Ndue Ukaj: Koha për gjëra të bukura
Koha për gjëra të bukura s’ishte dje,
s’është sot – ajo është gjithmonë.
Edhe në këtë ditë me shi e mërzi,
kur ndjenjat janë lagur si flokët e tua t’buta
që i mban me shumë hijeshi.
Bie shi dhe unë shëtis nëpër të me mendime t’stuhishme.
E di që pasdite dielli na thanë rrobat,
por kush na ujit ndjenjat, të humburat,
kohën kur vërtiteshim nëpër mjegullnajë shpirti.
Vitet treten si një copë gazete e zhubravitur
në të cilën dikush krejt vonë kujtohet të lexojë diçka.
Po çka të lexojmë ne?
Aty ka paqartësi dhe ata që presin diellin,
janë të pikëlluar dhe thonë se ai u ka kthyer shpinën.
Por dielli ynë ku është?
Kronikat thonë se shkenca është zhvilluar në mënyrë marramendëse,
por gjërat e thjeshta kanë mbetë peng i tregimeve të vjetra.
Për lirinë, dritën, errësirën, dashurinë, s’ka nevojë shpikje të reja.
Gjatë jam menduar të shkruaj ungjillin tim.
Të përshkoj tokën si ajo vajza në mbrëmje
që tregon të dhënat për motin
dhe dua kufijtë e marrëzive
t’i mbushi me palma e ullinj për festën e fitores.
Jo për ta pritë Mesinë me to – dhe pastaj për ta kryqëzuar,
por për lirinë tonë.
Përpara meje për gjëra të njëjta kanë shkruar
dhe kanë folë poetë e profetë.
Por këtë ëndërr të bukur gjithmonë e ka tradhtuar dikush:
një gjarpër-
të cilit dua vërtet t’ia shkelim kokën.