Ibrahim Hajdarmataj: 70 VITET E MËSUESIT DHE GAZETARIT RIZA ÇELAJ
Në jetën e përditshme njerëzit kryejnë një detyrë, por ka edhe nga ata që kryejnë më shumë se një detyrë. Të tillë njerëz takohen rrallë, mes këtyre të rrallëve është Riza Çelaj. Ai ka punuar si mësues për 45 vite me rradhë. Përveç detyrës si mësues ai ka shkruar shumë shkrime në shtypin e kohës. Sivjet mbushen 52 vite që nga fillimi e deri sot. Riza Çelaj lindi në fshatin Viçidol më 18 shtator 1954. Babi i tij Rexhep Çelaj rriti dhe edukoi 4 djem. Mes këtyre djemve është edhe Riza Çelaj. Ai është i treti nga fëmijët. Nga të katër fëmijët Rizaja ishtë më i shkathëti, që në vogëli u shqua për zgjuarsi. Shkollën fillore e mbaroi në Viçidol, ndërsa atë 8 – vjeçare në Aste të Tropojës. Rruga e gjatë rreth një orë larg asnjëherë nuk e lodhi. Me të mbaruar 8 – vjeçaren, babai i tij Rexhep Çelaj u interesua për shkollim të mëtejshëm. Kështu në shtatorin e vitit 1970 Riza Çelaj mori rrugen për në Shkodër në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”. Lëvizja nga një zonë e thellë malore drejt Shkodrës nuk ishte e lehtë për Rizanë. Shpejt u ambientua me qytetin dhe u miqësia me shokët e shoqet e klasës dhe të shkollës. Atje gjeti ngrohtësinë e mësuesve, në veçanti të Drita Garucit e Eli Karamitrit e shumë të tjerëve. Këto dy mësuese ndikuan fuqishëm në formimin e pasionit të të shkruarit. Ndikim të madh pati edhe nga Hamit Aliaj, i cili vazhdonte pedagogjiken. Që në vitet e para pranoi të shkruante poezi, shquhej për hartime të mira dhe plot figueshmëri. Në vitin e dytë nisi të shkruaj artikuj në gazeten “Jeta e Re” të Shkodrës dhe dërgonte informacione për punën dhe veprimtarinë në shkollë në radio Shkodrën. Shumë shpejt emri Riza Çelaj u bë i njohur jo vetëm në shkollë, por edhe më gjërë. Zgjidhet anëtar i klubit letrar “Heronjt e Vigut” dhe zhvilloi një veprimtari të madhe artisike. Në konkurset letrare që organizonte shkolla disa herë ka zënë vendin e parë. Për këtë aftësi e prirje vitet e fundit zgjidhet kryetar i rrethit të shkollës. Me mbarimin e pedagogjikes fillon punë në Gegaj të Tropojës e më pas në fshatin Degë. Shumë shpejt ndërtoi marrëdhënie të mira me kolegë e nxënës, por edhe me banorët e këtyre zonave. Në vitin 1976 shkon ushtar për dy vite në Fushëkrujë. Nisë kështu një fazë e re për Riza Çelën.
Filloi të shkruaj më shpesh jo vetëm për ushtrinë, por edhe për jetën dhe veprimtarinë në Fushëkrujë dhe Krujë. Në këtë rrugëtim pati përkrahjen e gazetarit Mehmet Loci e Teodor Misha, të cilit ishin në gazetën “Kastrioti” të Krujës. Përveç kësaj lidhet me gazetën “Bashkimi” e gazetarin Besnik Dizdari. Vazhdimisht dërgonte shkrime në këtë gazetë. Paralelisht me gazetën “Bashkimi” u lidh me gazetën “Luftëtari”. Në faqen e saj çdo javë kishte shkrime me firmën e Riza Çeles. Krijoi miqësi me gazetarët e njohur Xhoxhi Keko, Mina Qirici, Fuat Çeliku e Thanas Tane. Kjo lidhje e miqësi vazhdoi edhe pas mbarimit të ushtrisë. Shpesh vinte një telefonatë në Tropojë, kërkonin një shkrim për gazeten. Ditët kaluan e miqësia e bashkëpunimi rritej. Organet që botonte shkrimet ishin zgjeruar. Gazeta Zëri i Rinisë, Zëri i Popullit, Mësuesi e Puna. Pas kthimit nga ushtria nisi punë në fshatin Berishë të Tropojës. Aty ishte një sektor sharre ku u njoh me shumë punëtorë në kantier. Ata shërbenin si frymëzim për shkrimet e shumta që botonte. Ai shkruante vazhdimisht për sharrtarë e njerëz të fushave të ndryshme. Riza Çelaj u bë një emër i njohur në të gjithë Tropojën. Me shkrimet e tija pasqyronte jetën e veprimtarinë e banorëve të kësaj ane. Po në këto vite vazhdonte studimet e larta për gjuhë e letërsi në Tiranë. Pas afro 5 vitesh në Berishë kthehet në Tropojë në shkollën 8 – vjeçare duke dhënë gjuhë e letërsi. Edhe këtu krahas mësimit gjente kohë të bënte shkrime për gazetën. Miqësia dhe njohja me gazetat rritej çdo ditë, veç falenderimeve ata i kërkonin të dërgonte shkrime për Tropojën. Gjatë kësaj kohe u zgjodh edhe anëtar pleniumi në Bashkimet Profesionale të rrethit. Merrte pjesë në mbledhjet organizative profesionale në zonën e Tropojës, në shkolla e qëndra shëndetesore. Me vendimet e tij të matura e shpesh herë të guximshme ka tërhequr vëmendjen tek të gjithë. Pas mbarimit të shkollës për 23 vite dha mësim në shkollën e mesme të bashkuar “Ali Iber Nezaj” Tropojë, në shkollën e mesme Babinë, në shkollën 8 – vjeçare Lugu i Tropojës, ku për 2 vite qe edhe drejtor shkolle. Kudo suksese e vlerësime për të si mësues e njeri i komunikueshëm. Pas viteve 1990 vazhdoi të punonte me përkushtim duke aktivizuar talente të reja që kishin prirje për të shkruar. Janë me dhjetra nxënës që shkruan poezi e tregime. Po kështu montazhet letrare për qytetarë nderi që u shpallën nga komunat e bashkia, zënë një vendtë rëndësishëm në punën e Riza Çelës. Shumë shkrime u shkruan për shkollat e tropojës veçanërisht për shkollën “Ali Iber Neza” e që mbajnë firmën e Riza Çelës. Gazeta “Nacional”, “ Telegraf”, “Gazeta e Alpeve”, “Kushtrim Brezash” me gazetarët e nderuar Mujo Buçpapaj, Engjell Musai, Ramiz Lushaj, Bashkim Koçi i kanë mirëpritur e botuar shkrimet e Riza Çelës. Gjatë viteve 2001 e më vonë u aktivizua në shoqatën “Viktimat e minave e të armëve” me qendër ne Kukës me drejtues Jonuz Kolen, me shoqatën “Veriu në drejtim” me drejtues Kujtim Morinën. Tregimet e montazhet letrare vërshuan nga dora e Riza Çelës. Janë rreth 30 tregime të shkurtra. Para se të dilte në pension u aktivizua në organizatën e veteranëve pasardhësve në Tropojë. Është aktiv me shkrime e merr pjesë në veprimtari që zhvillohen. Gazeta “Kushtrim Brezash” është bërë një organ i dashur për Riza Çelën. Për këtë është vlerësuar duke u zgjedhur anëtar të komunitetit veteranëve për Tropojën. E shikon tek merr pjesë aktive në veprimtaritë që zhvillohen në organizata duke pasqyruar në gazeta çdo veprimtari. Sot në 70 vjetorin e lindjes emri i Riza Çelës si mësues për 45 vite , si gazetar për 52 vite e kanë bërë të vlerësuar e të nderuar në Tropojë e më gjerë. Në rreth e njohin e respektojnë. Shpesh merr rrugën për në Kukës, Has, Bytyç, Bjeshkë të Dobërdolit e Sylbicës në Tërkuz. Pas kaq vitesh dëshira veç ju ka shtuar për të shkruar që jo çdo kush e ka. Në rreth e njohin dhe e respektojnë, në Tiranë gazetarët e njohin e respektojnë e vlerësojnë. Respekt e vlerësim kanë drejtuesit e veteranëve në rreth e Tiranë. Vitet kalojnë e ne i urojmë jetë të gjatë e veprimtari të vazhdueshmë si deri tani. Urime mësues e gazetar Riza Çelaj, njeriut të palodhshëm që kurrë s’pushoi si shkrimtar për njerëzit e Tropojës që janë një burim frymëzimi për të gjithë në mënyrë të veçantë për Riza Çelën.
——————-
Ibrahim Hajdarmataj
Antarë i Komitetit Kombëtar të Organizatës Veteranëve LANÇ “Nderi i Kombit”.
Please follow and like us: