Albspirit

Media/News/Publishing

Dy ese nga Astrit Lulushi

Një mit krijimi

 

Sipas mitologjisë kaldease, shkruar me kunjiform – zbuluar afër 200 vjet të shkuara – aty ku më pas do të krihej Babilonia, personi që i kryesonte njerëzit ishte një grua, e cila në gjuhën vendase quhej Thalatth; në greqisht Thalassa; shqip Thellësi, por që mund të interpretohet Hënë. Hyjnia Belus e ndau gruan në dy; nga njëra pjesë formoi tokën, nga gjysma tjetër qiellin, dhe në të njëjtën kohë shkatërroi kafshët. E gjithë kjo është një përshkrim alegorik, sepse bota i ka kushtet natyrore; ajo përbëhet nga lagështia dhe kafshët krijohen vazhdimisht në të.

Belus, qiellori, hoqi kokën e tij; mbi të cilin perënditë e tjera përzien gjakun dhe prej tij u formuan njerëzit. Për këtë arsye, njeriu është racional dhe merr pjesë në dijen hyjnore. Belus, me të cilin nënkuptohet Jupiteri, ndau natën nga dita, qiellin nga toka dhe rregulloi universin. Por kafshët, duke mos qenë në gjendje të përballonin përhapjen e dritës, ngordhën. Belus, urdhëroi një nga perënditë që të hiqte kokën e tij, të përziente gjakun me tokën dhe prej andej të formonte kafshë dhe njerëz të tjerë. Belus formoi gjithashtu yjet, diellin, hënën dhe pesë planetët. Sipas Polhistorit Aleksandër, ky është rrëfimi që Belus shkroi në tabletën e tij të parë. Tabela e dytë përmban historinë e dhjetë mbretërve të Kaldeas dhe periudhat e vazhdimit të çdo mbretërimi, që përbëhej kolektivisht prej njëqind e njëzet sari, ose katërqind e tridhjetë e dy mijë vjet, duke arritur deri në kohën e Përmbytjes. Duke numëruar mbretërit nga tabletat e kaldeasve, pas Ardatit të nëntë, djali i tij Xisuthrus mbretëroi 18 sari.

Në kohën e tij ndodhi një përmbytje e madhe: Hyjnia Cronos iu shfaq Xisuthrus në një vegim dhe e paralajmëroi se në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit Daesius do të kishte një përmbytje, nga e cila njerëzimi do të shkatërrohej. Prandaj e urdhëroi të shkruante një histori të fillimit dhe përfundimit të të gjitha gjërave dhe ta varroste në qytetin e Diellit në Sipara; pastaj të ndërtonte një arkë dhe të merrte me vete miqtë dhe të afërmit e tij; të përcillte në bord çdo gjë të nevojshme për të mbajtur vazhdimin e jetës për njerëzit, bimët dhe kafshët.

Disa pretendojnë se kanë zbuluar mbetjet e një arke, që ata e lidhin me Noen, por thëniet e tyre shpesh trajtohe me skepticizëm, ndërsa miti kaldeas flet për një arkë dhe përmbytje shumë më të vjetër se periudha e Noes. Në territorin e Armenisë është një mal shumë i madh që quhet Baris, ku shumë njerëz u tërhoqën në kohën e Përmbytjes dhe u shpëtuan. Arka ngeci në majën e malit dhe mbetjet e anijes u ruajtën gjatë.

Banorët e parë të tokës, duke u mburrur me forcën dhe madhësinë e tyre dhe duke përbuzur perënditë, morën përsipër të ngrinin një kullë, maja e së cilës duhej të arrinte në qiell, në vendin ku ndodhet tani Babilonia; por kur iu afrua qiellit, erërat i ndihmuan perënditë dhe e përmbysën kullën Babel; rrënojat e saj thuhet se janë ende në Babiloni (arkeologët e sotëm vazhdojnë të kërkojnë); perënditë futën një larmi gjuhësh mes njerëzve, të cilët deri në atë kohë kishin folur të gjithë të njëjtën gjuhë; një luftë u ngrit midis Kronos dhe Titanit. Vendi ku ata ndërtuan kullën quhej Babiloni për shkak të ngatërrimit të gjuhëve; me fjalët Babel, Babilon hebrenjtë quajnë konfuzionin; greqisht quhet barbarë (nuk mund të flasin gjuhën e tyre); shqip quhet belbëzim (nuk flet, por mërmërit).

Pas përmbytjes, jetuan Titani dhe Prometeu, kur Titani ndërmori një luftë kundër Kronit.

Por babilonasit dhe pjesa tjetër e barbarëve a belbëzuesve, kaluan në heshtje parimin se duhej Një për të krijuar botën dhe thanë se duheshin Dy; Tauthe dhe Apason, duke e emëruar ‘Teutën’ nënën e perëndive. Nga Apason dhe Teuta lindi një djalë, Moymis, për të cilin, mitiologët mendojnë se nuk është tjetër veçse ‘bota e kuptueshme që rrjedh nga dy parimet’. Prej tyre lindën edhe pasardhës të tjerë, Dache dhe Dachus; Kisare dhe Assorus, nga të cilat dalin tre të tjerat Anus, Illinus, dhe Aus. Dhe nga Aus dhe Davce lindi një djalë i quajtur Belus, ngatërrestari i botës, Demiurgu. Kështu, siç e pamë, historia i ruan këto tableta nëpër muzeume, por e përdor mitologjinë, si bazë për t’i bërë të pabesueshme.

 

Njuton

Mollët janë një frut i preferuar mitologjik. Në Don Juan, Xhorxh Bajroni e lidh frymëzimin e Njutonit në një pemishte në Lincolnshire me tundimin e Adamit në Kopshtin e Edenit:

Kur Njutoni pa një mollë që binte, ai gjeti Një mënyrë për të provuar se toka u kthye e rrumbullakët Në një rrotullim më të natyrshëm të quajtur ‘gravitacion’ Dhe ky është i vetmi i vdekshëm që mund të përballet, Që nga Adami, me një rënie ose me një mollë. Njutoni e krijoi këtë anekdotë pak para vdekjes së tij, duke pirë një filxhan çaj me një mik më të ri, i cili raportoi se: ‘Nocioni i gravitetit… u shkaktua nga rënia e një molle, ndërsa ai (Njutoni) ishte ulur duke soditur. Pse ajo mollë duhet të zbresë gjithmonë pingul me tokën, mendoi ai. Pse nuk shkon anash apo lart, por vazhdimisht në qendër të tokës? Sigurisht, arsyeja është se toka e tërheq atë… ekziston një fuqi, si ajo që ne këtu e quajmë gravitet, e cila shtrihet në gjithë universin’.

Më shumë se çdo mit tjetër shkencor, molla në rënie e Njutonit promovon nocionin romantik se gjenitë e mëdhenj bëjnë zbulime të rëndësishme papritur dhe të izoluar. Libri i tij mbi mekanikën dhe gravitetin, i botuar për herë të parë në 1687, ka ardhur për të simbolizuar lindjen e shkencës matematikore. Sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, u përshëndet si një bibël intelektuale ndërkombëtare që do të kapërcente dallimet fetare, produkt i një revolucioni të lavdishëm shkencor që u bë fillimi i epokës së sotme. Njutoni themeloi fizikën moderne duke futur gravitetin dhe duke zbatuar njëkohësisht dy transformime të mëdha në metodologji: unifikimin dhe matematikën. Duke tërhequr një paralele midis një molle dhe Hënës, ai lidhi një ngjarje të përditshme në Tokë me lëvizjen e planetëve, duke eliminuar kështu ndarjen më të vjetër, aristoteliane midis mbretërive tokësore dhe qiellore. Përveç bashkimit të kozmosit, Njutoni bashkoi matematikanët me filozofët natyrorë: Descartes e lavdëroi Principia-n duke e bërë librin një Principia matematikore – Parimet Matematikore të Filozofisë Natyrore. Edhe pse Njutoni ishte padyshim një njeri brilant, lavdërimet e një gjeniu të vetëm nuk arrijnë të përputhen me ngjarjet. Ashtu si të gjithë novatorët, ai varej nga veprat e mëparshme të Keplerit, Galileos, Dekartit dhe të tjerëve të panumërt – “Unë kam parë më tej duke qëndruar mbi supet e gjigantëve”. Përshëndetja e tij si krijuesi i shkencës modern është gjithashtu mashtruese. Larg nga të qenit një fizikant i përkushtuar në kuptimin e sotëm, Njutoni e kërkoi Zotin duke studiuar alkiminë dhe Biblën, si dhe botën natyrore. Dhe si një ndërlikim i mëtejshëm, filozofët natyrorë nuk u konvertuan menjëherë në idetë e tij – modeli i kozmosit i

Njutonit u kritikua dhe modifikohej vazhdimisht, kështu që Njutonianizmi i sotëm është shumë i ndryshëm nga skema që ai propozoi fillimisht në Principia. Historia e mollës ishte praktikisht e panjohur përpara kohës së Bajronit. Në vend të kësaj, Njutoni u simbolizua me një kometë, sepse ai u lavdërua për imponimin e rregullsisë në ato që konsideroheshin si meteorë flakërues, paralajmërime sporadike të dërguara nga Zoti për të frikësuar një botë mëkatare.

Kur u shfaqën disa kometa – duke përfshirë atë që tani mban emrin e astronomit Edmond Halley – Njutoni u fiksua nga sjellja e tyre, duke i vëzhguar me teleskopin e tij. I fshehtë dhe i izoluar, Njutoni u bind përfundimisht që Principia të botohej nga Halley, i cili vetë përballoi kostot e printimit të një libri të rëndësishëm që Shoqëria Mbretërore e ndjente të paaftë për ta përballuar. Më pas, Edmond Halley shpalli se Toka ishte e zbrazët. Teoria e tij bazohej në vlerën e afërsise hënore, dendësi e dhënë nga Isak Njutoni në Principia (1687).

Duke shkruar në latinisht për të arritur një audience ndërkombëtare ekspertësh, Njutoni u kthye në një gjuhë klasike. – gjeometri. Duke konsoliduar dhe zhvilluar punën e Galileos dhe të tjerëve, ai përcaktoi tre ligjet e tij të lëvizjes, të cilat përshkruajnë se si objekte të tilla si topat e bilardos ose plumbat lëvizin dhe ndërveprojnë. Më pas Njutoni zbatoi këto ligje për të përshkruar lëvizjen e planetëve dhe grimcave të vogla, duke prezantuar konceptin e ri të gravitetit si një forcë tërheqëse universale që shtrihet nëpër hapësirë për të ndikuar në kometat, mollët dhe atomet në të njëjtën mënyrë.

Po aq e rëndësishme, Njutoni shprehu efektet e gravitetit matematikisht. Sipas ligjit të tij katror të anasjelltë, sa më afër të jenë dy objekte, dhe sa më të rënda të jenë, aq më fort ata tërheqin njëri-tjetrin.

Disa matematikanë u konvertuan menjëherë, por shumë më tepër u hutuan. Njutoni prodhoi dy botime të tjera të Principia-s së tij, duke shtuar rishikime matematikore dhe gjithashtu – ndoshta befasuese për t’u gjetur në librin më të famshëm të shkencës – shpjegime të Zotit. Ndryshe nga Dekarti, Njutoni vizualizoi pjesë të mëdha të hapësirës boshe jo vetëm në qiej, por edhe midis grimcave të vogla Brenda materies në dukje të ngurtë. Skeptikët e akuzuan Njutonin për kthimin e forcave okulte të modës së vjetër që filozofët mekanikë pretendonin se po i eliminonin. Akoma më keq, graviteti dukej se sfidonte vetë Perëndinë: Nëse fuqia gravitacionale do të ishte disi e natyrshme në materie, atëherë me siguri dallimi i qartë midis materies dhe botës shpirtërore është i paqartë. Dhe kundërshtimet më të forta dhe më të qëndrueshme ndaj Njutonit bazoheshin në argumente fetare.

Vetëm pas vdekjes së tij, deistët ndonjëherë e pretendonin atë si një nga të tyret. Në fakt, ai ishte një i krishterë që kundërshtoi mësimet ortodokse dhe skepticizmin fetar. Njutoni e shihte Zotin si krijuesin mjeshtëror, ekzistenca e të cilit nuk mund të mohohej përballë madhështisë së gjithë krijimit. Megjithatë, ai hodhi poshtë tezën e Leibniz-it se Zoti do të krijonte domosdoshmërisht një botë të përsosur e cila nuk kërkon ndërhyrje nga krijuesi. Njutoni bëri njëkohësisht një argument për domosdoshmërinë e ndërhyrjes: “Sepse ndërsa kometat lëvizin në rruzull, fati i verbër nuk mund t’i bënte kurrë të gjithë planetët të lëviznin njësoj njëkohësisht”.

Ky pasazh shkaktoi një sulm nga Leibniz në një letër drejtuar një miku të tij: “Sipas doktrinës së Njutonit, Zoti i Plotfuqishëm dëshiron ta ndalë orën herë pas here: përndryshe ajo do të pushonte së lëvizuri”.

Please follow and like us: