Poetja Irma Kurti botohet përsëri në gjuhën angleze
Libri titullohet “A difficult love” (Një dashuri e vështirë) dhe mban logon e shtëpisë botuese Ukiyoto Publishing me qendër në Amerikë & Indi
Irma Kurti boton përmbledhjen me poezi në gjuhën angleze titulluar “A difficult love” (Një dashuri e vështirë). Libri mban logon e shtëpisë botuese Ukiyoto Publishing me qendër në Amerikë & Indi. Ky libër përmban poezi të pabotuara më parë të autores në gjuhën angleze. Fotoja e kopertinës është e fotografit italian Biagio Fortini. Tematikat e librit janë të larmishme. Vargjet i dedikohen dashurisë, ngjyrave dhe sfumaturave të saj: gëzimit, dhembjes, trishtimit dhe melankolisë, largësisë me vendlindjen, mallit dhe nostalgjisë, mungesës së komunikimit midis njerëzve në kohën e teknologjisë dhe internetit. Lidhur me krijimtarinë e poetes shqiptare, Pier Carlo Lava, drejtor dhe botues i revistës në gjuhën italiane Alessandria today shkruan: “Krijimtaria e Irma Kurtit është një melodi fjalësh që rrjedhin plot hijeshi, sikur çdo varg të ishte një pikturë delikate emocionesh. Aftësia e saj për të shndërruar dhembjen në bukuri është e dukshme në çdo poezi, duke e bërë lexuesin pjesë të një udhëtimi emocional unik. Fotografia e kopertinës nga Biagio Fortini, me atmosferën që krijon, paralajmëron thellësinë e emocioneve që gjenden në faqet e librit.
Irma Kurti është jo vetëm një poete e talentuar, por edhe një figurë me prestigj, siç e dëshmojnë çmimet dhe vlerësimet e shumta që ka marrë ndër vite. Përmbledhja e saj poetike nuk është vetëm një udhëtim personal, por edhe një eksplorim universal i emocioneve njerëzore. Kurti trajton tema të tilla si humbja, dashuria, koha që kalon dhe rëndësia e mbajtjes gjallë të kujtimeve. Çdo lexues mund të gjejë një refleks të jetës së tij në faqet e librit, duke e bërë atë një vepër thellësisht ndërlidhëse dhe të përbashkët”.
IRMA KURTIështë poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 90 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, SHBA, Filipine, Liban e Kinë. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 është nderuar me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëresh në Itali.
Po ashtu, i janë akorduar çmimet “Leonardo da Vinci”, 2021 dhe “Giacomo Leopardi” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe.
Në vitin 2022 u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” si dhe “Poetja më e mirë e vitit” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë e Çmimit Akademik Internacional të Letërsisë Bashkëkohore Seneca nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është nderuar me diplomën e meritës dhe medaljen Grazia Deledda nga Komiteti Kombëtar brenda Enciklopedisë Poetike WikiPoesia me rastin e 150-vjetorit të lindjes së poetes së madhe italiane. Është nderuar me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Ka fituar gjithashtu çmimin prestigjoz Naji Naaman Literary Prize, 2023 në Liban. Ajo u vlerësua me “Çmimin e Kulturës” në Konkursin Ndërkombëtar të Letërsisë AIDO, në Coccaglio, Brescia, në 2024.
Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Ka botuar 29 libra në gjuhën shqipe, 25 në italisht, 16 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 20 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht.
Irma Kurti është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara në shtete të ndryshme të botës. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 16 vende të botës.