoda” të qytetit Cantu, në pjesëmarrjen e parë të basketbollit shqiptar në Kupat e Europës. Kësisoj, edhe ngaqë 18 dhjetori 1968, ky barazim i bujshëm -rezultat shqiptar ky – çuditi Europën e basketbollit të asokohe.
Ky 55-vjetor nuk është ditëlindje e dikujt dhe po aq as edhe një ngjarje e përmasave politike shqiptare, që shpesh ia merr frymën jetës së Shqipërisë. Thjesht është një realitet – simbolikë e madhe megjithatë, që mbërrin përmes sportit, përmes basketbollit. Një simbolikë që shënjon një ditë që mund ta përcaktoj edhe si një nënkuptim a shprehje e startit të europianizimit të basketbollit shqiptar, me në krye një protagonist të pazakontë me emrin Agim Fagu. Ku siç dihet, përveç lojës së tij të shkëlqyeshme tejet përcaktuese në atë barazim madhështor, ishte dhe vula e 48 pikëve të shënuara prej tij.
Do të mundohem të mos përsëris, por vetëm të shpalos diçka ndryshe pra, mbi të gjitha duke u mbështetur jo vetëm te arkivi im, por edhe te shtypi i kohës, sidomos te shtypi i huaj.
AGIM FAGU – 16 VJEÇARI I KOMBËTARES DHE 18 VJEÇARËT E KAMPIONATIT BALLKANIK 1965
Më 1947 në Kampionatin Europian të basketbollit në Pragë, Shqipëria është mundur 114-11 prej Belgjikës, por deri dhe 104-19 prej Egjiptit dhe 90-13 prej Jugosllavisë! Ky ishte basketbolli i Shqipërisë i asokohe – një sport i “lindur” mirëfilli prej saj mbas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse i përkujtueshmi i shquar Haki Korça, kampion i mirënjohur i Sportklub Tiranës në futbollin e viteve ’30, më këmbëngulte në takimin me të në Toronto të Kanadasë se, në ato vite ’30 në Elbasan, është luajtur kampionati kombëtar i basketbollit. Ndërsa mua kryefortësia e provave të gazetarisë, më thoshte se ky ka qenë thjesht një kampionat midis gjimnazeve të Shqipërisë. Çka mbetet për t’u verifikuar…
Ndërkaq, pa mëdyshje mund të them se në rang kampionati zyrtar kombëtar, basketbolli shqiptar është themeluar pas luftës. Rezultatet dërmuese të mësipërme të vitit 1947, nuk di a duhen quajtur themele, megjithatë. Ajo që di më tej është kjo tjetra: ajo që na thotë se fitoren e parë të saj Kombëtarja e Shqipërisë e ka arritur më 1963, me Guinenë me shifrat 70-52 në Lojërat e GANEFO-s në Xhakarta të Indonezisë. Është një bujë që na mbërrin mbas bukur 60 vjetëve, e që kurrë nuk e kemi përmendur. Në këtë fitore, në këtë pjesëmarrje ka qenë dhe një adoleshent me emrin Agim Fagu, Ishte 16 vjeç! Ta do mendja të jetë i vetmi basketbollist në botë i cili luan me Kombëtaren e vendit të tij në një turne zyrtar ndërkombëtar, duke qenë vetëm 16 vjeç!
Do t’i kthehemi më mbas këtij rasti të bujshëm për historinë e basketbollit…
Mandej hapi i parë mirëfilli i Shqipërisë në europianizimin e basketbollit të saj që mbërrin në Kampionatin Ballkanik të Tiranës 1965. Dhe tejet e çuditshme se si, ky turne – çka pa ngurrim e quaj edhe një lloj “diplomacie” të “luftës së ftohtë ballkanike” – mahniti Tiranën pa fituar asnjë ndeshje Shqipëria.
Risi tjetër e kësaj ngjarjeje ishte fakti se në Kombëtaren e Shqipërisë, plot 4 lojtarë janë të datëlindjes 1947, pra 18-vjeçarë! Kujtim Kasmi, Nikolin Pali, Nusret Reka dhe Agim Fagu. Është vërtet e padëgjuar se si ka ndodhë që kjo Kombëtare me një guxim të pashoq, nga të gjithë lojtarët e saj (të tjerët ishin Renato Radoja, Bardhyl Angjeli, Vaso Shaka, Filip Guraziu, Agim Lahi, Petrit Osmani, Gjegji Ikonomi) 4 prej tyre t’i kishte të moshës 18 vjeçare! Padyshim që edhe ky rast duhet të përbëjë një lloj “rekordi botëror” të llojit, çka për trajnerin e saj të madh, të paharrueshmin Feti Borova, kjo Kombëtare rinore përbën padyshim një kategori kulmi tjetër.
Protagonisti ynë, 18-vjeçari Agim Fagu, më shumë sesa në ndonjë shkëlqim të veçantë në ato pak minuta që luan, për çudi, deri dhe në shkrimin analitik të fundit, kritikohet për një farë mangësia “të madhe”. E ku? Pikërisht në gjuajtjet, ajo cilësi e rrallë e tij që me muajt apo vitet që sapo mbërrinin, do të jetë arma kryesore e basketbollit të tij europian.
Megjithatë, ky 18-vjeçar do të ruajë në historinë e tij faktin se ia arriti të luajë edhe ndeshjen më të rrallë të Shqipërisë 1965, që është humbja dramatike 64-60 me Jugosllavinë e Çermakut, Cvetkoviçit, Raznatoviçit, Tvërdiçit e Skanskit, të cilët sapo ngjiteshin në lartësitë më të spikatuna të Kampionateve Euro-Botërore e të Olimpiadave. Është një ndeshje e jashtëzakonshme ku Vaso Shaka i papërmbajtshëm shënon 20 pikë, duke u bërë në fund pikëshënuesi më i mirë i Kampionatit me 101 pikë. Ndërsa Renato Radoja 16 pikë, por duke u përcaktuar si lojtari më i mirë i Kampionatit. Ndërsa për Agim Fagun shkruhet ky përcaktim: “Në fillimin e pjesës së dytë kur rezultati është 42-42, ai zëvendëson Kasmin që del me 5 gabime personale”. Dhe tjetra që “pa mëshirë” thekson: “Fagu i mirë në mbrojtje, por i errët në sulm”!
Shkruhej kështu, pikërisht kur qysh nga kjo ditë e 17 dhjetorit 1965, për djaloshin me emrin “e panjohur” Agim Fagu, do të shpërthente veç shkëlqimi, sidomos aty ku paska qenë “i errtë”: në sulm! Dhe duke marrë prej nesh mbas bukur 55-vjetëve përcaktimin e sotëm si “Europa e basketbollit shqiptar”, siç e kam titulluar. Një personifikim që deri më sot nuk i ishte simbolizuar asnjëherë kësisoj.
SHKRIMI IM I HARRUAR PËR AGIM FAGUN NË “PESË MË TË MIRËT”…
Dhe do të kapërcej katër vite që lidhen sa me Agim Fagun, po aq edhe me mua si gazetar i ri i të përditshmes “Bashkimi” të Tiranës. Do të mbërrij te viti 1969. Agim Fagu fiton për herë të katërt në anketën tradicionale për “Më të Mirët e Vitit” të gazetës “Sporti Popullor”.
Gazetari ynë Ismet Bellova, miku im i hershëm, më fton që të realizoj shkrimin për “Pesë më të mirët” e vitit 1969. Mbasi kisha punuar pak muaj si korrektor, sapo isha emëruar redaktor i “Bashkimit” mbështetur fort prej gazetarit Hamit Boriçi dhe kryeredaktorit të paharrueshëm Niko Nishku – çka përjetësisht i ndjej si njerëzit të cilët më realizuan ëndrrën time për të fituar profesionin e jetës, këtë të gazetarit profesionist.
Shkrimi që po më kërkonte “Sporti Popullor” botuar më 13 dhjetor 1970, disi i gjatë do të zinte aperturën e faqes 1, siç i thonim, dhe vazhdonte në gjatësinë e tij në faqen 2. Ndërkohë Ismeti, natyrisht që ia dorëzon kryeredaktorit të mirënjohur Skënder Tupe, ndërsa unë prisja në zyrë me Ismetin. Mbas pak Tupe më thërret në zyrën e tij duke më përgëzuar aq fort, deri aty sa mua po më emociononte tejet. Sigurisht pa të shkuar kurrë ndërmend se mbas bukur nja 25 e pak vjetëve, unë do t’i blatoja Skënder Tupes çmimin “Anton Mazrreku”, që e kisha themeluar së bashku me mikun tim të paharrueshëm, Ing.Tonin Paloka, nën mbështetjen e industrialistit të madh të Italisë Cav. Lav. Silvano Pedrollo. Sa të çuditshme që janë përkimet e viteve!…
Shkrimi në fjalë, në të vërtetë bëhet për “Pesë më të mirët”, siç ishte atë vit anketa, të cilët renditeshin kështu: Atletja Marjeta Pronjari 970 vota, basketbollisti Agim Fagu 900 vota, peshëngritësi Asim Belinova 860 vota, çiklisti Dashamir Rama 760 vota, futbollisti Medin Zhega 700 vota. Shkrimi i botuar më 13 janar 1970, titullohej “Tregim për pesë më të mirët”, përmes të cilit portretizoja secilin sportist, natyrisht sipas renditjes në anketë. Ai botohet me pseudonimin tim Bunian Drini, ngaqë edhe gazeta “Bashkimi” nuk donte që gazetarët e saj të shkruanin për gazetat e tjera! “Kapitulli” për Agimin ishte i dyti me titullin “Agimi”, me emrin pra, siç dhe për kapitujt e katër të tjerëve.
Po e ribotoj mbas 54 vjetëve këte portretizim, krejt të harruar:
“AGIMI
Më 1959, gazeta “Sporti Popullor” botonte një fotografi që sot mbetet mjaft interesante. Në të shikohej futbollisti ynë i njohur Besim Fagu, e pranë tij një djalë i vogël me topin në këmbë.
“Po kush do të jetë ai? I biri-Agimi në moshën 11 vjeçare, nxënës i dalluar, me të ardhme të shkëlqyer në futboll”, lexojmë poshtë fotografisë. Sot që mjeshtrin e merituar të sportit, Agim Fagun e njohin të gjithë, konstatojmë se ky parashikim i para 11 vjetëve, vetëm në fjalën “i shkëlqyer” nuk ka gabuar. Agimi 23-vjeçar është me të vërtetë i shkëlqyer si basketbollist, jo si futbollist. Gimi, tradhtoi kështu dëshirat e babait vetëm këtu.
… La topin e futbollit dhe mori atë të basketbollit. La fushën e blertë e shpejt u miqësua me parketin, me tabelat e basketbollit. Një Fag i dytë po fitonte admirimin e masave sportdashëse. Ishte Gimi. Akoma nuk po jepej mendim për të, kur ja, Gimi, qetë-qetë, me siguri të madhe e mjaft shpejt ngjiti shkallët e mjeshtërisë sportive. Fiziku i tij i mrekullueshëm, talenti, pasioni e mbi të gjitha vullneti, këmbëngulja, formonin një kompleks të shkëlqyeshëm basketbollisti të kohës, plot temperament e aftësi të rralla.
– Mbrëmë ke bërë të pamundurën Gim!- i thashë në dhjetorin e 1968, pas ndeshjes me “Oransodën”.
– Jo unë, por të gjithë shokët së bashku, – m’u përgjigj Gimi me thjeshtësi të sinqertë e plot seriozitet.
Disa ditë më vonë, ai, Agim Fagu, për të tretin vit radhazi zuri vend në pesë më të mirët dhe pas pak iu dha titulli i lartë “Mjeshtër i Merituar”, që e gëzoi pa masë atë, familjen e tij dhe sportdashësit.
Edhe më 1969, “snajperi unë”, basketbollisti i palodhur demonstroi atë rritje të madhe të tij si sportist.
– Në ndeshjen e kthimit me Dinamon e Bukureshtit, Gimi ishte ndoshta edhe më në formë sesa me Oransodën – më tha një ditë trajneri Astrit Greva. U preokupuan disa lojtarë rumunë njeri pas tjetrit për ta bllokuar, e megjithatë ai shënoi 37 pikë!
E sportdashësit tanë me plot dëshirën e tyre edhe për 1969, për të katërtin vit radhazi e vlerësojnë Gimin duke i dhënë një vend në pesë më të mirët. Ndërsa ai si gjithnjë thotë:
– Vetëm duke rritur cilësinë sportive unë shpërblej respektin e madh që kanë për mua sportdashësit. U faleminderit atyre.
– Po për 1970-tën?
– Të mbaroj me sukses fakultetin dhe skuadra jonë të meritojë titullin kampion.
…DHE PARTIZANI-ORANSODA E ITALISË 73-73!
Tash zbresim pak më poshtë, te 18 dhjetori i viti 1968. Në këtë ditë do të fiksohej barazimi madhështor përmes shfaqjes së papame Europiane të Partizanit të Shqipërisë. Interesante është ndërkaq, se kjo ndeshje i përkiste turit të dytë të Kupës së Kampioneve të Europës. Shorti për fat, e kishte nderuar tejet Partizanin e Shqipërisë, i cili ishte një skuadër debutuese, pra, që merrte pjesë për herë të parë në Kupën e Kampioneve, që do të ishte po vetë Shqipëria, e cila po merrte pjesë për herë të parë në këtë Kupë. Për një çast mund t’i themi “ironi e fatit”…
Merrnin pjesë kampionet e 25 shteteve. E gjithë ecuria e fatit të Kupës do të lihej pa asnjë paragjykim në mëshirën e shortit. Me short do të përcaktoheshin 18 skuadrat që do të luanin Turi 1, ndërsa 7 të tjerët do të prisnin 9 të kualifikuarat e këtij Turi dhe do të formonin 16-shen e Turit II.
Dhe shorti fatlum për Partizanin, të cilin e cakton si anëtar të 7-shes pritëse. Ajo i bashkohet 9 të kualifikuarave të Turit I dhe papritmas kampionia e Shqipërisë e sheh veten në përzgjedhjen elitare të Kupës, që janë 16 skuadrat e Turit II. Kjo do të thotë se, ende pa luajtur, Partizani kishte siguruar veten në 16 kampionet më të forta të Europës.
Ato ishin: Akademik e Sofjes, CSKA e Moskës, Real Madrid, Sandard Liegi i Belgjikës, Oransoda e Italisë, CSKSA e Moskës, Sparta Brno, Honved i Budapestit, Zadar i Jugosllavisë, Makabi i Tel Avivit dhe Partizani i Shqipërisë. Prisnin të mësonin 9 të kualifikuarat e Turit 1. Këto ishin Villeurbane e Francës, MTV Giessen e RFGJ, Real Madrid, Standard Leigi, Oransoda Cantu, Vorëarts Leipzig, Dinamo Bukuresht, ITU SK Istanbul dhe AEK e Athinës.
Dhe shorti “fantastik fatmadh” që përcakton duelin Partizani-Oransoda Cantu e Italisë!
Kjo do të ishte ndeshja e parë e Shqipërisë në Kupën e Kampioneve të Europës. Sigurisht askush nuk mund të parashikonte se në këtë pjesëmarrje të saj të parë, kampionia e Shqipërisë së vogël, do të bënte që me të të merrej e gjithë Europa e basketbollit. Këtë do ta shkaktonte barazimi i madh 73-73 i Partizanit, e drejtuar mrekullisht nga trajneri i tij i madh, Astrit Greva dhe nga shpërthimi po i madh i basketbollistit të tij Agim Fagu, kuptohet, me shokë.
Tash, mbas plot 55 vjetëve e më po përshkruajmë se çka qe kjo ndeshje. Po e përshkruajmë me stilin e gazetarisë kronikale të sotme, duke u mbështetur te reportazhi analitik i autorëve të “Sportit Popullor” Ismet Bellova e Kostandin Ktona, botuar më 24 dhjetor 1968:
Ka qenë një fillim epror i italianëve, të cilët në minutën e 4-t kryesojnë në 12-5.
Shifra këto që të linin të kuptoje se epërsia e tyre do të ishte punë e kryer. Dhe befasia e madhe. Do të mbërrinte minuta e 9-të dhe Fagu shënon koshin që çon në epërsi Partizanin 23-22. Pallati i Sportit nuk përmbahet. Mirëpo ja që vjen minuta 15 dhe mbas pushimit të marrë, italianët përsëri kryesojnë, tash me shifrat 37-33, çka për çudi nuk e trondit Partizanin, teksa pjesa e parë mbyllet vetëm 41-40 për miqtë.
Sapo nis pjesa e dytë Fagu e çon Partizanin në 43-42. Papritmas Partizani ndalon këtu dhe Oransoda në minutën e 4-t kryeson 51-42. Plot 9 pikë epërsi, çka nënkuptonte se fati i ndeshjes ishte përcaktuar. Tashmë askush nuk dyshonte që kjo epërsi prej 9 pikësh, të mund të ndryshonte e ndeshja të mbërrinte në baraspeshë.
Mirëpo Fagu, gjithnjë Fagu! Ai rifillon me një siguri e qetësi të jashtëzakonshme. Është ai që ngushton shifrat me gjuajtjet e tij. Pallati ushton. Mirëpo, një nga më shtatlartët e Partizanit, Nikolin Pali, në minutën e 12-të lë fushën e lojës për 5 gabime personale, siç thuhet. Shtatlartë, për shtatlartë, atë e zëvendëson Agim Lahi. Dhe mbërrin minuta dramatike e 14-të. Është Kujtim Kasmi, i cili midis tre kundërshtarëve italianë, bën çudinë e madhe, duke kaluar Partizanin në epërsi 63-62! Ky është çasti kur italianët ndjejnë tronditjen e fortë, jo vetëm përballë Partizanit në parket, po edhe përballë një publiku vullkanik. Megjithatë, prapë ngjiten, por Fagu nuk ndalet. Dy gjuajtje të lira të tij dhe mbërrijmë te 67-64 për Partizanin. Prapë italianët dhe barazim 67-67!
Kishin mbetur vetëm 70 sekonda lojë dhe Oransoda kryeson 71-67. Punë e kryer? Por jo! Shkruajnë dy autorët e atij reportazhi historik:
“…Fagu driblon, rrëzohet, por nuk e lëshon topin nga duart dhe e kalon te Moja. Topi lëviz me shpejtësi, merret nga Pëllumbi dhe drejtohet për në shportë. Publiku ngrihet i tëri në këmbë dhe pallati oshtin nga duartrokitjet entuziaste. Ndeshja mbyllet në barazim 73-73”.
Bellova dhe Ktona ende nuk kanë firmosur fundin e reportazhit. Ata kalojnë nga një reportazh i kalibrit të lartë përshkrues, çka kam përshtypjen se sot mungon në gazetarinë tonë. Dhe ja sesi ata e portretizojnë protagonistin tonë Agim Fagu:
“…Taktikisht u veprua drejt: duke nuhatur se Fagu ishte në formë të përsosur, të gjithë punuan për lirimin e tij nga mbulimi i kundërshtarëve. Ai luftoi me guxim, veproi me iniciativë të madhe dhe u tregua ‘snajper’ i mrekullueshëm. Shënoi 48 pikë, duke patur një përqindje realizimi shumë të lartë, të shkallës ndërkombëtare – 52.51 për qind.”
Më tej shkrimi i tyre kthehet në analitik, ku ngrenë lart sidomos pesëshen e parë të Partizanit, Fagu, Kasmi, Pali, Përmeti e Pëllumbi, duke vlerësuar po aq trajnerët Astrit Greva e Njazi Lleshi. Ndërkohë, duke theksuar forcën e skuadrës Oransoda me amerikanët Burges dhe Lynn, argjentinasit De Simone e D’Aquila si dhe anëtarët e kombëtares së Italisë Recalcati e Frigerio, ata nënvizojnë luftën në tabelë të lojtarëve të Partizanit përballë Burges shtatlartë 2.02, të Lyon 2.01 dhe të De Simone 2.00 metra.
Kjo ishte ngjarja që sot duhet quajtur fenomenale për kohën, me barazimin e saj madhështor me në krye kapitenin e skuadrës, Agim Fagun e 48 pikëve.
Ja dhe skeda e ndeshjes, këtu për herë të parë më e saktë dhe më e plotë se kurrë më parë:
Kupa e Kampioneve të Europës 1968-69
PARTIZANI-ORANSODA CANTU (ITALIA) 73-73
(18 dhjetor 1968, Tiranë. Pallati i Sporti “Partizani”)
PARTIZANI: Fagu (48 pikë), Pali (11), Pëllumbi (5), Përmeti (4), Kasmi (2), Moja (2), Lahi (1).
Trajner: A.Greva
ORANSODA: Lynn (20), De Simone (15), Burges (14), Frigerio (11), D’Aquila (7), Recalcati 6.
Trajner: B.Stankoviç
GJYQTARË: Janko Avçiç (Jugosllavia), Petre Marin (Rumania);
PANORAMASPROT.AL